fbpx

Kryesore

‘Do të doja që shqiptarët ta rikuperojnë Islamin e traditës’





               Publikuar në : 09:49 - 22/11/18 |
mapo.al

Nga Mustafa Nano


Pjesë nga libri ‘Provocateur’, botim i UET-Press



Ju keni folur, sidoqoftë, për një islam të traditës, që duhet rikuperuar.


Në kohën që bota zuri të zbulonte Shqipërinë e shqiptarët, nuk mbeti udhëtar, gazetar, shkrimtar, diplomat, ushtarak, etnograf, gjeograf, antropolog i huaj pa vënë re se shqiptarët ishin myslimanë allasoj, që faleshin kur t’u voliste, që pinin ndonjë gotë raki, nëse ua donte puna apo nëse ua kishte qejfi, që gratë i linin “të harbonin” jashtë mureve të shtëpisë, që talleshin me ata që fenë e merrnin seriozisht, që identitetin etnik e kishin më të fortë sesa atë fetar, që me të krishterët jepnin e merrnin fare pa të keq, e kështu me radhë. Dhe unë do të doja që shqiptarët ta rikuperojnë këtë lloj Islami.

Ata që nuk ndihen rehat prej kësaj teze simes kanë pretendimin se, së pari kjo nuk është e vërtetë për të gjithë shqiptarët (këtu bie dakord me ta; ka pasur shqiptarë që kanë qenë myslimanë fanatikë), dhe së dyti, Islami, të cilin unë e quaj të traditës, nuk është gjë tjetër veçse Islami i atyre shqiptarëve që kanë qenë e janë myslimanë nominalë, d.m.th. myslimanë vetëm për shkak të traditës familjare, e që për rrjedhojë, në thelb nuk janë myslimanë. E prandaj Islami edhe këtyre anëve, thonë ata, është përfaqësuar jo prej “myslimanëve me hënëz”, por prej të tjerëve, prej atyre që luteshin pesë herë në ditë, që rakinë nuk e vinin në gojë, që me të krishterët mbanin distancën e duhur, që gratë i mbulonin jashtë dyerve të shtëpisë etj. etj.

Tani, këtu është hera për të bërë një diskutim të shkurtër. E thashë edhe më sipër, një fe është ashtu si besimtarët duan që të jetë. Janë besimtarët që i japin fytyrën fesë, e jo feja besimtarëve. Mund të duket paradoksale, por historia këtë na ka treguar. Historia e Islamit nuk është thjesht një histori shkumëzimi kundër modernitetit. Përkundrazi, është një histori me të gjitha ngjyrat. Para një mijë vitesh ka ekzistuar një islam tjetër. Para pesëqind vjetësh një tjetër, gjithashtu. Edhe para 50 vitesh Islami, më saktë mënyra se si myslimanët e shihnin apo interpretonin fenë e tyre (sepse rëndom feja kjo është, d.m.th. mënyra se si ndjekësit e saj e interpretojnë atë), ka qenë tjetër. Në librin e Manlio Grazianos, Lufta e Shenjtë dhe e shenjta aleancë, thuhet se “në Bagdad, andej nga mesi i shekullit XX, të agjëroje konsiderohej një gjë trillane e ekstravagante; gratë nuk e mbanin velin, alkooli shitej lirisht, kishte kinema, teatro, lokale nate … Në qendrën e krahinës së Punxhabit, në Pakistan, vetëm një e katërta e njerëzve e respektonte Ramazanin. Në të njëjtën kohë, gratë afgane mund të bëheshin mjeke. Në vitet ‘70, gazeta New York Times raportonte se femrat afgane shkonin me minifund në Universitetin e Kabulit”. Edhe në ditët e sotme ka lloj-lloj myslimanësh, që nga ata të cilët janë gay (si Irshad Manji), e mendojnë se një gay mund të jetë edhe mysliman, ata që kanë respekt të plotë për të drejtat e homoseksualëve (si kryebashkiaku i Londrës, Sadik Khan), ata që kanë qenë xhihadistë e janë konvertuar në myslimanë europianë (Maajid Nawaz), ata që shkojnë në plazh, duke i lejuar gratë e tyre të veshin tanga (siç bën Shkodran Mustafi), ata që s’e kanë për gjë të martohen me njerëz të fesë së krishterë etj. etj.

Nuk janë vetëm shqiptarët pra që i kanë bërë Islamit një interpretim të epshëm. Të gjithë myslimanët e botës këtë punë bëjnë. Secili, siç e kam thënë më sipër, është mysliman sipas mënyrës së vet. Dhe kjo mënyrë e vet përcaktohet e kondicionohet nga vendi ku ai ka lindur, nga tradita islamike e shoqërisë, së cilës ai i përket, nga mjedisi familjar e përtejfamiljar ku është rritur, nga përvojat personale, të cilat në një mënyrë a në një tjetër i japin formë besimit tonë fetar, e më në fund nga nevoja e secilit për të justifikuar stilin e jetës, e kompromise që ai bën në këtë jetë në kurriz të besimit, për të mos ua prishur qejfeve të veta. Atëherë pse duhet të marrim distancë prej myslimanëve shqiptarë të së shkuarës? Ç’mëkat paskan bërë ata që nuk e kanë bërë, e nuk e bëkan, myslimanë të tjerë?

E megjithatë, kur flas për Islamin e traditës nuk kam parasysh vetëm këtë lloj islami moskokëçarës, të cilin shumë besimtarë të tjerë fanatikë e gjejnë të pakuptimtë. Më së shumti kam parasysh një lloj tjetër islami, atë që legjitimimin e vet e kërkon te doktrina. Çfarë mendojnë myslimanët e sotëm shqiptarë për Ferid Vokopolën? Me siguri, e marrin atë për një mysliman me “M” të madhe. Epo mirë, ky Ferid Vokopola (që ka marrë pjesë në shpalljen e pavarësisë në Vlorë) ka shkruar për Zanin e Naltë, para Luftës së Dytë, një vjershë kushtuar Europës së drobitur e të shkatërruar prej Luftës së Parë, dhe në këtë vjershë ai shpreh dhembje, i qan zemra për Europën, mú siç do më qante mua sot. Dhe u referohet autorëve të krishterë në këtë vjershë: Vrave djemt e po vret / bijtë e tu, lulet me fletë / varr i bëre vehtes vetë / mbete shumë e mjerë e shkretë. Ku janë Hegel e Bakonini / Maks Vajler e Tolstojë / të shohin njeriun ku mbërriti. Hegeli, Bakunini e Tolstoi janë të njohur për cilindo, ndërsa Maks Vajler është Max Valier, austriak, një nga pionierët e fluturimit në hapësirë.

Ç’do të thoshin imamët e dijetarët shqiptarë të Islamit tonë për Vokopolën? Do ta njihnin për të tyrin? Do të doja ta dëgjoja prej gojës së tyre përgjigjen.

Islami i traditës pra ka qenë properëndimor. Myslimanët shqiptarë kanë qenë gjithë kohën të magjepsur prej frëngut. Dhe me frëng nuk kuptonin vetëm francezët, por kuptonin të gjithë Europën Perëndimore. Dhe ishte pas krijimit të shtetit shqiptar, që Islami shqiptar e manifestoi hapur këtë dispozicion të vetin. Në numrin e parë të Zanit të Naltë, të vitit 1923, në një shkrim ku flitet për “myslimanin e sotshëm” nëpër botë e për myslimanët shqiptarë në veçanti, autori ndalet edhe tek “Ingeltera”, që për të është vendi që jo vetëm “sot për sot ka në dorë të saj hegjemoninë e gati botës mbarë”, por edhe që “pjellën e vet e ushqen me ndisina të nalta dashnijet për atdhe e religjion të vet”. Dhe vijon me admirimin e vet për atë botë: “Gjimnastika, lëvizjet trupore e eksperienca në mbarështrim të jetës së inglizit janë si pajandra karakteristike, mbi të cilat mbështetet ai; inglizi 80-vjeçar endet ma fort se një kalamá i yni 10 – 12-vjeçar; ai s’mbyllet nëpër oda të serishme, nuk lëngon prej reumatizme, por larg vendit të vet, atje ndër pyllnaja të mndershme të Hindijes gjuen bisha të egra, e nëpër këso ndershmash (ndeshtrashash), shpesh edhe të rrezikshme, trupi i tij qetohet; ai lordi ingliz i mbytun në begati, s’ia lëshon kujt në dorë shkopin qi t’ia mbajë; të lodhunit për të asht nji ushqim”. Si zor që në historinë e publicistikës shqiptare të jetë shprehur më bukur adhurimi për kulturën perëndimore. Dhe këtë e bën një mysliman, në një shkrim me titullin “Me çfarë mënyre mund të rrojë myslimani i sotëm?”, në një revistë që i kish vënë vetes për qëllim t’i bënte myslimanët e Shqipërisë të ecnin “kah përparimi e qytetnimi kohotar (bashkëkohor)”.

Ç’tipare të tjera i mvishni Islamit tonë të traditës?

Mbi të gjitha, ishte një islam patriotik. Ky term, islam patriotik, sipas një interpretimi strikt të doktrinës, mund të merret për një oksimoron, por për myslimanët shqiptarë nuk ka qenë asnjëherë kështu, as para, as pas krijimit të shtetit shqiptar. Shikoni se si raportohet hytbeja e parë në gjuhën shqipe diku andej nga fillimi i viteve ‘20 të shekullit të shkuar: “Hytbeja filloi në arabisht …; [më pas] ndryshoi zani i myftiut e gjuha amtare me gjithë forcën e saj filloi të përndajë shpresë prej minberit”. Dhe në po atë hytbe, një nga urdhrat e para të Kuranit që myftiu veçoi për grigjën e besimtarëve ishte “dashtunija e atdheut”. Është kështu që thuhet në Kuran? Jo, nuk është tamam kështu. Por unë nuk po flas për Kuranin. Po flas për Islamin tonë të traditës, për atë Islam që karakterizohej edhe nga thirrja për një “vllazni kombëtare të të gjithë elementëvet qi gjinden në atdhenë tonë të dashtun”. Dhe me këta elementë ka parasysh të krishterët.

Në një vjershë me titullin “Myslimanizma e nasjonalizma”, ku polemizohet me ata që i mbahen mendimit se “fetarët nuk janë aspak atdhetarë”, thuhet se edhe pejgamberët ishin nacionalistë, pasi “librat në gjuhët e veta i kishin”, edhe Muhameti ishte i tillë, pasi “unë jam arab, thosh, faqe njerëzisë”. Dy vargjet “nasionalistë janë të gjithë fetarët / ndofta kjo disave u vjen pak e tharët”, na bëjnë me dije se në Shqipërinë e viteve ‘20 ka pasur myslimanë që i mbaheshin idesë se kombi e feja janë dy gjëra të ndara, siç ka edhe sot, apo idesë tjetër se feja është gjëja më e rëndësishme për njeriun. Dhe autori u kundërvihet atyre me forcë, duke e mbyllur vjershën me pohimin e vrazhdë: “Nasjonalist jam”. Dhe poshtë vinte nënshkrimi: H. Ali. Kush ka qenë ky poet? Mos ka qenë ndonjë prej personazheve të pjesës shekullare të Shqipërisë, që ftoheshin herë pas here ta thoshin të tyren në botimet islame? Edhe mund të na shkonte mendja këtu, por e vërteta është që autori ishte as më pak, as më shumë Hafiz Ali Korça, një nga figurat më të mëdha të Islamit shqiptar. E njëjta vjershë gjendet, në fakt, edhe në veprën 12 të opusit të tij. Është po ky autor që në një sprovë mbi qytetërimet u referohet japonezëve, të cilët në pjesën ku ngjitet sholla me këpucën shtruakan pak pluhur niponik në mënyrë që, kudo që të shkojnë nëpër botë, “të mos shkelin tjatër dhé veç dherit të tyre”. Kjo anekdotë e fundit, edhe në mos pastë qenë e vërtetë, ka qenë shumë e bukur për të ilustruar atdhedashurinë. Dhe këtë atdhedashuri, myslimanët shqiptarë e tregonin edhe nëpërmjet gatishmërisë e vullnetit të tyre për t’u ndarë nga e shkuara osmane. Madje, e denonconin këtë të shkuar. Në një prej 28 nëntorëve, në kohën e mbretërisë, dikush shkruante për Zanin e Naltë: “Bash si sot në këtë ditë fatlume nji grusht patriotësh shqiptarë të shtyem nga ndjenja e naltë atdhetare u mblodhën në Vlonën historike dhe shpallën lirinë, gjanë më të shenjtë e më të shtrenjtë të kombit. Deri në atë kohë Shqipënia ishte një trazyrë e pakrye e nji gremisje. Shpirti i Shqipënisë hiqej zvarrë nënë shkelmat e grushtat e pamëshirshëm t’anmikut. Vuente e mjera Shqipëni nënë kthetrat e pangishme të tijë.” “Anmiku i pamëshirshëm” ishin turqit, më saktë osmanët. Dhe po aty, autori Sinan Hoxha, një student shqiptar në Kajro, thotë: “Këtë mbret (Ahmet Zogun) duhet ta duem aq sa duem veten, e jo ma pak, se me të vërtetë ky asht Idhulli i lirisë qi po e kremtojmë me gëzim e hare”. Mund të mendohet se studenti në fjalë është duke shprehur mirënjohje për bursën që ka marrë prej monarkisë, por duhet thënë se luajaliteti ndaj autoritetit shtetëror ka qenë një linjë sjelljeje e myslimanëve shqiptarë, qysh prej themelimit të shtetit. Ky luajalitet u theksua gjatë sundimit të Ahmet Zogut, gjë që ishte shenjë nënshtrimi, po aq sa ishte edhe shenjë vetëdijeje e skrupujsh përballë idesë kombëtare, e cila nuk mund të zhvillohej e sendërtohej pa një shtet të fortë.

Myslimanët tanë kanë qenë kaq të lidhur me punët e fatet e bashkësisë kombëtare, sa s’e kishin për gjë të shpiknin (në kuptimin e plotë të fjalës) edhe cilësi që Islami nuk i ka e nuk mund t’i ketë. “Ylematë e ndershëm do ta dinë se gjithkush lypset të ketë liri ndërgjegje e liri fjale; kjo e drejtë është një nga themelet e njerëzisë e nuk mundet kush me e mohue, pse aj qi nuk e shef vedin të lirë me shprehë mendimet e veta, nuk e ka kuptue detyrën njerëzore e gjithmonë ka për t’u poshtnue”. Këto mendime janë të një shkodrani. Quhej Ali Fehmi Kraja. Imamët e myftinjtë e Shkodrës kanë se kujt t’i ngjajnë. Nëse duan.


Etiketa: , , , ,

Pas