Kryesore

Ditët vendimtare, zgjidhje apo kaos?





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:51 - 28/05/19 |
mapo.al

Ditët e ethshme të vendit. Dialog me marrëveshje politike, apo tension deri në ditët e fundit?! Zgjedhjet Parlamentare në BE, largojnë gjithnjë e më shumë faktorin ndërkombëtar për t’u paraqitur si gjithnjë si “palë e tretë” që paqton politikën tonë në momente të vështira. Zërat se kanë nisur negociatat mes palëve dhe kartat e fundit për të mos shkuar në krizë të plotë.


Nga Sebi Alla



Vetëm koha nuk është më në favor të tyre, edhe nëse do të donin ta kthenin pas. Janë ditët vendimtare për një zgjidhje të mundshme të lëmshit politik, nga ku varen edhe fatet e vendit. Rreziku për përplasje edhe më të forta është i pranishëm, duke ecur paralel edhe me shpresën nga më optimistët se në çastet e fundit mund të shkohet drejt një zgjidhje. E dukshmja e lexuar ftohtë, pa nënkuptime, është se kryeministri Edi Rama nuk tërhiqet, duke e bërë të qartë në letrat e tij se zgjedhjet lokale do zhvillohen më 30 qershor, me apo pa opozitën dhe ato të përgjithshme në vitin 2021. Nga ana tjetër, kryedemokrati Lulzim Basha është po aq i qartë në tri kërkesat; largim të kryeministrit Rama, krijimin e një qeverie kalimtare dhe mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme. Të dy palët janë në llogoret e tyre dhe shpresa se do vijë një i tretë “i paanshëm” për t’i paqtuar kanë nisur të veniten, të paktën tani për tani, ende pa u trashur dëmi. Faktori ndërkombëtar, veçanërisht ai Europian, ka probleme shumë herë më të thella se telashet e mëdha që sjell gjithnjë vendi i vogël si Shqipëria. BE është ende nën traumën dhe festën e zhgënjimit nga zgjedhjet në Parlamentin Europian, ku krahas Partive Popullore Europiane që triumfuan, kanë ngritur krye edhe forca të ekstremit që janë më sovranistë dhe larg bashkësisë nën ombrellën e Brukselit. Prej kohësh ndërkombëtarët janë distancuar duke u shprehur qartë se: “çështjet e brendshme duhet t’i zgjidhin vetë shqiptarët”. Kjo do ishte një rast për të shënjuar në 28 vite tranzicion të stërzgjatur, por faktet kanë treguar se gjithnjë ka patur një palë të tretë që ul me dhe pa dëshirë palët politike në dialog. A do ndodhë edhe këtë herë? E sigurt është që edhe Europës me “halle shumë” nuk i intereson një konflikt politik dhe civil në Shqipëri. Deri atëherë, politika jonë është e dënuar për të shkuar drejt një zgjidhje krize, gjithnjë nëse do i thërrasin arsyes për të kuptuar realitetin e zymtë që po kalon vendi. Disa shenja edhe mund të shihen. Një fjalor më i moderuar i kryeopozitarit në protestën masive, por fort të paqtë të 25 majit. Gjithashtu, edhe shtyrja e datës së protestës nga opozita nga 31 maji për më 2 qershor, mund të shihet edhe si formë për t’iu dhënë më shumë mundësi negociatave për zgjidhjen e krizës me marrëveshje politike.


A po tentohet zgjidhja jashtë transparencës?

