Mapo Letrare

Djalli fshihet në detaje…





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 11:40 - 12/01/20 |
Eli Kanina

David Koperfild nga Charls Dikens


Pas velitjes nga programet televizive të festimit të Motit të Ri, zura t’i ndërroj kanalet në kërkim të diçkaje ndryshe. Ndala tek tvKorça ku po shfaqeshin sekuenca nga filmi David Koperfild. Nostalgjia më kaploi për atë periudhë kohe mes viteve ’80 e ’90, kur  në televizionin shqiptar shfaqeshin seriale televizivë të huaj. Ishte një periudhë serialesh që i ndiqnim familjarisht mbrëmjeve, dhe i diskutonim pambarimisht kudo të nesërmen, në shkollë, në punë, në lagje e gjithandej duke aluduar e përcaktuar fatet e personazheve sipas botës tonë të ngushtuar nga  mungesat e kufizimet, të unifikuar nga ideologjia e partishmëria, por të përndezur fort nga fantazia e përfytyrimet plot ngjyra( edhe përmes bardhezisë së ekranit).



Mu kujtua “Skllavja Izaura” e dashuruar me Tobiasin, dhe padroni Leonso, i dashuruar edhe ai pas skllaves por si një donzhuan që luan e josh me pasurinë e tij. Mbaj mend tek “Shtëpia në ishull”  ato kukullat që lotonin me gjilpërat e ngulura mbi to nga një dorë misterioze, për të dhënë mesazhe, që na mbanin frymën para ekranit bardhë e zi. Një serial australian “Të gjithë lumenjtë rrjedhin”, me anijen-shtëpi, Filadelfian e famshme ku Adelë syshkruar e me gropëzat e faqeve sa herë buzëqeshte, do të jetonte mbi lumë dashurinë e saj të jetës dhe gjithë sfidat që i ndjekin pas. E më pas do të vazhdohej edhe me serialin francez “Ndodhitë e zotit Krusho” ku unë përpiqesha të konfirmoja frëngjishten time, apo “Beautiful”, “Dinastia” deri edhe  “Beverlyhills” i viteve studentore ku Luka Perri mu bë edhe imazhi i dashurisë time nëpër ëndrrat e para vajzërore.


Nuk e di nëse ishin një mesazh dhe imazh ndryshe, ato që serialet na sillnin për botën përtej kufijve, pas gjithë filmave të përsëritur rutinë që pothuaj i dinim përmendësh? Apo ndoshta na linin aq mbresa sepse ishin të paktë dhe kufizimi ynë i bënte të dukeshin edhe më të bukur? Ishim të etur për të parë e për të ditur, apo ishin ato seriale aq të pasur me informacione nuk di ta them, por që ishin ndryshe nga telenovelat e sotme, ku dukja ka më tepër vlerë se thënia, e them me siguri. Atëherë mbanim mend batuta nga filmat dhe sot kur shohim telenovela, flasim se çfarë kishte veshur ky apo ajo aktore, dhe falenderohen butikët e veshjeve më shumë se loja e aktorëve.

Kujtoj se në atë kohë serialesh, sapo kisha marrë në bibliotekë librin “David Koperfild” volumin e parë të Charls Dikens. Gëzoja për këtë roman voluminoz sepse pas tij do të kishte edhe një  tjetër dhe kjo ma shtonte kuriozitetin për atë ngjarje interesante e të stërgjatur që kapërcente librin për të vazhduar tek një i dytë. Deri atëherë nuk kisha lexuar romane me dy volume, edhe kjo ishte risi që më grishte. Ndërsa lexoja për fëmijërinë dhe peripecitë e jetës së David po më dukej I ngjashëm me “Zhelanin e vogël”, ndoshta sepse ngjarjet ishin në Angli dhe në një periudhë kohe të njëjtë.

E mbarova së lexuari librin e parë me shpresën se do ta gjeja tek libri i dytë atë që do më çudiste, të jashtzakonshmen që justifikonte edhe këtë stërgjatje. Kur shkoj për të marrë të dytin, punonjësja më tha se do të kalonin një inventar dhe salla e  bibliotekës do të lyhej, ndaj do të ndërpritej shërbimi për pak kohë. Pra dola pa libër dhe kureshtia se çfarë kisha humbur nga libri i dytë më brente edhe më tepër, aq sa më mundi dhe fola.

-Të paktën më thuaj si përfundon Davidi?- e pyes punonjësen, a thua ajo e kishte për detyrë të dinte çdo libër e të shpjegohet për çdo anëtar të bibliotekës, për sa miza u zukatnin në kokë nga librat e autorët që lexonin. – Ndiqe në televizor se jepet çdo të martë në mbrëmje, sapo ka filluar dhe mund ta kuptosh në serinë tjetër vazhdimin – mu përgjigj shpejt e shpejt ajo sikur të donte të më hiqte qafe.
Ndoshta më gënjeu, mendova gjatë kthimit për në shtëpi, por e mbajta mënd të martën, që të kurdisesha para televizorit, e ulur në divan, duke pritur të mbaronte Petrit Leka me parashikimin e motit, pas revistës televizive në 20:30. Jo që e ndoqa por e qava me lot humbjen e Dorës, dhe e shijova deri në fund, fundin e lumtur të Davidit nga ekrani. David Koperfild mbeti për mua gjysëm libër e gjysëm film, sepse nuk e lexova kurrë librin e dytë.

David Koperfild është një histori në Anglinë e viteve 1850 pra e gjysmëshekullit të kaluar, që ngjizet me fatin e jetës së David dhe ndërthuret me fatet e atyre që i gjenden pranë. Personazhe të shumtë që nga fëmijëria, vijnë rrotull David herë si  një shans për ta ndihmuar dhe herë si një mundësi për t’i futur shkopinj nën rrota. Por Zoti me një dorë të hedh e me tjetrën të pret. Ndërsa njerku e torturon dhe i vret të jëmën, me manipulime i merr gjithçka, duke e lënë edhe jetim edhe të varfër, puna në fabrikën e vajit i jep mundësinë të largohet prej njerkut, të njohë njerëz të mirë si Tomi miku i tij, por edhe të përgatitet për të jetuar ëndrrën për tu bërë shkrimtar. Ai guxon të arratiset nga fabrika, të  jetojë lirinë e tij duke provuar gjithçka që e ndihmon për të realizuar ëndrrën për tu bërë shkrimtar. Ky mik do ta ndihmonte më vonë edhe në gjyqin me shërbëtorin Urihau, mashtrues e falsifikator të dosjeve në zyrën e avokatit Uikfield.

David e nis fillimisht punën si avokat dhe njohja me Anjezën, takimi me avokatin  Uikfield, babain e saj, që e punëson në zyrën e tij, janë fatsjellës për të vazhduar. Anjeza dhe babai i saj i ofrojnë mundësinë që David, të ishte një ndihmës në zgjidhjen e shumë çështjeve që prisnin në dosjet e shumta prej kohësh.
Kjo ishte edhe mundësia ku David shfaqi vlerat e tij më të mira, për vëmendjen e interesin që tregoi dhe mënyrën si i trajtoi dosjet e koklavitura e të pazgjidhshme në dukje. Duke gjetur aty argumenta për ta fituar gjyqin, ai fitoi kështu besimin e atit të Anjezës, dhe simpatinë deri në dashuri të kësaj të fundit. Avokati Uikfield entuziasmohet teksa dëgjon Davidin që shpjegon mënyrën sesi proçedon me punën. Ai deklaron se gjeniun nga mediokrin e ndan detaji, është detaji që bën diferencën, dhe i jep fitoren gjeniut. David ishte një gjeni!

Bashkë me punën që i jepte para, David kishte pranë edhe Anjezën e bukur e të zgjuar që me miqësinë e ndihmën që i ofronte, e bënte të sigurtë të ardhmen e tij. Babai i Anjezës, një njeri i mirë e i drejtë por i mbetur i ve dhe nën pushtetin e pijes, humb kontrollin ndaj punës duke humbur pasuri dhe çështje gjygjësore. Ardhja e David dhe besimi ndaj zgjuarsisë së tij ishte edhe një shpresë për të, por ky mirëbesim do të shfrytëzohej nga shërbëtori i shtëpisë dhe ndihmësi i zyrës, këshilltari dashakeqas Urihau. Vlerësimi për aftësitë e David prej avokatit Uikfield  dhe të bijës, Anjezës, e xhelozojnë shërbëtorin Urihau që deri tani rrinte në pritje për të trashëguar zyrën e Uikfield dhe bijën e tij.
Sprova e parë e David në gjykatë paraprihet nga një takim i papritur me Tomin, shokun e dikurshëm të fabrikës. Tashmë i shkolluar e i birësuar nga një famije e pasur, ai i shfaqet si prokurori Tradles, duke i kujtuar mirënjohës, se Davidi guximtar kishte qenë frymëzuesi për të ndryshuar jetën e tij. Shfaqja e Tom është një ogur i mirë për çështjen e parë të David si avokat, që jo vetëm i dha besim por edhe e bëri të fitojë  me argumentin e të drejtës që triumfon mbi të keqen. “E drejta  nuk është diçka që dikush ta jep, por diçka që askush nuk mund  të ta marrë” thotë William Clark.

Shkrimtari Charls Dikens na jep me anë të vlerave të David si avokat, një mesazh ku drejtësia nuk është gjithmonë mision i pamundur dhe një gjykim i blerë me para. Falë zgjuarsisë dhe dashamirësisë së avokatit David, u fituan çështje gjyqësore që   mendoheshin të humbura nga tregtarë të falimentuar, apo njerëz të mashtruar deri atëherë, nga manipulimet djallëzore dhe blerjet me para të vendimeve gjyqësore. U zgjua shpresa tek njerëzit, se drejtësia do të gjykohet edhe me zemër, se jo më kot vihet dora edhe aty kur betohesh, përveç mbi kushtetutë.
Ashtu siç riciklohet jeta biologjikisht, shoqëria evoluon bashkë me brezat duke pësuar e përmirësuar veten në qëndrimet që mban ndaj çështjeve që e shqetësojnë, duke ricikluar edhe nevojën për gjeni e heronj. Duket se kjo kohë që po jetojmë ka nevojë përsëri për David Koperfildin e Dikens, për tu gjykuar ftohtë dhe mençurisht, për të shpëtuar shoqërinë nga llumi i veseve dhe djallëzive ku është zhytyr, për t’iu kthyer përsëri virtytit njerëzor dhe meritës, pa interesa e prapaskena. Edhe unë shpresoj e pres ashtu siç thotë Denzel Washington “Me kaq shumë gjëra që rikthehen në stil, mezi pres derisa morali, respekti dhe inteligjenca të jenë përsëri në modë.”

Ndërsa bashkë me fitoret në gjykatë, rritej edhe fama e suksesi i David, ëndrra për tu bërë shkrimtar flinte ende në sirtar. David u bë i famshëm dhe i pasur por kjo nuk ishte e mjaftueshme për të qenë i lumtur. Në këtë fazë dalldie, dashuria me shikim të parë me Dorën duket për një çast si një plotësim i tablosë së lumturisë së jetës së David. Dora ishte një dashuri që u dogj si flakë e kashtës, që nuk bëri asgjë  për ta merituar dashurinë e David por edhe nuk pati fat që ta gëzojë atë. Pas ndërprerjes së papritur të shtatzanisë dhe humbjes së fëmijës,  ajo humbi edhe jetën nga hemorragjia abondante. Kështu David mbeti përsëri vetëm, tani përballë do të kishte kundërshtar dhe dinak, shërbëtorin Urihau.
Shërbëtori i avokatit Uikfield, me ligësinë e ëndrrës së tij të hershme për tu bërë pasardhës i zyrës së avokatit dhe dhëndër i tij, punon nën rrogoz, i ushqyer  mbrapsh edhe nga nëna e tij. Shërbëtori, Urihau djallëzor punëson Mikauberin, që në pikë të halleve të veta pranon të përfshihet në manipulimet e dosjeve, me firma fallco. Duke shfrytëzuar edhe paratë e teto Becit që kishte gënjyer për të marrë kujdestarinë e David, shërbëtori Urihau duket se e ka kthyer në favor të tij situatën … Por Hartford është dëshmitari që i përmbysi ëndrrat e shërbëtorit, dhe bashkë me Anjezën e Mikauberin, e ndihmojnë David në sfidën e kurthit të pisët që thuri Urihau i pështirë. Gjithmonë do gjendet dikush që do të ndihë të vërtetën të dalë në pah, të triumfojë të mirën, dhe të mbetet krah saj. Mirësia e David u shpërblye në këtë rast, duke i dhënë mësimin që të mos besojë më si më parë, kur e pësoi nga miku Xhejms.
Ishte zhgënjyese për të miqësia e mikut të tij Xhejms, që rrëmbeu Emilinë për një aventurë, nga krahët e dashurisë së saj, peshkatarit të ri Kam. Emilia ishte vajza e brishtë dhe naive nga familja e peshkatarit, ku David kishte jetuar më parë.

Me përfundimin së bashku të Emilisë me Kam, ngazëllehemi që dashuria fiton sepse di gjithmonë të falë. Xhejms, mund të blejë gjithçka me paratë e tij por jo dashurinë dhe as besimin e miqësinë e Davidit.
Zhgënjimet e pësimet e David Koperfildit do të ishin ndryshe, ndoshta me më shumë vuajtje apo me më pak interes për lexuesin, nëse nuk do të ishte aty Anjeza, mikja e bukur dhe e mençur. Edhe pse e dashuron fshehurazi Davidin, nuk e jep veten dhe as nuk ligështohet nga prania e Dorës, por vazhdon të ndihmojë që të shohë David të lumtur. Ajo fiton simpatinë e lexuesit që e admiron  për mirësinë dhe sakrificat e saj, duke e kapërcyer veten dhe ëndrrën e saj në krah të David, sepse dashuria është më e gjërë, dhe përtej të qenurit bashkë, dëshiron edhe lumturinë në sytë e atij që do. Edhe në humbjen e Dorës, ajo ishte e trishtë dhe e besueshme në dhimbjen e saj sepse vuante pikëllimin e David. Por Anjeza nuk u ngut të zinte vendin e Dorës, ajo e drejtoi David nga ëndrra e tij për tu bërë shkrimtar, duke i dhënë kohë vetes, dashurisë dhe David për të vazhduar realizimin e vetes…
Ndërsa Dora ishte një emocion fishekzar që gjithkush e përjeton në një çast të jetës pa ndonjë arsye bindëse, Anjeza është zemra dhe mendja të bërë bashkë në një magji të bukur, që pret aty gjithë jetën, si një përqafim miqësor derisa të perceptohet si dashuri e plotësuar. Është ajo dora që të zgjatet e të ngre nëse rrëzohesh, është supi që të gjendet pranë në të mirë e në të keq. Është fytyra e dashur që të ndriçon me praninë, të frymëzon ëndrrat dhe të ndihmon t’i realizofsh, të rri parasysh dhe nuk e sheh, derisa një engjëll të pëshpërit në vesh dhe të drithëron me mrekullinë se, kjo trandje e njëkohësisht siguri që përjetëson pranë saj, është ajo që të duhet në jetë, dashuria e vërtetë!
Dashuria është ajo e padukshmja, që i bën të dukshëm ata që duhen! Kjo dashuri e praroi Anjezën në sytë e David, që më në fund dalloi tek ajo atë që ajo e mëkonte prej kohësh. E fshehur në detaje dhe e shpalosur si një e tërë, atëherë kur duhet!

Ëndrra e David për tu bërë shkrimtar u finalizua me botimin e romanit të parë të shkruar prej tij,  pasi martohet me Anjezën dhe kthehet për të jetuar në Folenë e Sorrave, shtëpia e mbyllur prej kohësh, ku ai ngjizi këtë ëndërr. Ardhja e postierit për të sjellë këtë roman është nga Dikens, një happy and, ku David në krah të Anjezës, me librin në dorë, ndihet i lumtur e i fuqishëm për të jetuar pikërisht atë që kish luftuar gjithë jetën, realizimin e vetes në të gjitha dimensionet.
David e Anjeza ndihen gati të jetojnë dashurinë e vërtetë e të plotë të jetës!
Atë dashuri, që bën dy vetë të duken një, dhe një jetë të përjetohet sa për dy jetë! Atë dashur,i që pret mbështetur tek muri i çdo dite të nesërme….Është ajo, gazi i pafre dhe dhimbja universale, e drojtura, imcakja…Dashuria!

 


Etiketa: ,

Pas