Nga Kristaq Xharo*
U deshën gati 50 vjet pas injorimit nga Kongresi i Berlinit (1878) që çështja shqiptare të hynte në agjendën diplomatike të Fuqive të Mëdha në 1913, në Londër dhe pak më shumë se 100 vite të tjera (2018) Fuqitë e Mëdha në agjendën e tyre, çështjen shqiptare. Në të njëjtën kohë, në Këshillin e Sigurimit të OKB në Nju Jork dhe në Bashkimin Europian në Bruksel rendi i ditës ishin shqiptarët. Më të fuqishmit e botës ‘ndalën’ agjendat për të dëgjuar e diskutuar për shqiptarët. Ndryshe nga më parë këto ngjarje dallonin veç të tjerash për dy elemente mjaft të rëndësishme. Së pari, çështja shqiptare më në fund përfaqësohej nga vetë shqiptarët. Përfaqësuesit më të lartë të shtetit të Kosovës ndodheshin në tavolinën e bisedimeve si plotësisht të barabartë. Nuk dihet koha e saktë kur Kosova do të jetë anëtare ‘de jure’ e OKB, por fakti që Kosova ndodhej me të gjitha atributet e shtetit shënon ‘de facto’ pjesëmarrjen në këtë organizatë globale. Së dyti, shqiptarët kishin në anën e tyre më të fuqishmit e globit. Tre nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit (SHBA, Britani e Francë) dhe nëntë nga të 15 anëtarët e Këshillit mbështetën çështjen e Kosovës që përballej me qeverinë e Kosovës. Nuk ndryshonte shumë edhe përballja në Bruksel.
Përse e gjithë kjo furtunë? Është në strategjinë madhore të shtetit serb, se suksesi i Serbisë lidhet domosdoshmërisht me luftën për dobësimin e fqinjëve, veçanërisht të shqiptarëve. Pavarësisht nga forma e shtetit, dhe koha, të gjitha elitat drejtuese në Serbi kanë modeluar sjelljen taktike, por asnjëherë nuk kanë ndryshuar objektivat strategjikë. Presioni nga jashtë i koordinuar me dobësimin e brendshëm kanë qenë tipar konstant i strategjisë. Në çdo kohë, historia sjell argumente. Interesante mbetet që shqiptarët vazhdimisht kanë besuar te ndryshimi i qëndrimeve serbe dhe në mungesë të një strategjie madhore, në çdo kohë janë zhgënjyer dhe e kanë pësuar. Veprimet e vendosura të Kosovës në kontekstin e konsolidimit të shtetit ranë si kambanë alarmi në Serbi. Ngritja e ushtrisë dhe e tarifave në Kosovë, iu krijoi bindjen se po goditeshin edhe politikisht, por edhe nga ana ekonomike. Duke e patur të pamundur të pranuarin e idesë së të barabartit me fqinjët, serbët nxituan të kërcënonin ushtarakisht, por edhe të ndiznin makinerinë e tyre diplomatike. E ngritur mbi idenë e rrezikut rajonal, qeveria serbe shpresoj se do të krijonte aleancat e nevojshme për të bllokuar dhe izoluar Kosovën.
Kë rrezikon ushtria e Kosovës? Qeveria serbe asnjëherë nuk mendoi të shpjegonte rrezikun që mbart ushtria kosovare me rreth 5 000 trupa aktivë dhe 3 000 rezerviste, në prishje balance apo disekuilibër forcash në rajonin tonë. Për më tepër një forcë që do të përfundojë tranzicionin për 10 vitet e ardhme, e hapur për rekrutë nga pakicat serbe dhe nën monitorimin e Fuqive të Mëdha. Ajo nuk mund të jetë asgjë më shumë se një forcë mbrojtëse. Përballë shifrave dhe transparencës ajo e kish të pamundur të gjente argumente. Çdo analist jo vetëm ushtarak që në përmendjen e rrezikut llogarit raportet e fuqisë: ekonomike, ushtarake, diplomatike. Meqenëse rreziku vlerësohej ushtarak nga raporti i forcave dallohet që ushtria serbe ka 8 herë më shumë forca aktive, 15 herë më shumë forca rezerviste, supremaci në mjete të blinduara, në sisteme artilerie dhe sisteme raketash. Kosova po krijon forcë të mirëfilltë mbrojtëse ndërsa Serbia zotëron potenciale për agresion.
Nga kush prishet paqja në rajon? Paqja nuk prishet nga ushtria modeste e Kosovës, por nga mentaliteti dhe hapat që Serbia merr për militarizim. Të gjithë e dinë kthimin ngadhënjimtar të presidentit Vuçiç nga Rusia me ‘dhuratat’ që solli prej andej. Në prag të vitit të ri, ato nuk ishin lodra për fëmijët serbë apo ato të rajonit, por avionë bombardues, sisteme raketash dhe mjete moderne të blinduara. Edhe pse të deklaruara ‘për mbrojtje’ ato janë armë agresioni. Çuditërisht europianët dehen me fjalët e Vuçiç e askush nuk sheh mënyrë si ai vepron edhe kur qeveria serbe shprehet se ka ushtrinë më të fortë në rajon dhe nuk do të nguroj ta përdorë për të ‘mbrojtur interesat serbë’.
