Me rastin e ditës ndërkombëtare të infermierëve, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu i drejtoi sot një mesazh falënderimi personelit shëndetësor.
Në një postim në Facebook, kreu i qeverisë zgjodhi një vepër të artistit britanik Banksy për të theksuar se kurrë më parë dita e infermjerëve nuk ka qenë kaq ndërkombëtare.
“Infermierët që kemi parë me sy të trishtuar, me vragat në fytyrë prej turneve të gjata si luftëtarët e pamposhtur me Covid-19, na mësuan se hero të bën sakrifica,” – shkroi kryeministri duke shprehur mirënjohje për çdo infermier në Shqipëri.
Gjithashtu në Facebook, ministrja Manastirliu theksoi se njësoi si në ditën e parë të epidemisë së COVID-19, personeli mjekësor është edhe sot “në vijën e parë të betejës”.
Ndryshe nga Kryeministri, ministrja kishte zgjedhur disa fotografi nga personeli shëndetësor duke e bërë edhe më konkrete falenderimin.
“Kam një mesazh falënderimi të përzemërt për secilin prej tyre, por edhe për çdo infermier të shërbimit shëndetësor,” – u shpreh Manastirliu.
Rreth 60 mjekë dhe infermierë u infektuan me COVID-19 dy muajt e shkuar teksa shërbenin në spitale, shumica e tyre kanë mundur të shërohen. Në këtë numër u bënë pjesë edhe tre nga anëtarët e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Skënder Brataj, Andi Koraqi dhe Mirela Cami.
12 maji, dita ndërkombëtare e infermierëve
Infermierët janë heronjtë e këtyre kohëve përballë krizës së shkaktuar nga COVID-19. Në të gjithë botën ata janë duke u përballur me mbingarkesë të punës dhe një situatë aspak të zakontë.
Dhe sot është dita e tyre: 12 maji është Dita Ndërkombëtare e Infermierëve, e cila përkujton ditëlindjen e Florence Nightingale, “infermierja e parë profesioniste”.
Nightingale u bë e njohur gjatë Luftës së Krimesë, teksa trajtonte ushtarët që vdisnin më shumë nga infeksionet sesa nga plagët e fushës së betejës.
Ajo u bë e njohur si “Zonja me Llambë”, pasi punonte gjatë të gjithë natës.
“Idetë e saj lidhur me dhembshurinë, për një kujdes më të mirë shëndetësor, kujdesi jo vetëm për ushtarët, por edhe gratë e tyre dhe familjet, kjo me të vërtetë vërtet solli ndryshimin”, thotë David Green, drejtor i muzeut të Flornece Nightingale.
Një muze në Londër paraqiti uniformën e saj të shekullit të 19-të si dhe artefakte të tjera. Nightingale përdori përvojën në Krime për të përmirësuar kushtet shëndetësore në Britani.
“Parimet mbeten të njëjta si ato të 200 viteve më parë, të cilat janë që duhet të lani duart dhe duhet të siguroheni që mjedisi ku punoni te jetë i pastër dhe i rregullt, dhe ajo çka është me rëndësi është hapësira midis pacientëve dhe nevoja për ajrosje brenda zonave klinike”, thotë Eileen Sills, kryeinfermiere te spitali “Guys and St Thomas’ NHS Foundation Trust”.
Emri i Nightingale është shënuar në shumë spitale përfshirë, dhe në spitalet e urgjencës të ndërtuara në MB për të përballuar krizën COVID-19.