Dje duket se ka nisur një epokë e re në PD dhe Opozitën shqiptare, ku për herë të parë në 30 vite, Sali Berisha është futur në Kuvend, jo si pjesë e forcës politike që vetë ka themeluar. Por ish-kryeministri premton se nuk do ta njohë vendimin e Lulzim Bashës për përjashtimin e tij, dhe se do të bëjë gjithçka për kthimin e partisë në legjitimitet. Ai ka akuzuar se ka një pazar mes Ramës dhe Bashës. Çfarë mund të ndodhë në PD dhe si do të jetë e ardhmja e demokratëve
Dje ka qenë një ditë e pazakontë në Partinë Demokratike. Trazimi duket se është në kulm, derisa Sali Berisha dhe pjesa tjetër e PD ndoqën dy rrugë të ndryshme për t’u futur në Kuvendin e Shqipërisë. Të enjten në darkë, Lulzim Basha njoftoi se kishte marrë vendimin më të vështirë të jetës. Të përjashtonte Sali Berishën nga grupi parlamentar, derisa ai të sqaronte çështjen e tij, që ka të bëjë me shpalljen non grata nga SHBA.
Prej 19 majit të këtij viti kur doli dekreti i Sekretarit të Shtetit, Blinken, PD-së dhe Lulzim Bashës i kërkohet në mënyrë konsistente nga përfaqësuesit e SHBA që ta përjashtojë Sali Berishën nga grupi parlamentar. Deri të enjten në darkë, Lulzim Basha nuk u shpreh asnjëherë për këtë që ishte çështja më e nxehtë e politikës. Sipas informacioneve që ka gazeta MAPO, kreu i PD është përpjekur gjatë gjithë kësaj kohe, në komunikim me Sali Berishën, me Ambasadën amerikane, për të gjetur një zgjidhje. Kur kjo është bërë e pamundur, ai ka marrë atë vendim të vështirë, “in extremis”, që deri tani asnjë kryetar prej partive të mëdha në vend, nuk ka qënë i detyruar ta ndërmarrë. Përjashtimin e themeluesit, liderit historik. Dhe vendimi i tillë ishte.
Padyshim se pas kësaj do të kishte lëvizje të forta tektonike në PD, dhe goditjet e para u ndjenë që të enjten në darkë. Sali Berisha e denoncoi këtë akt si të pamoral, jo statutor, dhe se për të ishte nul. Por dje, lideri historik ka shkuar edhe më larg, duke e akuzuar Lulzim Bashën se është në pazar me Edi Ramën dhe i shitur tek ai. Kreu i demokratëve ka heshtur. Ashtu siç besohet se do të bëjë edhe në ditët në vijim. Po si do të shkojë sezoni i ri politik, me Berishën në Kuvend, por të përjashtuar. Me Berishën që thotë se do të ndërmarrë çdo veprim për t’i kthyer PD-së, sovranitetin që sipas tij, e dorëzoi Lulzim Basha. Ka shumë pikëpyetje.
Por pas këtij akti të fortë, Lulzim Basha do të ketë nevojë për mbështetje, sidomos nga anëtarësia dhe partneri SHBA, për t’i bërë ballë lëvizjes që pritet të nisë lideri historik. Do të ngelet për t’u parë se si zhvillimet do të jenë. Duhet thënë se dje, ishte dita e parë e Lulzim Bashës në politikë, me Sali Berishën haptazi kundër dhe në sulm madje ndaj tij. Dita e parë që Berisha është në këtë pozicion do të jetë edhe për shumë të tjerë, edhe për mazhorancën.
Ai e ka sfiduar haptazi vendimin e Bashës dhe është shprehur se është dhe do të jetë anëtar i grupit parlamentar të PD. Në këtë ditë të pazakontë, ish-kryeministrin e kanë shoqëruar tre deputetë, Flamur Noka, Tritan Shehu dhe Edi Paloka.
Debati në grup/ Basha: Reeker nuk pranoi asnjë temë tjetër diskutimi
Por si erdhën deri këtu. Një ditë më parë në mbledhjen e grupit parlamentar që Basha mbajti menjëherë pas deklaratës ku bënte të ditur njoftimin për përjashtimin e zotit Berisha nga grupi parlamentar, ka dhënë një detaj jo pak të rëndësishëm. Sipas tij në takimin që ka zhvilluar me ndihmësekretarin e shtetit Philip Reeker, ky i fundit nuk ka pranuar asnjë temë tjetër bisedimesh përveç përjashtimit të Berishës nga radhët e grupit parlamentar. Gazeta Panorama ka zbardhur të plotë debatin, ku një pakicë deputetësh ka qenë kundër këtij vendimi, ama askush nuk ka përjashtuar faktin se pa një mbështetje të aleatit strategjik, është në kushtet e të pamundurës ardhja në pushtet
Debati i plotë
Lulzim Basha: Vendimi ndaj Berishës ka qenë vendimi më i vështirë për mua. Ju e dini shumë mirë marrëdhënien time ndër vite me Berishën. Kemi bërë disa arritje bashkë. Vendimi është marrë vetëm në të mirë të Partisë Demokratike. Unë nuk doja që të përçaja Partinë Demokratike, ndaj mora një vendim personal. Në këta dy muaj e gjysmë unë kam shfrytëzuar çdo resurs që kam në SHBA, bashkë me doktor Berishën, por nuk e zgjodhëm dot problemin. Po ju them diçka që kam Gazment Bardhin dhe Jorida Tabakun dëshmitarë. Kur ka ardhur Philip Rreker që më ka takuar në seli, ka ardhur vetëm me kërkesën për të përjashtuar Berishën dhe nuk pranonte asnjë negociatë.
Na është bërë i qartë vendimi i DASH për këtë. Ka më shumë detaje që nuk janë bërë publike për këtë çështje, por që nuk kam ndërmend t’i ndaj me askënd, por ky është vendimi më i duhur për Berishën dhe familjen e tij. Sot ishte afati i fundit, kur PD duhet të shprehej. Ky vendim ishte si në interesin e PD, edhe të Sali Berishës. Meqë ia premtova Sali Berishës, dua t’ju komunikoj se ky vendim nuk është i dakordësuar me të, pavarësisht përpjekjes sime për të arritur një dakordësi.
Bujar Leskaj: Ky është një vendim i gabuar. Kundërshtari ynë është Edi Rama dhe nuk duhet të shikojmë të gjejmë armiqtë brenda vetes. Ju jeni kryetari legjitim i Partisë Demokratike, por vendime të tilla duhet të jenë të konsultuara. Ne duhet të mbledhim forcat, t’i bashkojmë ato dhe jo të përçahemi. Vendimi që ke marrë e përçan Partinë Demokratike.
Jo vetëm me Berishën, po bëtë gabim edhe me largimet e tjera. Ju zhvilluat një garë brenda partisë me një program, platformë dhe jeni kryetari legjitim. Por vendimet e marra më pas duke përjashtuar edhe Presidentin Bujar Nishani janë të gabuara. Doktor Berisha e ka nisur betejën e tij dhe çështja e tij nuk e penalizonte marrëdhënien e PD-së me SHBA. Ne nuk duhet të pozicionohemi kundër SHBA, por nuk duhet të përçajmë PD
Flamur Noka: Ta thashë edhe në zyrë (me tone të larta). Ky vendim që ke marrë ti, nuk i sjell asgjë të mirë Partisë Demokratike. Ky vendim e përçanë Partinë Demokratike. Ne nuk mund të fshijmë historinë e PD-së. Të mos harrojmë kontributin e Berishës në vendosjen e marrëdhënieve me SHBA. Mbi vlerat amerikane u themelua PD, jetoi 30 vjet. Busulla ka qenë një dhe një, e Sali Berishës dhe PD, orientimi euroatlantik.
Në lidhje me vendimin e sekretarit Blinken, Berisha mbajti një qëndrim të vetin. Ka kërkuar që të mos përfshihej PD në betejën e tij. Por largimi i Berishës është mohim i historisë. Është të mohosh suksesin e kësaj force politike. Është vendim individual i PD-së. Mohimi i Sali Berishës është mohim i PD. Me këtë vendim, po i jepni PD goditje të rëndë. Po i jepni Ramës atë që ai ëndërronte. Vendimi duhet të shkojë për referendum në anëtarësi.
Tritan Shehu: Kam qenë kryetar i partisë, por të tilla vendime nuk duhet të merren nga 1 njeri, sepse vihet në dyshim ekzistenca e partisë. Këtë vendim nuk e merr dot ti, sepse PD ka forume. Ky është një gabim i madh për Partinë Demokratike. Nuk mund të marrësh ti vendime të tilla vetëm. Të kam marr në telefon dhe nuk ma ke hapur, të kam shkruar edhe mesazh, por sërish nuk më je përgjigjur. Nuk mund të marrësh vendime i vetëm.
