Grupi parlamentar i PD vendos unanimisht djegien e mandateve të deputetëve. Vendimi i Lulzim Bashës i komunikuar një ditë më parë ka gjetur sot në dakordësinë e të gjithë deputetëve demokratë. Votimi në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar ka qenë unanim dhe pritet që deputetët të dorëzojnë në Kuvend mandatet. Mapo zbardh pjesë nga debati në grupin e PD, ku thuajse të gjithë ligjvënësit janë shprehur dakord. Deputeti demokrat Ervin Salianji ka shkuar edhe më tej kur ka deklaruar se mandatet duhen dorëzuar që ditën e sotme, duke iu bërë thirrje deputetëve që t’i grisin ato publikisht në mënyrë demonstrative.
Ndërkohë deputetët Flamur Noka, Andon Frrokaj, Edomond Spaho, Oriola Pampuri, Agron Shehaj, Klevis Balliu, Florion Mima, Gent Stazimiri, Aldo Bumçi dhe Valentina Duka janë shprehur pro këtij aksioni ekstrem politik pasi sipas tyre shumica e dalë nga zgjedhjet e qershorit 2017 janë rezultat i vjedhjes së votës qytetare. Ata shprehën shqetësimin gjithashtu se me Ramën kryeministër nuk ka garanci as për zgjedhjet e ardhshme ntë cilat gjithashtu rrezikohen të blihen.
Kryedemokrati Lulzim Basha tha se vendi sot ndodhet në emergjencë kombëtare. Ai deklaroi se detyrë e PD është të udhëheqë qytetarët pasi ky ishte verdikti i sovranit i shprehur në 16 shkurt para Kryeministrisë ku sipas tij u vërejt një pjesëmarrje masive si asnjëherë më parë.
Debati në mbledhjen e grupit të PD:
Flamur Noka- Duhet djegie e mandateve, të bashkohemi me qytetarët. Ky është një regjim, nuk mund të sillemi normalisht, të jemi opozitë fasadë.
Ervin Salianji – Mandatet t’i djegim që sot, pa pritur më gjatë. Duhen gjetur hapësirat ligjore për këtë dhe duhet bërë që tani.
Andon Frrokaj- Jam pro djegies, ne i paraprijmë me sakrificë. Ne duhet të dalim t’i themi qytetarëve jemi si ju, pa asnjë ndryshim. Është koha për veprim. Ajo pjesëmarrje është miratim për ne, ne jemi shumicë sot me qytetarët. Unë jam i gatshëm të përballemi drejtpërdrejt me të. Ai ka votuar ca ka dashur, me ne në Parlament.
Edmond Spaho- Zëri i Amerikës ka dalë edhe ka pranuar që zgjedhjet janë vjedhur nga Rama. Nuk duhet të kalojë kaq lehtë. Akuza që na kanë vënë është që nuk i çojmë gjërat deri në fund. Kështu që, nuk duhet të lëvizim nga djegia e mandateve. Zgjedhje me Ramën nuk hyjmë se ai prapë do na i vjedhë. Kështu që, djegia është presioni më i mirë dhe dalja në krah të vullnetit të qytetarëve.
Agron Shehaj– Largimi i Ramës nuk është garancia e vetme për zgjedhjet e lira. Ne duhet të vëmë kusht hetimin e Ramës dhe arrestimin e atyre që kanë vjedhur në 2017. Unë jam dakord që mandatet duhen djegur, kjo është gjëja e duhur. Çështjet teknike i zgjidhni ju. Ne s’duhet t’i afrohemi parlamentit dhe komisioneve. Rama ka nevojë për normalitet, ne jo.
Klevis Balliu – Pro djegies së mandateve, është sakrificë minimale për qytetarët. Mandatet tona nuk kanë vlejtur në Parlament. Kauza është më e rëndësishme sesa mandatet. Rama është rrezik kombëtar, t’i bashkohemi shqiptarëve pa mandate siç janë ata.
Florion Mima– Njerëzit na thonë ju rrogat i merrni, ne vdesim për bukë. Unë jam për djegie mandatesh në mënyrë absolute. Nuk jam për asnjë skenar tjetër, kjo është rruga e vetme. Bashkë me qytetarët aty.
Oriola Pampuri- Akti më sublim që mund të bëjmë. Do mbahet mend gjatë dhe mbështes propozimin tuaj për djegie mandatesh.
Gent Strazimiri- Kemi gjithçka në Parlament por politikë nuk kemi bërë dot. Aty nuk arrihet të bëhet politikë. Kështu që jam pro. Nuk ka moment më të mirë pas përgjigjes që na dha populli në 16 shkurt. Ata që na dhanë mandatin, i themi ne nuk bëjmë dot politikë në atë parlament, ja mandati, ua kthejmë juve. Është fillimi i një rruge për demokraci. Për komunistët pPrlamenti ka qenë legjitim edhe 46 vjet pa opozitë. Ata janë mësuar me regjim. T’i hapim betejë.
Aldo Bumçi: Djegie mandatesh në mënyrë të qartë dhe të shoqërohet me përshkallëzim në terren. Të jemi me qytetarët, rruga të jetë politika jonë. Nuk futemi në asnjë lloj zgjedhje.
Valentina Duka: Gjithë njerëzit në rrjetet sociale ishin pro nesh. Kështu që në mënyrë absolute jam me njerëzit, jam për djegien e mandateve. Dhe të vendosim hapat teknike dhe politike. Ne të faktorizohemi politikisht sipas vullnetit të njerëzve.
Lulzim Basha: Ne jemi në borxh me qytetarët. Ata na dhanë besimin, ne duhet të jemi me ta. Jemi në gjendje emergjence kombëtare. Ky është hap nga pozitat e dominimit të forcës popullore. Na takon ne të udhëheqim shqiptarët.
Sali Berisha: Duhet të ndërmarrim çdo akt që na çon tek rrëzimi i Ramës. Do t’i kthejmë shqiptarëve votën e lirë. Po nuk arritëm votën e lirë, mbetemi fasadë. Ka ardhur koha që të përballemi me këtë regjim.
Lulzim Basha: Prova e këtij vendimi është, nëse ne me aksionin qytetar politik do t’i kthejmë shqiptarëve votën e lirë, ne kemi marrë një vendim historik të drejtë. Po nuk arritëm që shqiptarët të votojnë të lirë, mbetemi fasadë. Nëse shkohet në këtë vendim, që nuk e kundërshtoj, përkundrazi, koha ka ardhur që të përballemi me këtë regjim me qëllimin e vetëm që shqiptarët të jenë të lirë.
Lexo edhe:
Rama: S’besoj se opozita ka konsensus për djegien e mandateve, Basha po luan blofin
Ç’mendojnë ekspertët?
Djegia e mandateve nga PD/ Eksperti Kristaq Kume tregon çfarë ndodh me Kuvendin
/Gazeta Mapo/