Shteti serb zotëron kapacitete të rrezikshme dhe në çdo kohë ka ndezur zjarre në rajon. Të gjithë në Ballkan janë të vetëdijshëm se rreziku në rajon nuk ka ardhur asnjëherë nga shqiptarët, pavarësisht edhe nga takimi e deklarimet e tyre më të fundit në Beograd. Historikisht, të paktën që në kohën e njohjes së shtetit serb (1878) është vështirë të gjendet ndonjë rast që forca shqiptare, të kenë kaluar në territorin serb. Në të kundërt, ushtritë serbe, dhe të fqinjëve të tjerë ballkanikë instrumente të megalomanisë ekspansioniste kanë shkelur, shkatërruar dhe djegur trojet shqiptare. Forcat serbe e kanë mjaft problem për të dalluar e respektuar kufijtë e fqinjëve. Që nga periudha e krijimit të shtetit shqiptar, luftërat më të mëdha ushtritë serbe i kanë zhvilluar në territore shqiptare duke luftuar kundër shqiptarëve apo edhe të tjerëve në territore shqiptare. Është për tu respektuar tradita serbe që nuk kërkojnë ngritje të memorialëve apo dhe varreza për të rënët e tyre në shtetet jashtë Serbisë. Shekulli i 20-të sipas Erik Hobsbaum ishte i shkurtër në memorien e popujve dhe mbaroi atje ku filloi dhe në mënyrë ironike me të njëjtët aktorë. Ata që i nisën luftërat e shekullit fatkeqësisht ata u ndodhën në tavolinën e të ndëshkuarve edhe pas 100 viteve.
Duke u rikthyer atje ku u nis. Këto ditë diplomacia botërore ‘foli shqip’ edhe shqiptarët folën me gjuhën e diplomacisë. Për të gjithë është e qartë se interesat jetike të kombit, sovraniteti nuk mbrohet as rapsodë e as me ultimatume por me kombinimin e fuqisë së butë (diplomacisë) me fuqinë e fortë (fuqinë e shtetit e kombit). Shqiptarët patën shansin të njohin aleatët e vërtetë t’i vlerësojnë dhe respektojnë. Në mënyrë ironike, ashtu si dy muaj më parë, mësimi që mori në Nju Jork, Beogradi reflektoj duke rikërkuar aleatët e tij të vjetër ballkanikë, në Beograd. Janë të njëjtët si para 100 viteve… të paktën nga deklaratat…qofshim të gabuar.
Për analistët dhe studiuesit ‘ditët që folën shqip’ në diplomacinë botërore ndoshta do të jenë raste studimi veçanërisht në Marrëdhëniet ndërkombëtare, teorinë e konflikteve dhe vetë teorinë e negociatave. Shqiptarët kanë nevojë të kalojnë nga stadi i diplomacisë autodidakte dhe intuitive në arsimimin dhe kulturimin e diplomacisë. Studimi i marrëdhënieve ndërkombëtare nuk është ‘arti i brezit të humbur’ , por është nevojë imediate dhe e perspektivës. Është një fushë që ndodhet jo jashtë dhe lart të përditshmes, por në çdo kohë dhe aspekt. Që nga çështja më e thjeshtë e deri në ato strategjike nuk mund të shmangin ndikimin e aktorëve ndërkombëtarë të aleatëve apo kundërshtarëve. Është vërtetuar tërësisht ajo që thotë diplomati, politologu dhe një nga drejtuesit më të shquar të organizatave ndërkombëtare Havier Solana se “…t’i brendashkruhesh një koncepti të ngushtë të sovranitetit vestfalian në këtë botë, është një anakronizëm i pamenduar në rastin më të mirë, dhe një bast i rrezikshëm, në më të keqin…”. Kosova e fitoi betejën, por ‘lufta’ vazhdon…
Prolog: Çuditërisht jehona e këtyre ngjarjeve nuk arriti deri në Tiranë, ku çështjet e ditës arrijnë të mbulojnë edhe ngjarje që ndodhin njëherë në 100 vite. Me keqardhje, duket se kjo simfoni ‘spontane’ fillon që në korrik 1992 e përsëritet në çdo herë që kombi ka nevojë për kohezion. Pavarësisht se si (nuk) i përcollën ngjarjet e fundit në Tiranë, ajo që ndodhi në tryezat më të rëndësishme të diplomacisë botërore iu bën nder shqiptarëve…
*Prof. dr. Kristaq Xharo: Pedagog i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në UET