Editorial

Ditë më të mira, jo vetëm për Bashën





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 21:45 - 29/05/20 |
Nga Gentian Gaba

Në fund fiton politika. Ky do të ishte epilogu më i përshtatshëm për të përmbledhur rrugëtimin e kreut të Partisë Demokratike në përballjen me Edi Ramën. Një rrugëtim që nisi kur motak në krye të opozitës, Basha u përball me mjetet parapolitike të kreut të PS-së.


Shumëkush mund ta ketë harruar origjinën e krizës së gjatë politike që po jetojmë, megjithatë duhet kujtuar se ajo nisi kur ai që sot citon Shekspirin, nxori djajtë nga ferri dhe i futi në Parlament dhe në bashki. Prej atij momenti ka pasur një turravrap për të përdorur çdo mjet, sidomos ato të paligjshme, për të mbajtur me çdo kusht pushtetin.


Kësodore u kanabizua Shqipëria, u kriminalizua policia, kriminelët u përdorën për fushatë dhe ‘Reforma në Drejtësi’ u shndërrua në një mjet për të konsoliduar pozitat e Edi Ramës.  Shtatë vite më vonë, pas një beteje të gjatë për të nxjerrë në pah të vërtetën mbi pushtetin e Ramës, dalja e Bashës në krah të ambasadores së re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në selinë e Partisë Demokratike, mori trajtat e një shpagimi për qëndresën e tij.


Nuk ishte kthimi në shtëpi i ‘djalit plëngprishës’, por pranimi nga ana e zyrtares amerikane e kursit politik të zgjedhur nga Basha, i cili pati vendosmërinë që me këmbëngulje t’i thoshte jo edhe partnerit strategjik, kur ky i fundit e lidhi fatin e ‘drejtësisë së re’ me politikanin që e trajtoi si ‘pëlhurën e Penelopës’, madje duke e shpallur veten dhe taborin e tij përtej ligjit, kur përsëriti në mënyrë djallëzore rikandidimin e elementëve me rekorde kriminale dhe brohoriste sfidues se ‘nuk ia përcaktonte Departamenti Amerikan i Shtetit miqësitë’.


Me rreshtimin e të martës zonja Kim zgjodhi t’iu bëjë të ditur shqiptarëve se pazarxhiun hilacak të reformës, nuk duhet ta kërkojmë te politikani që kishte në krah, por tek ai që, me ujin e ‘Venecias’ deri në grykë, sjelljet i ka alla frënga, por bashkë me asqerët e tij, vepron si turkoshak. Ndërsa Basha, në dukje i vetëdijshëm për kthesën që përbënte ai çast, kishte pamjen e atij që sheh të kompletuar një ‘puzzle’ që shumë pak e kuptonin gjatë thurjes së tij.

Sigurisht iu desh kohë, sakrifica të mëdha të anëtarëve të partisë që drejton dhe përballje me armiqësi të shumta. Veçse të shohësh objektivin, kur të tjerët humbasin në ‘mjegullën e luftës’, është kryqi që duhet të mbajë politikani që ka ambicien për ta drejtuar këtë vend.

Kësodore beteja për dekriminalizimin, për largimin e ministrave të lidhur me trafikun e drogës, për një drejtësi të pavarur, djegia e mandateve, protestat për zgjedhje të lira dhe votimeve njëpartiake kulmuan në një ndërgjegjësim kombëtar dhe ndërkombëtar për situatën reale në të cilën ndodhet vendi ynë.
Një rrugëtim që sot duket i kollajtë, pasi brenda dhe jashtë vendit ‘mbretin e shohin lakuriq’, por asnjëherë nuk ka qenë i tillë.

Energjitë që do të duheshin për t’u marrë me alternativën, për të folur për ekonomi dhe zhvillim, u kanalizuan drejt betejës me një kundërshtar që, duke qenë eksponenti i fundit i tranzicionit, mbart edhe gjithë antivlerat e tij. Të cilat, nga arbitrariteti, përbuzja ndaj konsensusit, kapja e të gjitha pushteteve (nga i pari tek i katërti), i çoi në oktavën më të lartë.

Duke arritur deri tek orkestrimi i krizave, që me përshkallëzimin e tyre shpeshherë e çuan vendin në zgrip të instabilitetit social dhe politik (rasti i Teatrit Kombëtar më i fundit), veç për hesap të mbijetesës së tij politike.

Por, për të cituar ambasadoren Kim, kjo është e shkuara.  E tashmja, si shtegu drejt së ardhmes, imponon ndjekjen e rrugëtimit të përcaktuar nga partnerët ndërkombëtarë, të kristalizuar në 15 kushtet.
Implementimi i tyre, i vonuar nga dy fatkeqësi natyrore, kërkon një konsensus të sforcuar dhe të diktuar nga jashtë. Ky ‘mirëkuptim’, që në mënyrë tinëzare etiketohet si një marrëveshje okulte (jo rastësisht profkatarët për një të tillë bëhen më të fortë kur kreu i PS-së është në ditë të zeza), është tashmë e vetmja rrugë që çon drejt zgjidhjes së krizës të tejzgjatur dhe mandej, drejt zgjedhjeve.

Pas tyre, një parlament sërishmi pluralist, do të kishte kohën, por edhe legjitimitetin, për të nisur një debat gjithëpërfshirës mbi rregullat e lojës dhe ndryshimet kushtetuese të nevojshme për t’i dhënë vendit një kornizë politike të diktuar nga vullneti i qytetarëve që do ta shprehin me votën e tyre të lirë.

Anipse opozita ka shprehur publikisht një vullnet për të ndryshuar sistemin zgjedhor, parlamenti aktual, i cunguar dhe ndyracak, sikurse tregoi gazeta gjermane Bild, i jep pa të drejtë një rëndesë negociuese nxitësit të kaosit. Prandaj, detyra e tij e fundit, duhet të jetë vetëm një dhe pesëmbëdhjetë: Zbatimi i kushteve.

Në këtë periudhë toksike për politikën, kur shenja e barazimit midis palëve vendoset me lehtësi kalamendëse, disa mund ta kanë të vështirë të pranojnë se koha dhe partnerët ndërkombëtarë po i japin të drejtë kreut të opozitës.

I cili, me akte të forta dhe të paprecedenta, po krijon kushtet për një ndryshim që nuk mund të përkojë vetëm me ikjen e Ramës, por me rikthimin e shtetit ligjor dhe normalitetit të munguar. Dhe këto, do të jenë ‘ditë më të mira’, jo vetëm për Bashën.


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas