fbpx

Mapo Letrare

Ditëlindja e një teatri profesionist…





               Publikuar në : 19:15 - 16/11/19 |
Xhahid Bushati

Xhahid Bushati


-Shënime dhe kujtime për jetëshkrimin e librit “Teatri “Migjeni”, kujtesa e një qyteti” të autorit Xhahid Bushati, botimet ALBAS, Tiranë 2019-



Kisha vite që mendoja të trokisja në portën e Teatrit të vendlindjes sime. Sikur s’kisha guxim. Peshën e përgjegjësisë sikur nuk e mbanin supet e mia. Megjithë këto dilema dhe pikëpyetje, këmbëngula në rrugën time, që ia kisha premtuar vetes.


… një ditë hyra, por jo si spektator. Hyra me një magnetofon, një bllok të bardhë, një laps e një gomë. Shtysë u bë puna ime si gazetar dhe realizimi i emisionit në Radio Shkodra i titulluar: “Nga skena te mikrofoni”.

Në projektet e mia të punës krijuese, Teatri “Migjeni” më shfaqej si një tempull i shenjtë, magjik e plot mistere; ku nëpër vite më thërriste tradita e pasur, e vyer, si një enciklopedi e rrallë e grupeve dhe e shoqërive teatrore. Që nga loja e gazit e deri te drama, mbetën të skalitura në skenë qindra e qindra personazhe e karaktere që nga figuranti e deri te heroi kryesor, ndritën e shkëlqyen copëza jete. E gjitha kjo pasuri i pati pikënisjet me tekstin e parë dramatik të titulluar “Nata e Këshëndellave” (Leonardo De Martino, viti 1880, vënë në skenë në Shkodër) e më pas ai i Pashko Babit “Biri i çifutit”, shfaqur nga Kolegji Saverian në vitin 1882, në Shkodër.

Është një Epos teatror që gjithkush e ka lakmi. E që ky Epos të mos mbetet i verbër si Homeri, që skenën të mos e mbulojë sipari heshtjes, që mugëtirat e shekujve dhe indiferenca e harrimit të mos mbulojnë biografinë artistike të aktorëve të qytetit tim, mendova se përpjekja ime, në fund të fundit, të jetë një rreze drite për të nderuar gjithë gjeneratat, që me talentin e tyre kontribuan në ngritjen e themeleve dhe të vazhdimësisë të asaj godine që e quaj Epos Teatror. Kështu, pas 31 e më shumë vite pune, po sjell një pjesë të kësaj madhështie, në ditëlindjen e 70-të të Teatrit “Migjeni”.

Ata, me interpretimet e tyre, i dhanë dritë skenës. Ndërsa teatrit i falën jetë. Ndaj, ky libër është edhe një detyrim qytetar për Shkodrën time, që Migjeni i Madh e i pavdekshëm e quante: … dashnorja… e liqenit andërrtar.

Një sprovë e tillë për të realizuar tipologjinë e këtij libri nuk ka qenë e lehtë, aq më shumë kur nuk je studiues i mirëfilltë i artit skenik. Sidoqoftë, edhe një rrëkezë e vogël i jep jetë një luleje.

Për ndërtimin e profilit të këtij libri, trokita në porta të njohura e të harruara të arkivave e të jetës së aktorëve, të familjarëve, të miqve të tyre e të dashamirësve të shumtë… Gatishmëria e tyre, ka si përgjigje falënderimet e mia, të cilat janë të pafund.

Diku mblodha një datë, diku një histori, diku një rrëfim, diku një kujtim, diku një batutë, diku një afishe shfaqjeje, diku detaje nga jeta e aktorit, diku duartrokitje, diku buzëqeshje… Mblodha jetë dhe ëndrra të shuara e të pashuara. Mblodha dëshmi. Dëshmia përmes rrëfimit të aktorit mbetet autentikja e librit tim. Dëshmia – gur i paçmuar! I flet kohës e do t’i flasë kohës.

E di, që aktorëve të qytetit tim, u kam mbetur borxh. Shpresoj se, të tjerë studiues do të trokasin në portën e teatrit për të vazhduar, pasuruar e thelluar shënimet dhe dëshmitë e mia. Ata studiues që do të kalojnë kësaj udhe, me siguri, do të më përshëndesin. Unë, si përgjigje të kësaj përshëndetjeje, me shumë dashamirësi, do t’u them një shprehje të Zhan Pol Sartrit, i cili thotë: “Liria për të shkruar përmban lirinë e qytetarit. Kështu në një mënyrë a në një tjetër kemi ardhur deri këtu: cilatdo qofshin opinionet, letërsia iu hedh në beteja. Të shkruarit është një lloj mënyre e të dashurit të lirisë, me hir ose me pahir ju jeni angazhuar.”

Në çdo faqe të librin tim kanë folur aktorë e regjisorë përmes tekstit e fotografisë. E, nëpër vite aktorë do të flasin përsëri… sepse kujtesa e këtij teatri rrezaton e dritëson hijshëm në panteonin e artit shqiptar. Ndaj, në faqet e librit do të gjeni: -Biografi, interpretime, role, intervista, kujtime, biseda, dëshmi, dorëshkrime, ditarë, letra, arkiv…etj., etj.

Gjithnjë kam menduar se skena e një teatri i ngjan një përmendoreje. Në rastin konkret skena e kthyer në përmendore, lidhet me identitetin e qytetit tim, Shkodrës.

Kjo përmendore është ngritur me fuqinë dhe rrezatimin e talentit njerëzor. Çdo kush duhet të dërgojë një tufë lulesh në shenjë mirënjohjeje e dashurie për aktorët e paharruar shkodranë.

Shkodër, nëntor 2019


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas