fbpx

Editorial

Djegia e mandateve si garanci që Shqiperia do jetë më e mirë





               Publikuar në : 10:01 - 02/11/19 |
Gentian Gaba

Nga Gentian Gaba


Kur do të marrë fund kjo zezonë? Kjo është pyetja që ngrihet në shtëpinë e çdo qytetari që jo vetëm vëzhgon rrokopujën e gjësë publike, por që po ndjen në xhepat e tij pasojat e dështimit spektakolar të Rilindjes. Mjafton të sjellësh në kujtesë vetëm disa nga lajmet e ditëve të fundit, për të kuptuar pse një shqiptar largohet nga vendi çdo 38 minuta, sikurse pohohet nga OKB-ja.



Pikiata në raportin e ‘DoingBusiness’, dëshmon se 19 pozicionet e humbura e bëjnë Shqipërinë më pak tërheqëse për investimet e huaja, për të cilat vendi ka një nevojë të dëshpëruar. Sektori i bujqësisë, që kryeson me 37 për qind të totalit të të punësuarve, është një plagë e hapur. Jo vetëm për mungesën e mbështetjes, por si pasojë e një strategjie tinëzare që synon favorizimin e importeve dhe penalizmin e produktit vendës. Fermerët dhe blegtorët janë derdhur në rrugë sepse mallrat e tyre konkurrohen nga ato që vijnë nga Rajoni. Aty ku fermerëve nuk iu dërgohet policia sepse protestojnë, por subvencionet.


Në fjalorin e kësaj krize kanë hyrë edhe koncesionet e bukurive natyrore. Kepi i Rodonit, Syri i Kaltër dhe Butrinti janë gostia më e fundit e një plani që ka vendosur mbi Shqipërinë një pankartë me mbishkrimin NË SHITJE.

Një Shqipëri që ditët e fundit ka parë rënien e një tjetër kalaje të krimit; sepse pas Shkodrës, kryetari i bashkisë së Vorës, i mbrojtur si gjithmonë deri në dekikat e fundit nga kryeministri, ra pre e ligjit të ‘Dekriminalizimit’. Një fat që pret edhe sallaksë të tjerë të votimeve të 30 qershorit, dhe që i bën qytetarët të shohin përherë e më qartë vullnetin politik që ka veshur krimin me mandatin e përfaqësuesit të popullit.

Një Shqipëri që sheh përherë qartë edhe papajtueshmërinë midis qëndrimeve të vendeve Europiane dhe aparacikëve të këtushëm të BE-së. Rasti më i freskët është ai i Teatri Kombëtar. Kërkesës së portalit Exit.al, Komisioni nuk pranoi të shpaloste raportet e tij mbi ligjin special, me të cilin kërkohet tjetërsimi i pronës publike dhe shkatërrimi i trashëgimisë kulturore. Duke deklaruar se publikimi i raporteve për Teatrin Kombëtar do të “ndikojë përpjekjet e mëdha që janë bërë për vendosjen e marrëdhënieve cilësore ndërkombëtare me Shqipërinë” dhe “mund të çojë në incidente diplomatike”. Një nëntekst hipokrit që lë të nënkuptohet se sipas hartuesve të progres-raporteve plot shkëlqim, edhe kur këtu lulëzonte kanabisi dhe kur krimi ishte futur në Parlament dhe bashki, e vërteta mund të shkaktojë incidente. Duke dëshmuar kësodore se edhe ata, me indulgjencat e tyre, janë pjesë e problemit dhe jo zgjidhja.

Por cila është zgjidhja?

Në një vend normal zgjidhja ndaj një qeverie të keqe do të ishte opozita. Por ne tashmë nuk jemi më një vend normal, e për pasojë shpeshherë opozita sulmohet më ashpër se qeveria. Sigurisht kjo është edhe pjesë e një investimi të madh nga ana e mazhorancës, e cila ka likuiditetin e nevojshëm për të blerë dhe shitur opinione që nxisin mosbesimin tek oferta e opozitës. Një përpjekje malinje jo vetëm për të përçarë dhe sunduar, por edhe për të mbjellë farën e ‘njësojllëkut’. Nga e cila ka dalë refreni i telekomanduar ‘janë të gjithë njësoj’, ose ai edhe më poshtërues për një shoqëri, “ja iku Rama, po kush do të vijë?’. Sikur ndaj kryeministrit që shpopulloi vendin, që na dhuroi nofkën “Kolumbia e Europës’, që shiti të ardhmen me PPP, që shkatërroi zgjedhjet e lira apo që qeverisi me njerëz që kanë rënë dhe do të bien pre e dekriminalizimit, nuk paskësh një alternativë.

Ndonëse e sendërgjuar, kjo qasje gjen terren pjellor edhe për pasojë të zhgënjimit që qytetarët pësuan falë Rilindjes dhe shfryrjes së premtimeve populiste të vitit 2013. Në fakt historia e dy dekadave të fundit është ajo e opozitave që përsërisin njëra-tjetrën, sidomos në mjete dhe strategji. Kur dikush vendos shenjën e barazisë midis sjelljeve në opozitë dhe në pushtet, vetiu të kalon në mendje cikli i protestave, bojkoteve, akuzave, çadrave dhe, pasi vijnë në pushtet, degradimin e ngadaltë deri sa arrijmë tek ajo që njihet si ‘sëmundja e mandatit të dytë’ dhe, në fund, rotacioni që vjen si ‘dhuratë’.

Ndaj këtij cikliciteti të historisë opozita aktuale u revoltua. Nuk priti radhën, as që mazhoranca të shembej nën peshën e zullumit të saj, por mori një vendim të guximshëm. Moskokëçarës për interesin personal, rrogat, mbrojtjen dhe privilegjet që të ofron mandati parlamentar, zgjodhën të djegin mandatet. Jo vetëm si vullnet i një grupimi shumë të gjerë opozitar, por si përgjigje ndaj opozitarizmit të lindur në shoqërinë shqiptare, për pasojë të keqqeverisjes, pushteti që e ka tjetërsuar jetën politike dhe rënies së shtetit ligjor. Paçka se kjo thyerje me historinë prodhoi një reagim të parashikueshëm të ndërkombëtarëve, sot këta të fundit kanë njohur krizën politike dhe, akoma më e rëndësishme, kanë identifikuar edhe arsyet që qëndrojnë në origjinën e saj, që është krimi zgjedhor.

Kjo betejë, ndonëse e ende e pafituar, tregoi karakterin e një lideri të prirë për të mos qenë njësoj me paraardhësit e tij; për të mos ua lëshuar demokracinë shqiptarëve kundruall stabilokracisë të ndërkombëtarëve, për të mos fërkuar duart për pushtetin që vjen vet pas tetë vitesh, me qëllim përsëritjen e tetë viteve në të njëjtën gjatësi vale.

Paradoksalisht, i takoi politikanit të arsimuar në Perëndim, i cili ka në normalitetin forcën e tij më të madhe, të bënte aktin më të jashtëzakonshëm të jetës politike në Shqipëri. Jo vetëm si një sfidë ndaj zgjedhjeve të vjedhura, ndaj Parlamentit të dalë me votat e ‘niçeve’, por si një hap besimi kundrejt shoqërisë. Një akt që kjo e fundit miratoi në 30 qershor, duke u treguar gati për ndryshim. Dhe garancia më e madhe që ndryshimi do të vijë, dhe që Shqipëria e Bashës do të jetë më e mirë, është largimi nga Parlamenti dhe nga shembujt e Tranzicionit.

/Gazeta Mapo


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas