Ora 16:00 shënon afatin e fundit që pedagogët i kanë vendosur qeverisë për të kthyer një përgjigje pozitive për kërkesat e parashtruar prej disa javësh.
Sandër Kovaçi, deklaroi një ditë më parë se nëse qeveria nuk do të plotësojë kërkesat e tyre, atëherë sot të paktën 10 pedagogë do të futen në grevë urie.
Ndërsa në përfundim të afatit që iu përcaktua qeverisë, në daljen para medias, Kovaçi ka thënë se nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre, madje do hyjnë në grevë së bashku me familjarët.
Ai ka deklaruar se 30 pedagogët do futen në grevë urie në momentin që do marrin një garanci për jetën e tyre nga Presidenti i Republikës dhe institucionet ndërkombëtare.
“Nëse e marrim këtë përgjigje brenda 30 minutave, apo 3 oreve, 30 pedagogë do të hyjnë në grevë urie. Jemi ketu për mbrojtjen e arsimit, u përket të gjithëve. misioni ynë vazhdon. Jemi në vazhdimësi”, tha Kovaçi.
Deri tani, qeveria ka refuzuar plotësimin e kërkesave duke vendosur rritje me vetëm 15% rritje page, 8% të së cilës ua ngarkon vetë universiteteve. Deri tani vetëm dy universitete, ai i Tiranës dhe i Mjekësisë, kanë zbatuar urdhrin e qeverisë, ndërsa të tjerat jo. Sidoqoftë, pedagogët e kanë refuzuar këtë 15 për qindësh, pasi janë të mendimit që tarifat e studentëve, i vetmi burim i universiteteve duhet të shkojë në dobi të këtyre të fundit dhe jo të përdoret për paga.
KERKESAT E PEDAGOGEVE
Rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës
Rritja e financimit për kërkimin shkencor
Rivendosja e shtesave mbi pagë për ‘Dëshmi shëndeti në punë’
Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë
Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare
Rivlerësimi i orës mësimore, pasi ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mosdiferencimit të orës mësimore të leksionit.
Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare
Të pezullohet deri më 2026 zbatimi i pikës c) të paragrafit të 3, i Kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”.
Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universiteteve publike.