Mapo Letrare

Dita e parë e martesës





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 18:40 - 27/01/20 |
Nga Sofia Doko Arapaj

(Skica)
E kishim fjalën tek thonjtë… Sot e kësaj dite prerjen e thonjve e kam zët. Apo s’kam ca thonj të trashë, të egër, që kur i pret mos lër gjë andej këtej se po t’u fut në këmbë të thërret natën time të parë të rrëmbimit. Se dasma jonë donte dhe ca ditë të vinte.Thonjtë e këmbëve i kisha lënë të gjatë që t’i lyeja me manikyr…Pas darkës shkojmë për të fjetur, si bashkëshortë të rinj. U shtrimë në krevat. Jorgan akllasi të kuq, që mua më ngjante sikur do betohesha përpara flamurit, me çarçafë të bardhë e topa blu, perde tyli me verige rrushi,  iu afruam njëri-tjetrit ”nevej”…Tendosa këmbët e kënaqur si mace, dhe po prisja përkëdhelje kur baf, ngrihet nga krevati Ai, sikur e pickoi grerëza.


– Tani, tani ngrihu dhe prij thonjtë se më çorre, ngrihu tani!



– Nesër, se tani është dy e natës, këtu s’kemi me ç’ti presim, ata të shtëpisë tënde flenë gjumë …


– Tani, tani, hec e merr gërshërën tek mamaja…

Ngrihem, nëpër natë dhe shkoj tek shtëpitë e reja. Se kështu u thoshin, dhe tak-tak i bie derës.

– Ç’fare ke moj qyqe, mos ka gjë djali?- tha vjehrra.

– Mama, m’i jep pak gërshërët të pres thonjtë?

– Po pse moj, tani do t’i presësh thonjtë ti? Nuk bën tani natën!

– Po mirë, na i jep pak.. dhe e mërzitur unë, po menjëherë  e gëzuar që m’i dha…

Kthehem tek dhoma e shtëpive të vjetra, pashë burrin që po më priste … Ndjeva sikur do më hiqnin thonjtë  …

-Do t’i pres vetë  – thashë!

-Silli këtu, do t’i pres me kujdes!

Dhe ai në shesh, unë ulur në krevat, më priste krac-krac thonjtë …Të dhimbnin ca, po halli im ishte…Boooo bo, po humbja rastin e manikyrit që e prisja kaq kohë…dhe nuk i preu pak, por që në rrëzë …

Kur mbaroi, mori frymë  thellë dhe tha:

-Aj tani, aj të flemë, ka lezet kështu… jo ashtu, me ato thonjtë si shat!… Kjo ishte nata jonë e parë…

POSTIERI

Njëherë, po fshija përpara derës së shtëpisë. Banonim përballë furrit të bukës. Kishte frytur erë e madhe. Gjithë gjethet dhe letrat e lagjes i kishte grumbulluar aty. Për të mos u qarë, më kishte sjellë dhe një qeskë plastike të madhe. Më përshëndet nga dera e furrit, postieri, aq ai dhe u largua. Kur bie zilja e telefonit, dhe zëri i burrit nga puna, i shqetësuar më pyet:

– Hëëë moj, ç’farë bëhet në fshat?

-Asgjë o burrë, ç’të bëhet?

-Çfarë thua ti moj, po postieri, sapo ma thanë.

E zeza thashë, me vete, çfarë bëhet kështu, epo një përshendje ishte ……dhe vazhdoj unë:

-Çfarë të thanë?

– Vdiq moj vdiq, kurse ti thua hiç, si hiç?

-Aaaa, o burrë, unë sapo e pashë postierin, biles më përshëndeti, ty kush të tha?

– Më tha filani- tha ai, dmth për njërin, që e kishin atje në punë.

Shkon burri dhe i thotë:

– Ore filan, po ti pse the që postieri vdiq, kur ai nuk ka vdekur?

– Po pse ore, do shumë orë për të vdekur?

DOKUMENTAT

Pak a shumë, ndodhi kështu. Po ktheheshim nga puna, shumë afër fshatit, katër vetë neve në makinë, duke treguar barsoleta për policë. Kur sa do futeshim tek udhëkryqi, na del policia. Ndaluam ngadalë, si rrjeta në ngjalë, [se ndryshe nuk rimon]. Afrohet policja, dhe i sheh kokë e këmbë atë që drejtonte, dy të tjerët, pastaj mua.

– Nxirrni dokumentat!

S’i kish njeri me vete, po nuk u ndjenë ata.

– S’e kam… marrë sot -u hodha e para, se ç’ti bësh, nuk më rrihej.

– S’e ke me vete, apo nuk ke fare?

– E kam, po e kam në shtëpi!

– Mirë, na ço në shtëpi.

– Ju çoj, banoj këtu afër.

