Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vizitoi sot Divjakën, e cila ishte e boshatisur nga pushuesit.
Në një nga resortet më të bukura të zonës, “Divjaka Resort”, administratori tregoi se punon me gjysmën e stafit, për shkak të mungesës së turistëve.
“Në kohë normale janë rreth 70 të punësuar. Tani punojmë me staf të reduktuar, me 50% pothuajse. Ky resort ka rreth 75 dhoma, të cilat, në vitin e kaluar, që nga periudha e Prillit deri në Tetor, pothuajse, kanë qenë të rezervuara, kurse në këtë moment që po flasim janë zero rezervime”.
Në Resort nuk kishte asnjë klient, megjithëse ai është i pajisur me ambiente sipas standardeve europiane, me pishinë, prodhon perime bio, dhe furnizohet me prodhime të freskëta deti.
“Këtij resorti nuk i mungon asgjë, i mungojnë vetëm turistët. Shqipëria është një nga vendet e pakta në Ballkan që është vendosur në listën e kuqe të Bashkimit Europian për të paktën deri më 15 Korrik dhe gjasat janë, sipas një bisede që pata me disa përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian, gjatë një darke zyrtare, edhe gjatë gjithë muaji Korrik, Shqipëria do të mbetet, zonë e kuqe, zonë e rrezikut. Kjo për arsyen e thjeshtë se ndryshe nga pjesa dërrmuese e vendeve të tjera, ku infeksionet po bien, në Shqipëri infeksionet po rriten. Një nga degët kryesore të ekonomisë që e vuan në mënyrë të drejtpërdrejt izolimin e Shqipërisë, mbylljen e kufijve dhe, për rezultat, anullimin e prenotimeve, është turizmi. Ky është lajmi i parë i keq.
Lajmi tjetër i keq është që Divjaka, resortet e Divjakës në hotelet e Divjakës në restorantet turistike të Divjakës, si kudo tjetër në Shqipëri nuk është parë asnjë ndihmë sinjifikative për ta nxjerrë këtë industri, që është një e katërta e ekonomisë shqiptare, nga kriza e thellë që e ka pllakosur. Kjo ka një impakt të drejtpërdrejtë, ka një impakt natyrisht tek sipërmarrja, por sipërmarrja në një situatë të tillë siç e pamë edhe para dy ditësh edhe në Golem, siç e dëgjuat edhe dje, nga tryeza e përfaqësuesve të shoqatave të ndryshme të sektorit të turizmit, është e detyruar pastaj ta shfryjë këtë tek punëmarrësit, të punësuarit”– u shpreh Basha.
Administratori i resortit në Divjakë theksoi se nëse situata do të vazhdojë me këtë ritëm, pa asnjë mbështetje, është e vështirë të mbahen punonjësit aktualë.
“Problematika kryesore e jona është për faktin që mbyllja e kufijve ka sjellë edhe reduktimin e madh të klientëve, sepse ne punojmë me 90% të klientëve që vijnë nga jashtë. Një përqindje shumë e vogël janë klientë nga Shqipëria. Në një situatë të tillë është shteti ai i cili mund të ndihmojë. Nuk kërkojmë as të na falë asgjë, thjesht të ndihmojë për taksat, të cilat çdo vit vijnë edhe më të larta. Shlyerja e detyrimeve vazhdon sikur s’ka ndodhur asgjë”- theksoi administratori i hotelit.
Komunikimi i plotë i kreut të PD
“Pra, jo vetëm që nuk ka asnjë ndihmë, por edhe këto kohë të vështirë ekonomike, e vetmja gjë që vazhdon si më parë, është mbledhja e taksave, mbledhja e tatimeve, mbledhja e faturave, pavarësisht premtimeve të përsëritura se do të kishte shtyrje të taksave, do të kishte mospagim të taksave, asgjë prej këtyre nuk ka ndodhur. Çfarë duhet të bëjmë në një situatë të tillë?
Po gjëja e parë që duhet bërë, po të mësojmë nga vendet fqinje, është t’i japim fund këtij keqmenaxhimi të tmerrshëm të pandemisë, e cila u menaxhua nga facebook-u dhe nga televizori me një fjalor terrorizues për qytetarët. Siç e shikoni, 2 muaj e gjysëm karantinë sakrificë e qytetarëve, shkoi kot. Sot Shqipëria ka numër rekord infektimesh dhe, për fat të keq, edhe shtrimesh dhe fatalitetesh. Ky është rezultati i drejtpërdrejt i propagandës mbi politikën shëndetësore. Nuk janë marrë masa, në radhë të parë të personelit shëndetësor. Numri i të infektuarve dhe, për fat të keq, dhe viktimave mes profesionistëve të bluzave të bardha është shtuar.
