Poezi nga Albana M. Lifschin
(Përzgjodhi dhe redaktoi Eli Kanina)
Tri herë e hutuar sot
Sot që të takova ty:
Më kaloi pa vënë re
Stacioni i autobuzit ku do zbrisja.
Ngatërrova telefonin e shtëpisë
Që t’u thoja se do të vonohem.
I lashë motrat pa mënd
Kur thirra vëllain me emrin tënd!
Si ndodh që…
E di se ç’po mendoja tani?
Sikur ti të ishe unë dhe unë të isha ti
Në qytet do të vihej një shpallje:
“Ka humbur një vajzë njëzetvjeçate!”
E do t’i bëja gojët të flasin.
Si ndodh që djemtë njëzetvjeçarë nuk humbasin?
Ai / Ajo
Ka gjithmonë diku
Një Ai
Një Ajo
Për të cilët zgjohemi
Pa Ata
Jeta do të ecte somnambul.
Puthja
Dy herë hyra sot të bëj dush
Dy herë dola e tharë
Puthjen që më le në gushë
Nuk desha uji të ma marrë.
Magjia e një zëri
Ç’magji pati yti zë
I derdhur vetëm në dy rreshta
Frymëmarrja ime pa frymë u bë
Nga dimri deri tek vjeshta.
Molla
E fortë, e rrumbullakët
I erdhi përreth dielli
Ajo u skuqa, u rrit
U lëngëzua
Nga pesha e saj dega u rëndua
Mollë e pjekur pret të bjerë
Po…ku?
Celulari
Duhet të ndërroj zilen e celularit
Tani çdo tingëllimë e saj më dridh
Në kraharor, një zog i vogël zgjohet
Shkund pendlat, gati bëhet për fluturim
Harron se i ka të prerë…
Alo? …Alo?… Alo?
Heshtje, heshtje, heshtje
Ai maste heshtjen
Ajo në heshtje maste dhimbjen.
Pse erdhe kaq vonë?
Pse erdhe kaq vonë tek unë?
Kur gruri u korr
E në fushën e përvëluar
Mbeti vetëm kashtë?
Pse erdhe kaq vonë tek unë
Kur edhe dera e fundit
U mbyll
Dhe dimri të la përjashta?
Dje preva flokët
I dashur
Dje preva flokët
Flokët e mi të gjatë
Që aq shumë i doje ti
Flokët që të mbulonin
Gjoksin mbrëmjeve
Tek vija kokën
Mbi ty.
I dashur
Dje preva flokët
Që të të harroja ty
I pashë si u këputën
Si ranë
Një fshesë i mblodhi
Bashkë me plehrat
Tutje i hodhi…
Sot u zgjova
Flokëprerë
Qafë zbuluar
Fytyrë e çuditshme
Në pasqyrë
Shpërfytyruar
Aspak e lumtur
Aspak e qeshur
Vetes ngërdheshur
Pa ty dhe pa flokët
Dy herë e zhveshur…
I falem
I falem fisnikërisë së kalorësit
Në pëllëmbë zemrën ia jap
Ndërsa lutem në heshtje
Ta marrë nën mbrojë
Në turravrap të mos i bjerë
Ndër patkonj.
Shirat e vjeshtës
Nisën edhe shirat e vjeshtës
Shirat që trokasin në dritare
Shirat që na sjellin kujtime, mall
Që na zgjojnë vargjet e të famshmëve
Që pas u shkojnë vargjet tona të thjeshta
Që na djegin edhe ato në shpirt e në eshtra…
Metrotë e Nju Jorkut
Gojë gjigande
Na përpijnë çdo mëngjes
Na vjellin në mbrëmje
Rit njëqindvjeçar.
Të durueshëm deri në habi
U besojmë jetën
Ndërsa për çdo rast
Me vete mbajmë
Qefinin…
Përse druaj t’iu këndoj të gjallëve?
Thjesht:
Sepse nuk më lë ime gjyshe
Edhe përtej varrit më vjen ai zë:
Bijo, këngët janë për të vdekurit
Sa kohë që jemi gjallë
Kemi kohë të turpërohemi…
Lotë në sytë e burrit
Lot në sytë e tij s’kisha parë kurrë
Thosha, burri është si guri
Sot, m’u shkul zemra, më tradhëtoi bindja
Burrin, shkëmb e paska bërë dhimbja…
Djali
Foshnjë, të mbaja në gji
Të vogël, të mbaja në duar
S’të lashë kurrë të biesh
As të pengohesh.
Tani u bëre burrë, bir
Kujdes mos rrëzohesh!
Të djelave
Të djelave, miqtë e mi
I kërkoni Zotit t’ju falë
E i flisni jo për ato
Që bëtë dje e pardje
Por për ato që do të bëni
Nesër e pasnesër
E deri sa të vdisni…
Inter-Fe
Meditim në Krishtlindje
Babai im mysliman, kur qe 20
Rrëmbeu pesëmbëdhjetëvjeçaren
Katoliken e bukur Mari
Martesa u dha tre fëmijë
Me dy gjysma fe.
Vëllezërit
Unazat shkëmbyen
Me ortodokse .
Që cikli të bëhej i plotë
Për mua Zoti në Amerikë
Kishte zgjedhur një hebré.
Tani të shkoj në sinagogë
Në kishë apo xhami, nuk ka nevojë.
Të tria janë tek unë
Apo unë – e ndarë në tre?
Dashurinë e përbotshme gëzoj
Në Inter -fe.
Shakaja e Zotit
O Zot!
Ç’shaka bëre me ne
Kur moshës i dhe vite
E zemrën pa moshë e le?
Betimi
Në solemnitet
Atë mëngjes u betova
Besnik t’i qëndroj
Flamurit me 50 yje të bardhë.
Unë, më e reja amerikane e botës.
Në mbrëmje
Dëgjova Himnin kuqezi
E nuk munda të gëlltis lotët…