Luciano Boci: Vendimi është i rëndë, por duhet të shohim çfarë të bëjmë nesër në kuptimin strategjik. Sepse vendimi mund të merrej jashtë partisë. Ta bënte KQZ dhe jo ne. Oerd Bylykbashi: Në zgjedhjet e 2013, ne humbëm zgjedhjet, por dolëm me kokën lart. Dolëm me kokën lart sepse në qeverisje kishim bërë shumë punë. Pikërisht kur në qeveri ishte Sali Berisha. Ndërkohë, ju keni marrë vetëm dy vendime personale: marrëveshja e 17 majit pas mbylljes së çadrës dhe vendimi për djegien e mandateve. Ndërkohë, tani edhe përjashtimin e Berishës.
Vendimi do të sjellë përçarje, jo vetëm horizontale, por dhe vertikale, nga lart-poshtë. Ne kemi marrë 622 mijë vota, por a na çon ky vendim te 750 mijë vota nesër, sepse do të ketë pasoja?
Albana Vokshi: Është vendim tronditës. Jam kundër vendimit, por mund ta kem subjektiv, për shkak të marrëdhënies që kam prej vitesh me Sali Berishën. Unë nuk jam e bindur si ju, zoti Kryetar, që vendimi është në interes të PD. Nga qindra mesazhet që kam marrë, më rezulton se është vendim i gabuar, pasi shumica e demokratëve janë kundër. Ju thatë që mbani barrën, por barrën duhet ta mbajmë të gjithë dhe vendimi të votohet në forume. Nëse ju dobësoheni, dobësohet partia, ndërsa ne si ekip punojmë për t’ju rritur ju. Ne duhet të shprehemi me votë sepse jemi parti e mendimit të lirë.
Dashnor Sula: Oerdi thotë që në 2013 ne dolëm kokën lart nga humbja. Por unë mendoj të kundërtën se dolëm të poshtëruar me një qeveri që ishte bërë simboli i hajdutit. Sa e do Lul Basha Sali Berishën, nuk e do asnjeri prej nesh. Besojini këtij burri për vendimin që ka marrë. Në qiell ne kemi Zotin, që nuk e njohim. Ndërsa në tokë Zoti dihet. Janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nuk mund të dalim kundër tyre.
Agron Gjekmarkaj. Duket që ka rënë rrufeja në Grup Parlamentar. Nga procedura demokratike, vendimi lë shumë për të dëshiruar, por nga ana morale është akt i fortë. Është i një lideri dhe na çliron ne nga pesha. Si do ta zgjidhim me SHBA është çështja, sepse pa atë nuk jetojmë. A duhet kryqëzuar Sali Berisha për këtë? (e la pa përgjigje)..
Enkelejd Alibeaj: Sot nuk është funeral. Nesër do të ndriçojë dielli përsëri. Nuk jam dakord me parafolësit që kundërshtojnë vendimin. Vendimi duhej marrë dhe duhej marrë vetëm nga kryetari. Ky është një moment historik për PD dhe për ju si kryetar. Do të duhet ta kapërdijmë këtë moment, dielli lind përsëri.
Kreshnik Collaku: Pse ta hedhim në votë? Asnjë nuk do ta votonte, kështu që le ta marrë peshën kryetari. Është një vendim vetëkryqëzues. Ne duhet t’u bëjmë presion Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të marrim dosjen që kanë për Sali Berishën.
Lulzim Basha: Nëse nuk do ta merrja këtë vendim, nuk do të kishim asnjë interlokutor dhe nuk do të kishim ku kërkonim transparencë.
Ambasada Amerikane: Presim të bashkëpunojmë ngushtë me kreun e PD-së
Si për të mbështetur informacion që Basha dha në mbledhjen e kryesisë, ka ardhur dhe reagimi i Ambasadës Amerikane. Ajo vlerëson marrëdhëniet e Amerikës me PD dhe thotë se pret me kënaqësi të punojmë më ngushtë se kurrë me Kryetarin Basha dhe Partinë Demokratike për të forcuar marrëdhëniet SHBA-Shqipëri.
Vendimi i vështirë i shpallur dje nga Kryetari Lulzim Basha meriton respekt. Ky vendim demonstron se, ashtu siç ndodhi 30 vjet më parë dhe në momente të tjera kritike në historinë e Shqipërisë, Partia Demokratike ka kurajën për t’u ndarë nga e shkuara me qëllim që të ndërtojë të ardhmen, për të ndihmuar që ta udhëheqë Shqipërinë përpara. Shtetet e Bashkuara kanë pasur një marrëdhënie të veçantë me Partinë Demokratike që nga themelimi i saj dhe presim me kënaqësi të punojmë më ngushtë se kurrë me Kryetarin Basha dhe Partinë Demokratike për të forcuar marrëdhëniet SHBA-Shqipëri”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Akuzat për Bashën, Berisha: Është Pazar Rama-Basha për zhdukjen e opozitarizmit
Një vendim jo i lehtë ishte ai i të enjtes për Lulzim Bashën. Mediat u njoftuan për një dalje të Kryetarit të PD-së Lulzim Basha i cili do bënte një njoftim të rëndësishëm. Askujt nuk i shkonte mendja se një ditë përpara nisjes së Parlamentit, Basha kish vendosur të përjashtonte nga grupi parlamentar ish-kryeministrin Sali Berisha. Që nga maji i këtij viti kur Departamenti i Shtetit mori vendimin për shpalljen non grata të liderit historik të PD-së, Basha kish mbajtur një qëndrim të profilit të ulët.
Shumëkush mendonte se ai nuk do e ndërmerrte këtë hap. Hija e rëndë e Sali Berishës në partinë që ai krijoi vetë shtrihet në thuajse çdo qelizë të saj. Vetë Basha është një prodhim i Sali Berishës, dhe ndoshta dita e djeshme ka qenë më e vështira në jetën e tij politike, që kur erdhi në vitin 2005. Basha u kujdes që të theksonte se ky ishte vendim i tij, pra jo vendim i forumeve. “Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të konkretizuar këtë qëndrim të vetë z. Berisha, kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të kësaj çështjeje në rrugë gjyqësore, z. Berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Kjo do të shmangte keqpërdorimin e çështjes nga kushdo, për të dëmtuar interesin e demokratëve dhe Partisë Demokratike, dhe do i hiqte alibinë cilitdo për të mbrojtur të keqen e vetme të Shqipërisë që është keqqeverisja dhe korrupsioni 8 vjeçar i Edi Ramës” do shprehej ndër të tjera Basha.
Menjëherë pas kësaj, do ishte vetë zoti Berisha që në një dalje televizive do shprehej se ishte i befasuar nga ky qëndrim.
Ish kryeministri tha para këtij vendimi Basha më parë duhej të kishte konsideruar dorëheqjen e tij. “Vendimi është një vendim jashtë çdo lloj norme statutore dhe ligji të vendit. Natyrisht një vendim të tillë, një njeri që respekton parimet më elementare të një force politike të lirë, nuk mund ta marrë. Unë e kuptoj presionin e jashtëzakonshëm që ai ka pasur, por pavarësisht nga presioni, mendoj se disa herë më parë, duhet të konsideronte dorëheqjen e tij, sesa të dorëzonte sovranitetin e PD” do shprehej ish-kryeministri.
Debati të nesërmen do të zhvendosej në ambientet e parlamentit. Ajo çka ra në sy ishte protesta e militantëve në oborrin e PD-së, teksa Basha po dilte së bashku me grupin parlamentar. Nga ana tjetër Berisha u prit me ovacione në oborrin e parlamentit teksa hodhi akuza të rënda për kryetarin e PD-së.
“Jam më i votuar se kurrë në jetën time për të mbrojtur interesin publik të qytetarëve shqiptarë. Për të mbrojtur interesin kombëtar të kombit shqiptar për të denoncuar të gjitha aferat e këtij regjimi, regjim i cili ka zgjedhur trillimin, kurthet, pazaret për eliminimin e opozitarëve shqiptarë. Se çfarë date është pakti, do ua lë juve dhe historianëve (përgjigjet Berisha kur pyetet se për çfarë pakti flitet). Garantoj se ajo që ndodhi është një marrëveshje Rama-Basha”, tha ai.
Vetë Basha, në orët e pasdites pas votimit të kryetares Lindita Nikolli, në prononcimin e tij për media do shprehej i keqardhur për situatën, por edhe për deklaratat e Berishës “Kam ndjekur me dhimbje të madhe reagimin e dr. Berishës, konsideratën për të cilin e kam shprehur, dhimbja që ndiej në nivel personal dhe njerëzor për vendimin është dyfishuar sot nga gjuha e zotit Berisha. Shpresoj dhe uroj që koha të jetë ilaçi më i mirë dhe të gjithë të fokusohemi tek armiku i vetëm që është regjimi i Edi Ramës. Shpreh keqardhjen e thellë që tezat e kundërshtarit të vetëm timin, e PD të Edi Ramës sot i kam të dëgjuar të artikuluara nga goja e një njeriu vlerësimin për kontributin e të cilit e kam thënë dje dhe e them edhe sot. Partia Demokratike nuk ka rrugë tjetër veçse e bashkuar për të prirur përpara për shqiptarët dhe Shqipërisë”, deklaroi Basha.