Për herë të parë Bashkimi Europian jo vetëm nuk vë alarmin kur flitet për ndryshim kufijsh, por madje as nuk e qorton Hashim Thaçin për deklaratën e tij të guximshme.
Në përgjigje të interesimit të Vizion Plus, Brukseli duket i gatshëm të pranojë një marrëveshje për të cilën palët do të pajtohen.
Vizion Plus e pyeti Maja Kocijançiç, zëdhënëse e përfaqësueses për politikën e Jashtme, Federika Mogherini, se cili është qëndrimi i BE për propozimin e Thaçit dhe mori këtë përgjigje:
“Gjatë dialogut të thirrur nga përfaqësuesja e nivelit të lartë Federika Mogherini në 24 qershor 2018 kryetarët Thaçi dhe Vuçiç zhvilluan një diskutim intensiv dhe produktiv nq kuadrin e nje marrëveshjeje për normalizimin e plote te marrëdhënieve. Ata ranë dakord të intensifikojnë punën në javët e ardhshme. Në takimin e fundit të dialogut ku përfaqësuesja e lartë priti të dy presidentët më 18 korrik, ata rishikuan përparimin e arritur dhe ranë dakord të takohen sërish në fillim të shtatorit.”
Një tjetër pyetje që Vizion Plus i drejtoi zëdhënëses Kocijançiç ishte se nëse një hap i tille ndodh, a rrezikohet stabiliteti i Ballkanit perëndimor?
“Dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Europian ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërmjet te dyja palëve që i ndihmon të arrijnë përparim në rrugën drejt Europës dhe të përmirësojnë jetën e njerëzve. Një zgjidhje e qëndrueshme nënkupton një zgjidhje realiste, bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Palët po përcaktojnë bazën për pajtim të përbashkët.”
Nuk dihet se çfarë rishikuan dy presidentët në takimin e fundit në Bruksel në prani edhe të shefes së politikës se jashtme Mogherini. Por pas 18 korrikut, Hashim Thaçi filloi të artikulonte tezën e korrigjimit të kufijve dhe bashkimit të Preshevës, Medvegjes e Bujanovcit me Kosovën, tezë për të cilën është shprehur se do ta shtrojë në tryezën e bisedimeve në fillim të shtatorit.