Jonida Maliqi fitoi këtë vit Festivalin e Këngës në RTSH dhe rrjedhimisht, do të përfaqësojë Shqipërinë në muajin maj në Eurovizion me këngën e saj fituese “Ktheju Tokës”.
Përfaqësimin e vendit në këtë festival, këngëtarja e ka marrë me shumë seriozitet dhe ka vendosur që si asnjë këngëtar më parë, të trokasi në çdo biznes dhe institucion për të marrë ndihmë, në mënyrë që Shqipëria të ketë një përfaqësim të denjë.
E ftuar së fundmi në “City Radio Network” tek programi “CityNight RadioShoë”, Jonida bëri publike sfidën e saj.
“Kur mendon që duhet të përfaqësosh vendin tënd dhe unë do mundohem maksimalisht që ta përfaqësoj denjësisht atë, na duhen dhe suporte shumë të rëndësishme nga njerëzit tanë, kështu që unë përpos gjithë angazhimit që ka marrë RTSH, po marrë përsipër të iki të takoj personalisht, si një ambasadore e Shqipërisë, si një artiste, si një qytetare. Kështu që kërkoj suportin e të gjithëve”, ka thënë këngëtarja.