Zbres unë, atyre të punës s’u mbahej e qeshura, kur shikon ti, u hapi rrugën dhe u bëri shenjë të iknin.

Në mes mua ata, dhe ajo policja, filloi të më pyeste:

– Nga je ti, dhe nga je ti dhe nga je?…

– Nga Tilisoi, a nuk po ju çoj atje?

Iuuuu,iuuu, makina drodhi përmes fshatit dhe pas disa minutash, u tregoj me gisht të ndalojnë, mu përpara furrit të bukës, përballë shtëpisë sime, d.m.th. Gjitoni im, esmer, bullgar, që po vinte nga fundi i rrugicës duke u tundur e shkundur, me shapka e kanatjere, të blinte bukë, sa më pa mua brenda, kujtoi se unë e solla policinë për ta, dhe siç ishte, u kthye menjëherë pas për të lajmëruar të tjerët. E shikojne policët, e më thonë:

– Po ti qenke flori, na paske çuar drejt e në fole…

– Jo, jo kirie polici, unë ju ndalova këtu, se këtu është shtëpia ime…Jo, jo kirie polici se do mendojnë se i spiunova gjitonët…

Oooh, të shkretët bullgarë i zunë të tërë dhe i futën në makinë. Policja ndenji tek dera, dhe pa fëmijët e mi, të vegjël atëherë që bënin punët e shtëpisë, të gjitha lodrat në mes, gurgule hesapi dhe po qeshte. Bullgarët, shihnin nga dritarja e kafazit te policisë, dhe kushedi sa më kanë sharë të shkretët. I tregoj dokumentin, filloi ajo të thoshte fjalë të mira për mua, po ç’e do, të keqen ua kisha bërë të shkretëve bullgarë. Ja kështu, historia e dokumentave …

UNË AFENDIKESHA

Erdhi edhe dita ime, të isha afendikeshë…kishim marrë ullinj përgjysëm, dhe bënim  çmos të punonim më shumë, me orar të zgjatur që të nxirrnim fitimin. Por edhe donim të mbaronim, mos fillonin shirat e nuk punonim dot. Sa mundësi kishim, të nxirrnim lekë. Epo mirë, morëm një bullgar, se shqiptarët ishin pak këtu, i thamë ku do shkonim, sa ditë etj…dhe niseshim  që në orën shtatë, ishte dimër.

Një ditë, në kodër…

– S’ka bar, thoshte bullgari…këtu bar nuk ka, sa mirë, dhe fluturonte, nuk e arrije dot.

Kur mblidhte rrjetat, kur i transportonte thasët, kur të qortonte pse vonoje…

Ditën tjetër fushë…

– Shumë bar këtu, o poli xorta edho, dhe mezi punonte, i vrenjtur, i paqejf.

– O burrë i them, po ç’ka bullgari që nuk punon kur ka bar?

– Eh, kakomira Sofia, sepse mendon se punojmë me merokamë (ditë pune dmth) dhe të ka marrë inat, që mbledh edhe kokrrat e fundit, nuk i pëlqen të mbledhë   dhe gëzon se nuk duken nga bari…

PËRRALLA ME PAMBUK

Në fshatin tonë para shumë vitesh, kur aneksi ynë kishte oxhak, kultivohej pambuk. Boçe borë të bardha, të shëndetshme, të ngopej syri, dora dhe rendimenti … Me nga një futë të gjërë përpara, me të dyja duart, shpejt e shpejt, rrëmbeje boçet e i fusje në futë.

Zbrazej futa në fund të ditës, po “gabimisht” nënat linin nga një dorë ta sillnin në shtëpi për triko  e çorape. Në dimër, darkë përreth oxhakut, se radioja më shumë ishte e babit, televizor s’kishim, shkrifnim pambukun, ne, mamaja dhe përrallat. Tregonte shumë bukur, saqë akoma mbaj mend duart e mia, që hapnin e hapnin tërë dashuri, si petull pambukun, dhe sytë nuk i shkëpusja nga mamaja. Mollëzat e gishtave kërkonin e kërkonin kokrrën e pambukut, që e rrotulloja e rrotulloja dhe këputje nuk kishte…

Kur dëgjoja mamanë: – Luaj duart tiiiii, – më thoshte- se e lashë përrallën…s’ka triko po nuk mbaruam këtë që kemi përpara sonte!

Një nga përrallat më mbresëlënëse ka qenë ajo me atë gruan që dërgoi burrin për të blerë fustane në pazar dhe pa ardhur akoma burri ajo e mori të vjetrin dhe e flaku në zjarr…Pale, ajo tjetra me Marinën në pyll, që sado që nuk e mbaj mend tërë rrëfimin, ama ato copëza ngjyrash, lëvizjet, çak-çak-un e prerjes së druve, humbjen nëpër pyll dhe aktrimin e pastër të dialogëve të përrallës së saj në gjuhën Rremeneshte e kam deri në palcë.

