fbpx

Aktualitet

Djali i Rudi Vatës zgjodhi kombëtaren e Irlandës, reagon FSHF





               Publikuar në : 21:31 - 20/11/19 |
mapo.al

FSHF i përgjigjet zyrtarisht Rudi Vatës pas deklaratës së këtij të fundit për të birin e tij, Roko, i cili tashmë është pjesë e kombëtares U-15 të Irlandës.


Në lidhje me këtë çështje ka folur për “Panorama Sport” një emër i njohur i futbollit shqiptar, si Sulejman Mema, i cili prej dy vitesh është në detyrën e specialistit të ekipeve kombëtare në FSHF.



“Dua të tregohem i sinqertë, sepse personalisht nuk e kam parë asnjëherë djalin e Rudi Vatës. Di që është vetëm 14 vjeç dhe nëse do të kisha të dhëna të mjaftueshme apo do ta kisha vëzhguar në ndonjë ndeshje të akademisë ku luan, me shumë kënaqësi do të jepja vlerësimin tim. Aq më tepër kur bëhet fjalë për djem ishlojtarësh të Kombëtares, natyrisht që i shikoj edhe me më shumë preferencë. E bëj këtë, pasi kam qejf që i shkojnë traditës dhe asaj që kanë bërë prindërit e tyre dikur në fushë si pjesë e Kombëtares sonë”, është shprehur fillimisht Mema, i cili që prej datës 11 nëntor është pranë Kombëtares U-19 në turneun që u mbyll dje në Belgjikë.


KONFIRMIMI
Mema konfirmon për gazetën se FSHF është e interesuar për të pasur kontingjent të Kombëtares U-15 sulmuesin që bën pjesë në akademinë e Sëlltikut, Roko Vata. Ai tregon se sektori i ekipeve kombëtare ka një listë me lojtarë që luajnë në vendet e Britanisë së Madhe dhe ka projektuar t’i grumbullojë në seleksionimet e radhës për çdo grup-moshë. “Unë di që sektori i kombëtareve në FSHF është interesuar. E dimë shumë mirë që djali i Rudi Vatës është pjesë e akademisë së Sëlltikut. Si ky rast ka edhe shumë të tjerë. Pra, janë disa lojtarë që aktivizohen në vendet e Britanisë së Madhe. Të jeni të bindur se FSHF është në dijeni për djalin e Vatës, por jo vetëm, prandaj dhe mund të them se jemi të interesuar. Asnjëherë nuk mund të besoj se djali i Vatës do të injorohet. Si pjesë e sektorit të ekipeve kombëtare, ju bëj me dije se Roko Vata do të shikohet me përparësi, pasi është në planet tona”, përfundoi Sulejman Mema.

SITUATA
Në vitet e fundit ka pasur shumë raste kur lojtarë shqiptarë dhe me origjinë nga Kosova kanë përdorur Kombëtaren kuqezi në mënyra të ndryshme e më pas kanë refuzuar t’i bashkohen. Rasti i fundit ka qenë me 17-vjeçarin Adrian Bajrami, i cili është pjesë e akademisë së klubit të njohur portugez, Benfika.

Mbrojtësi është grumbulluar fillimisht me Kombëtaren U-19 të Shqipërisë, që drejtohet nga Nevil Dede, por më pas zgjodhi të shkonte te Zvicra U-19. Politika e FSHFsë me talentet ka ndryshuar, pasi nuk tentohen më lojtarë që janë të dyzuar për të ardhmen e tyre. Tashmë mbetet për t’u parë nëse Roko Vata do të jetë një rast ku lojtari mund të bëjë prapakthehu.


Etiketa: , ,

Pas