Vatrat më të mëdha të infeksionit janë spitalet dhe si rezultat i kësaj, i gjithë efekti fillestar i mbylljes, i karantinës, i sakrificës njerëzore dhe ekonomike është zhbërë. Impakti është i shumëfishtë, në rradhë të parë tek shëndeti i njerëzve, në radhë të dytë tek ekonomia. Në sektorë të veçantë si turizmi kjo ndihet gjithmonë e më shumë, gjithmonë e më dhimbshëm.
Pra, hapi i parë që duhet të ndërmarrim në një situatë të tillë është stabilizimi i menjëhershëm i gjendjes së pandemisë, për të cilën, deri tani, ka vetëm fjalë dhe asnjë masë konkrete për ta ndaluar dhe për ta kthyer, të paktën, numrin e infektimeve, në parametra normalë.
Natyrisht, sa kohë kemi këtë situatë, Bashkimi Europian nuk ka për t’i hapur kufijtë. Është një masë që merret për të mbrojtur qytetarët e vet, po është një masë nga ana tjetër që merret këtu, merret ne vendet e tjera, por fqinjët nuk kanë të njëjtat probleme, Greqia ka hapur kufijtë, Mali i Zi po kështu po përfiton nga valët e para të turistëve nga Bashkimi Europian.
I vetmi vend që ndëshkohet nga ky dështim kolosal me keqmenaxhimin e pandemisë është Shqipëria.
Tani dua të them diçka tjetër, të dashur miq, e cila tregon se cila është e vërteta dhe prioriteti real i kësaj qeverisje. Në vend që të dedikojë çdo sekondë të kohës, çdo vëmendje, çdo sekondë, çdo energji dhe çdo qindarkë të qeverisjes për të ndihmuar ekonominë, për të ndihmuar ata që kanë humbur vendet e punës, për të ndihmuar konsumin, për të ndihmuar të pamundurit, çfarë kanë bërë dje?
Kanë dhënë konçesion 1.2 miliard Euro për rrugën imagjinare Milot- Fier. Imagjinare sepse një pjesë e madhe e kësaj rruge është ndërtuar. Është ndërtuar atëherë, kur tallej Edi Rama, kur thoshte “Rrugë, rrugë, rrugë…” dhe i binte Shqipërisë nga Tropoja në Sarandë brenda ditës dhe fliste sikur i binte mbi gomar dhe jo sikur ecte mbi rrugë, vetëm sepse atë e kishte ndërtuar Partia Demokratike, vetëm se e kishte ndërtuar kundërshtari politik.
Po kjo është e kaluara, e sotmja flet fare qartë, një qeveri në ikje që jep një konçesion 1.2 miliard Euro për një rrugë imagjinare Milot- Fier. Para disa ditësh e thashë në media, e thashë dhe në një komunikim me ju që qeverisja e ardhshme nuk ka për të njohur asnjë prej këtyre koncesioneve, nuk ka për të njohur asnjë prej këtyre kontratatave, nuk ka për të njohur asnjë prej këtyre tenderave. Cila qeveri ka guximin të ndërmarrë një shpenzim që, praktikisht është baraz, me 6 vite investime publike të qeverisë shqiptare, në një vit normal buxhetor, ndërkohë që bëhet gati të ikë?!
Ky nuk është asgjë, vetëm një projekt tjetër vjedhje dhe pa pikë diskutimi nuk ka asnjë shans të realizohet. Prandaj, po u them atyre që mesa duket, kanë bërë hesapet pa hanxhinjtë, dhe hanxhinjtë në këtë rast janë shqiptarët, është populli, se taksat janë të popullit: të heqin dorë menjëherë nga bashkëfajësia me këtë skemë të pastër korruptive, qofshin këta sipërmarrës shqiptarë, të virgjër apo të keqpërdorur më parë, nga ky pushtet, qofshin kompani fasadë, të huaja s’më interesojnë nga vijnë, nuk kanë asnjë shans që të bëhen pjesë e kësaj grabitje historike! Të mendohen mirë!
Një nga ligjet e para që do të hyjë në fuqi do të jetë ligji anti-mafia, me anë të të cilit ne do të gjurmojmë paratë e çdo personi fizik dhe juridik, në çdo rast kur dyshohet për veprimtari korruptive të nivelit të lartë, siç është automatikisht edhe ky pseudo-tender 1.2 miliard Euro dhe do t’i vemë ata jo vetëm para drejtësisë, por edhe para barrës së provës për çdo qindarkë, me të gjitha mekanizmat që punon anti-mafia, në raport me krimin e organizuar. Kështu do të veprohet edhe në rastin e veprave të tilla korruptive.
