Rama kërkon të vulosë me ligj modelin e dosjes 339 në zgjedhje
Edi Rama, po kërkon me çdo kusht të imponojë modelin e zgjedhjeve të 2017-ës në zgjedhjet e ardhshme, pra moslejimin e koalicioneve dhe lista të mbyllura. Në rast se atëherë përdori marrëveshjen e 17 majit, të cilën e shkeli më pas duke përdorur bandat, siç doli në përgjimet e dosjes 339, sot po përdor forcën e kartonit në parlament dhe disa opozitarë të stisur për t’a imponuar me ligj, duke treguar se është shkelës recidivist i fjalës së dhënë.
Gazeta MAPO në disa numra rresht duke vëzhguar sjelljen e elektoratit në tre zgjedhjet, dhe ka dalë në përfundimin se përpara opozitës së bashkuar, Rilindja s’ka asnjë shans të fitojë. Kështu do kishte ndodhur dhe në vitin 2017, kështu do kishte ndodhur dhe në vitin 2013 ku Rama as me dylbi nuk do mund ta shihte pushtetin pa votat e LSI-së, madje rrezikonte që edhe Erjon Veliaj të mos ishte kryetar Bashkie, në rast se opozita do kish hyrë në zgjedhjet lokale të vitit 2019. Motoja “divide et impera” (Lat. përça e sundo), si në vitin 2017 s’kishte gjasa që t’i funksiononte dhe në vitin 2021.
Atëherë si kartë të fundit i mbeti forca e kartonit, duke përfituar dhe nga mungesa e opozitës në parlament. Sot Rama, me atë parlament të cunguar e për turp që nuk lë rast pa e quajtur sovran, masakron kushtetutën, harton ligje hileqare shkel të drejtat civile, me qëllimin e vetëm për të ruajtur pushtetin e tij personal dhe të atyre që e rrethojnë. Por a do i funksionojë më rrengu i 2017-ës ? A ja vlen gjithë kjo rrekje e tij që po na kushton jo pak që nga cënimi ekstrem i demokracisë deri në acarim të marrdhënieve me partnerët? A do mundet ai, që për hir të elektoratit të rreshtit, nostalgjikëve, të ndryshojë imazhin e errët që po i jep vendit?
Opozita deri më tani po qëndron jo keq, dhe pavarësisht kundërshtive të saj, sërish i duhet të bëjë hesapet e veta elektorale. Mënyrat dhe teknikat, që lumi i votave të pakënaqësisë të shkojë atje ku duhet dhe mos humbasë mandate siç ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara. Rama ka treguar dhe më parë, se përpara interesave të tij, Elisës, Taulantit apo Beqjes nuk pyet shumë për interesat e vendit aq më pak të atyre që e votojnë symbyllurazi. Opozita duhet të bindë të lëkundurit se Rama nuk është e keqja më e vogël, siç mundohet ta paraqesë zyra e propagandës, por e keqja më e madhe që pas rënies së diktaturës.