Jeta, atëherë, për ne ka qenë goxha e vështirë, sidomos për nënat me shumë fëmijë. Dhe drurin nuk e hante kush gabonte, e hante kush dilte përpara, po të hidhej përpjetë dhe të ankohej humbiste dhe të drejtën, kallame hesapi. Kështu që pambuku na mblidhte dhe na edukonte edhe me pjesën tjetër të përrallës, me atë,  që dërgoi  burrin për fustan, em fustan të ri s’i bleu, em fustanin e vjetër e dogji….kurse ne, em me forcat tona, em me pambukun e brigadës…

MAMAJA IME

Para ca vitesh, ishim mbledhur në Athinë pothuajse gjithë familja. Mua mu shfaq ajo tablloja, krishti, bukët, vera, kokat, vështrimet, ngjyrat, nofullat, po nëna ime mu dhimbs më shumë se babai atë ditë. Fytyra i ishte fryrë, dhe për herë të parë në jetë, bota ime u kthye përmbys.Ja, shih, -thashë  me vete, unë dy fëmijë kam dhe ndonjëherë kur lodhem, bëhem si bishë, që kam lavatriçen, ujë, dritë, asfalt, punë, etj etj. Po ajo, si ja ka dalë me gjashtë si ne? Në brigadën e plehut…dhe e vështroja e vështroja. Më erdhi për të qarë, që unë aq kohë s’kisha dëgjuar kurrë një fjalë të mirë, sepse i dilja kundër asaj, dhe pa takt.

U ngrit për tu përgjigjur, edhe tha në rremeneshte:

– Ju mendoni, se une isha e sëmurë, me sytë e mbyllur, gati për të vdekur në Tiranë, e nuk dëgjoja, nuk shikoja!  Të gjitha i shikoja, edhe atë (e kish për mua), që ndenji atje tek unë, edhe kur ulërija nga dhimbjet, edhe kur më ranë flokët, edhe kur i bërtiste doktorit të ikte e të sillte aty të atin, po ajo ndenji. Ajo, ndenji, kur unë isha për vdekje, mos kujtoni se nuk i kuptoja të gjitha!

Isha aq e lumtur, aq e çliruar, e kulluar, sa për herë të parë, iu hodha burrit për gryke:

– Për nënën time, mos fol kurrë, ashtu si dhe unë, për nënën tënde, tonën, do bëj të njëjtën gjë!

Ua kam thënë këtë, që sa herë shkoj tek mamaja,rri sa rri dhe kur është ora për t’u bërë gati unë për të ikur, ajo hap tej e tej dy fletët e dollapit. Kërko e gjej edhe na, merre këtë bluzën se nuk është për mua, na, merre këtë fustan, na merri vëthët, na merri rruazat…

– Po rri o ma, se nuk dua, se nuk i mbaj unë ato…

– Jo jo merri, dhe fut në çantë. Vajza ime nuk mbahej së qeshuri.

O gjyshe, lëre se e mbushe mamin sikur do shkojë në pazar t’i shesi…

Kërkoi sa kërkoi, mamaja, u mbaruan ato të dollapit, kur hap sirtarin e komodinës së madhe.

– Na, merr nga këto ilaçe se mua më tha doktori që më bëjnë mirë, merr edhe ti…

Nxjerr një kokërr për ftomën e unë i them:

– Kam unë, nuk dua më!

– Jooo, pije tani, se do jesh në karav, se të bën mirë.

Ç’më gjeti, e marr e çoj në dorën tjetër sa vajti e mbushi një gotë me ujë, dhe piva vetëm timen.

– Aaaashtu tha ajo, ta dëgjosh mamanë.

– Nënaaaa, jo nga ai liaçi moj, se do e zërë barku mamin tim, edhe qeshte me lot.

Të keqen mami Tonja,sa qesh ajo.

Në fillim mua mamaja më nevrikoste me këmbënguljen e saj, po tani nuk ia prish. Më duket se jeta e tërë ishte dhjetë hapa e besoj se  kam hedhur shtatë. Besoj se çdo gjë, e kemi në gjak, e historia përsëritet. Se çdo veprim i mamasë është një shteg për të kërkuar e gjetur veten. Dhe neve mund të jemi, një vëth, një fustan apo një ilaç. Nuk më shqetëson më fare, që ajo flet me zë të lartë shqip duke ngrënë suvlaqen. Ahhh, po kur i zë njerëzit t’i pyesë për diçka, e u flet gjysma shqip gjysma greqisht e pastaj më thotë:

– Vajzëëë mos të flasim shqip, që të mos e marrin vesh nga jemi…

(Mblodhi dhe përgatiti Eli Kanina)


Etiketa:

Pas