Por, në qoftë se në vend të kohës edhe të mbrapshtive që planifikojnë këtë kohë, një pjesë të parave do t’ia kishin dedikuar turizmit, sikur këta punonjësit që mungojnë sot nëpër resorte të merrnin, të paktën, gjatë kohës që xhiroja do të vazhdojë të jetë e ulët, një pagë minimale, një paketë të tretë apo të katërt, siç po përgatisin vendet e tjera të rajonit, kjo sigurisht do të ishte një ndihmë njerëzore, por do të ndihmonte, po kështu, dhe konsumin. Do të ndihmonte në mënyrë zinxhir gjithë ekonominë. Nuk ndodh kjo.
Shiko, këtu në Divjakë, jemi në një zonë shumë të bukur, këtu në Divjakë është rasti ta themi se çfarë vlere ka turizmi për degët e tjera të ekonomisë. Imagjinoni se çfarë vlere ka, për shembull, për bujqësinë, për agrobiznesin, në qoftë se ne, jo me fjalë e me imagjinatë të shfrenuar, por me vepra, të arrijmë të dyfishojmë e të rrisim më tej numrin e turistëve. Çfarë do të thotë kjo për kërkesën për zarzavate, për perime, për mish, për peshk të freskët? Kjo do të thotë të sjellim tregun tek fermeri, do të thotë të sjellim tregun tek biznesi prodhues.
Efekti që turizmi do të jepte dhe do t’i japë nesër me qeverisjen tonë është i shumëfishtë edhe në degë të tjera të ekonomisë. Sepse në këtë mënyrë ajo që do të arrijmë është me numrin e turistëve në rritje, do të arrijmë që degë të tjera të rëndësishme të ekonomisë, siç janë bujqësia, siç janë prodhimi bujqësor dhe punimi i prodhimit bujqësor, blegtoral, peshkut, të dedikohet drejtpërdrejt për një konsum shumëfish më të lartë se konsumi normal i banorëve të vendit, kur ne kemi vërtet mundësinë të ofrojmë një numër shumë të madh turistësh dhe një sezon më të gjatë turistik.
Po edhe për këtë, kërkon politikë reale, politikën mbështetëse dhe jo tortura dhe kalvari i përditshëm i terrorit të inspektorit të ngjalave, i inspektorëve të llojllojshëm, që janë shtuar si kërpudhat pas shiut me këtë qeverisje, të cilët në vitin tonë të parë të qeverisjes do të jenë në karantinë, do të jenë në karantinë pra në moratorium për një vit, derisa Shqipëria të ketë një kuadër normal dhe europian të inspektorateve duke filluar nga ai tatimori.
Në mënyrë që as biznesi i vogël, as fermeri, as sipërmarrja e madhe të mos zgjohet e të ngryset me inspektorët tek dera dhe të harxhojnë gjysmën e kohës duke u marrë me shtetin, me inspektorët sa për burokracira e sa për ryshfete, kontakti do të jetë i dixhitalizuar dhe ndërveprimi do të jetë vetëm mbi bazën e analizës së riskut.
Një klimë e re biznesi, do të përfitojnë nga kjo i gjithë sektori i turizmit, e gjithë ekonomia shqiptare.
Së fundi, dua t’i japim fund jo konkurencës së padrejtë, lejeve dhe liçensave ekskluzive që jepen kuturu, dhe siç paralajmërova para disa ditësh, po vazhdojnë të jepen edhe në këto ditë të fundit të kësaj qeverie, mbetet për t’u verifikuar, por ndërkohë që i gjithë turizmi është lënë pa mbështetje, ndërkohë që mbi 200 mijë shqiptarë që jetojnë nga sektori i turizmit, janë pa mbështetje, me sekret të plotë sipas informacioneve që posedojmë, është marrë një pjesë e territorit të bazës ushtarake, navale të marinës, Flotës Ushtarake Detare Shqiptare në Sarandë dhe është bërë gati të jepet klientëve të qeverisë. Mbetet të verifikohet se kujt do t’i jepet, por emrat që përmenden janë të dyshuarit e zakonshëm, pjesë e 5 apo 6 së oligarkëve që marrin çdo gjë në këtë vend.
Shpresoj të jetë një lajm i rremë. Në radhë të parë sepse largimi i territoreve nga Forcat e Armatosura është diçka që nuk mund të bëhet në mënyrë sekrete, duhet bërë në mënyrë transparente, sepse nuk cënon thjesht dhe vetëm garën, konkurencën, por edhe sigurinë kombëtare.
Sot do të doja të bëja një apel të gjitha institucioneve të sigurisë kombëtare, nga ato ekzekutive deri Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të investigojnë, nëse kjo është e vërtetë. Nëse me të vërtetë, në ditët e tyre të fundit, po u falin edhe bazat detare oligarkëve për zhvillimet klienteliste në mënyrë jotransparante dhe pa garë.
Ne nuk jemi kundër zhvillimit.
Zhvillimi ekonomik që sjell punësim dhe mirëqënie është qëllimi numër një, objektivi numër një i qeverisjes sonë të ardhshme. Po kjo nuk mund të jetë as e qëndrueshme dhe as reale dhe as fitimprurëse për të gjithë shqiptarët, përsa kohë bëhet në mënyrë jotransparente dhe jofitimprurëse.
Tani kemi arritur në plazhin e Divjakës. Një nga plazhet më të bukura të Shqipërisë, shikoni gjerësinë e rërës, bukuri e rrallë por e perifrazuar nga një nga autorët më të njohur të letërsisë shqiptare “Një bukuri që vret”, sepse plazhi është praktikisht bosh.
Plazhet tona nuk duhen të jenë bosh, ne do të bëjmë gjithçka që të stabilizojmë gjendjen sot. Nuk kam ndonjë shpresë të madhe në korrigjimin të kësaj qeveri në ikje, por do të bëj gjithçka që kam në pushtetin tim për sensibilizim, për presionin maksimal që t’i lënë llafet e shfaqjet, propagandën, budallallëqet që këpusin nga mëngjesi deri në darkë, të ndalin dorën e shpenzimeve, të tenderave korruptivë, liçensave korruptive, lejeve korruptive dhe të kthejnë vëmendjen urgjentisht. Ky plazh bosh nuk është thjesht një bukuri e çuar kot por është një “Bukuri që vret”. Ky plazh bosh, janë dhjetëra, qindra, mijëra banorë të Divjakës, të Lushnjës dhe të gjithë Shqipërisë të cilët në kushte normale do të çonin bukën e fëmijëve në shtëpi, përmes turizmit, që sot janë në shtëpi, janë pa punë, nuk kanë kujt t’i shërbejnë.
Dhe së dyti, dua të zotohem edhe njëherë, siç ia thashë edhe përfaqësueseve të shoqatave të turizmit në takimin e djeshëm në Tiranë, që s’ishte i fundit, as i pari, se për ne prioritet do të thotë mbështetje.
Së pari duke çliruar ekonominë nga makthi, nga ankthi i agjensive shtetërorë, inspektoriateve, i lejeve, i liçensave, autorizimeve pa fund, të gjitha janë justifikime për të vjelur dhe rrjepur biznesin. Këtë rregullim, karantinim i inspektoriateve lehtësi në të gjithë ndërveprimin me shtetin, lehtësi dhe shkurtim të çdo proçedure burokratike.
Së dyti paketa e re fiskale, taksa 9% për biznesin mbi 140 milionë lek të vjetra në vit, 0.5% nën 140 milonë lek të vjetra në vit, si dhe karburanti me çmime të pranueshme që shqiptarët e paguajnë më shtrenjtë, jo vetëm se rajoni, por edhe se Europa krahasuar me fuqinë e tyre blerëse.
Duke hequr taksën “Rama” mbi karburantin 240 lekë për litër, janë masat e para stabilizuese dhe, së bashku me to, një rishikim të politikave tona si shtet, se ku i çojnë paratë dhe taksat e shqiptarëve.
Nuk do të shkojnë më për buzëkuq për Rilindjen, nuk do të shkojnë më për oligarkët dhe për tenderat dhe koncesionet e PPP-të tyre, por do të shkojnë për të ndihmuar dhe mbështetur përmes investimeve publike, përmes rrugëve, kanalizimeve, ujësjellësave, rrjetit eletrik, këdo që do të jetojë e punojë me djersën e ballit, fermerin, biznesin e vogël, sipërmarrësin e ndershëm, turizmin në veçanti, tek i cili, me të drejtë, kemi shpresa dhe besim të madh se do të jetë pjesë e një të nesërme më të mirë, me punësim dhe mirëqënie për çdo shqiptar.
Ju uroj një ditë të mbarë nga plazhi i Divjakës!