Aktualitet

Shkresa/ Raportimi i kreut të SHISH për Metën përçan socialistët






               Publikuar në : 19:18 - 12/09/19 |
mapo.al

Dy deputetët e PS-së në Komisionin e Sigurisë, Sadri Vorpsi dhe Xhemal Qefalia i kanë nisur një kërkesë zyrtare drejtorit të Shërbimit Informativ, Elidon Bendo. Kjo shkresë është firmosur nga 9 deputetë socialistë, por jo nga kryetarja Ermonela Felaj. Ata kërkojnë të informohen se ku u bazua Presidenti Ilir Meta kur tha se më 8 qershor kishte informacion se mund të digjej palamenti, që çoi në anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Pra, një pjesë e socialistëve duan të dinë se çfarë informacioni i ka dhënë SHISH, Presidentit të Republikës.


Gjatë diskutimeve (të mërkurën) në Komisionin e Sigurisë, Xhemal Qefalia u shpreh: “Kam ndjekur në media nga Presidenti i Republikës, i cili ka sjellë në vëmendje të Komisionit Hetimor, por edhe të opinionit publik një informacion për djegien e Kuvendit nga persona të veçantë. Bashkë me kolegun Vorpsi, i kemi përgatitur kryetarit të Shërbimit Informativ Shtetëror një kërkesë për të na informuar rreth këtij informacioni që disponon Presidenti”.

Ndërsa deputeti tjetër i PS, Adnor Shameti kundërshtoi duke thënë se kjo është punë e komisionit hetimor dhe jo e komisionit të sigurisë.

“Duke qenë se unë jam edhe anëtar i Komisionit Hetimor, duke qenë se është Komisioni i Posaçëm Hetimor, i ngritur për këtë punë, nuk dua që të ketë mbivendosje të ushtrimit të kompetencave të të drejtave nga Komisioni Hetimor te Komisioni i Sigurisë. Në përfundim të veprimtarisë së Komisionit Hetimor, nëse ngelet diçka pa u sqaruar, sërish mund ta ushtroni këtë të drejtë. Kështu që unë do të rekomandoja që të mos kemi mbivendosje të punëve të Komisionit Hetimor me Komisionin e Sigurisë”, tha Shameti.

Xhemal Qefalia këmbëngul: “Të jeni të bindur se nuk do t’ia marrim fare kompetencat Komisionit Hetimor. Kështu që unë do të vazhdoj bashkë me kolegun Sadi Vorpsin të ushtroj të drejtën për t’i kërkuar informacione SHISH. Unë njoftova që të ishte në interes edhe për juve si pjesëtar, por dhe të drejtën time. Komisioni Hetimor nuk ka lidhje fare me Komisionin e Sigurisë. Unë jam i shqetësuar dhe besoj se edhe juve duhet të jeni të shqetësuar që qarkullojnë informacione për njerëz të veçantë. Madje aludohet që janë edhe të identifikuar dhe jam i interesuar se çfarë po bëjnë”.

Sakaq, e pyetur nga TCH, Ermonela Felaj, në cilësinë e kryetares së Komisionit të Sigurisë tha: “Çdo kërkesë në emër të Komisionit nënshkruhet nga kryetari. Unë nuk kam nënshkruar asgjë të tillë. Ndërkohë që çdo deputet vetë mund t’i bëjë kërkesa kujtdo. Sidoqoftë: jo, Komisioni i Sigurisë që unë përfaqësoj s’ka bërë asnjë kërkesë të tillë dhe as ka marrë vendim për të nisur një kërkesë të tillë.”

*Më poshtë kërkesa e 9 deputetëve të Komisionit të Sigurisë për drejtorin e SHISH, firmosur nga: Xhemal Qefalia, Sadri Vorpsi, Eljo Hysko, Antoneta Dhima, Anduel Xhindi, Lefter Maliqi, Myslim Murrizi, Luan Duzha, Elena Xhina. 

 


Etiketa: , , , ,

Pas