Analisti Fatos Lubonja nuk e përjashton ndërhyrjen ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. I ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24, Lubonja komentoi edhe letrat e njëpasnjëshme të kryeministrit Edi Rama për liderin e opozitës Lulzim Basha. Sipas tij, Rama nuk e fton Bashën për të zgjidhur krizën, por për ta ngatërruar edhe më shumë situatën. Ftesa e Ramës tha Lubonja është si dialogu i ujkut me delen. “Këto letra i duhen thjesht për fasadë, për të vënë fasadën e grisur të kësaj krize që ka krijuar, të kapur nga mafia dhe oligarkia ku nuk ekzistojnë institucionet, ku nuk funksionin ekonomia dhe as mediat. Në këto kushte i thotë hajde këtu, ulu në tryezë të të ha unë. Nuk i thotë eja ulemi për të zgjidhur krizën. Kampioni i krizës është Edi Rama. E vetmja mënyrë e opozitës është jo vetëm të protestojë, por të përfaqësojë të papërfaqësuarit. Gjithçka ndodh e shoh si dialogun e ujkut me delen”– thotë ai. Sipas Lubonjës, opozita e ka tërhequr vëmendjen por bota nuk i ka sytë te Shqipëria vazhdimisht. “Nuk duhet të harrojmë se me mbarimin e zgjedhjeve në Europë që morën rrjedhë jo shumë në favor të atyre që mbështesin hyrjen e shpejtë të Shqipërisë në BE, në këtë rast duhet marrë si e panjohur se deri ku do ndërhyjnë ndërkombëtarët për të zgjidhur krizën. Këtu ka një luftë nervash dhe një luftë blofesh, por kartat më të forta edhe në këtë poker i ka ai që ka pushtetin, Edi Rama. Ky i fundit i do zgjedhjet me opozitën, për shkak të imazhit. E do delen të ulet aty dhe ta hajë. Më mirë nuk duhet hyrë në këto zgjedhje. Të vazhdohet me denoncimet”– shprehet Lubonja. Nga ana tjetër, analisti Artur Zheji shkon përtej dilemës a do zgjidhet apo jo ngërçi politik, pasi sipas tij, tashmë bisedimet kanë nisur dhe palët janë shumë pranë një marrëveshjeje. “Forcat politike po presin negociatat dhe shtyrja e protestës, më 2 qershor, është një dëshmi e fortë e negociatës që po zhvillohet midis Partisë Demokratike. Disa takime, ku zonja Kryemadhi ka bërë me Bashën, thotë që janë update (informacion i përditësuar) minutë pas minute midis palëve, të një negociate të ethshme që po zhvillohet nëpërmjet palëve për të arritur në një zgjidhje të pëlqyeshme nga të gjitha palët dhe të pranueshme prej tyre. Sigurisht që mund të them se është opozita ajo që është bërë palë për zgjidhjen e krizës nga mazhoranca. Kemi të bëjmë me një zbythje reale të Ramës”, u shpreh Zheji. Përtej “sovranistëve” se problemet tona i zgjidhim vetë, (çka deri më tani nuk është realizuar, pa ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtarë), në Europë ka realist. Të tillë mund të quhen përfaqësuesit politik të CDU–CSU-së gjermane që jo vetëm bënë thirrje për dialog, por u shprehën edhe për modalitete, duke mos përjashtuar asnjë kërkesë të opozitës, përfshi shtyrjen e zgjedhjeve të 30 qershorit, apo edhe dorëheqjen e mundshme të kryeministrit Rama.

Presidenti, një kartë që mund të hidhet në lojë

Kreu i shtetit Ilir Meta ka tentuar të jetë aktiv në ditët e fundit, duke kërkuar zgjidhje politike sa më të shpejtë. Gjithashtu, po futet në lojë edhe Kushtetuta. Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i bën thirrje presidentit të Republikës, Ilir Meta që të nisë procesin për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, të dekretuara për në 30 qershor. Me anë të një postimi në Facebook, Manjani shprehet se në situatën në të cilën ndodhet vendi, është në të drejtën Kushtetuese dhe ligjore, që Presidenti ta shtyjë datën e zgjedhjeve. Në rast se kjo do të ndodhte, atëherë ndoshta Rama për herë të parë do të donte që vendi të kishte një Gjykatë Kushtetuese, e cila sot nuk ekziston. Nisma hipotetike e Metës për të shtyrë datën e zgjedhjeve do ngrinte pikëpyetjen e madhe: A ka të drejtë kreu i shtetit të shtyjë zgjedhjet, ku po nëpërmjet dekretit të tij i ka caktuar sikurse e parashikon Kodi Zgjedhor? Gjithashtu Parlamenti nuk është me 140 deputetë siç e parashikon Kushtetuta, por ka mbetur me 122, duke përfunduar të gjithë listën pas djegies së mandateve të opozitës. Kjo është hedhur në tregun analitik dhe politik, që kreu i shtetit ka të drejtën për të shpërndarë parlamentin aktual pasi nuk plotësohen 140 deputetë sikurse parashikohet në Kushtetutën e vendit. Të gjitha opsionet mbesin në lojë, duke përfshirë edhe fatalitetin, por ditët e fundit dhe në vijim duket sikur ka më shumë shenja për një zgjidhje të mundshme politike.

 


Etiketa: , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas