Prej kohësh ka nisur diskutimi për çmimin e energjisë elektrike dhe sidomos për heqjen ose jo të fashës mbrojtëse për abonentët familjarë. Qeveria, nëpërmjet përfaqësuesve të saj në këto diskutime, jep përgjigjen stampë: Do të hiqet fasha mbrojtëse prej 300 KW. Opozita, në këto diskutime, bën (dhe me të drejtë) pyetjen retorike dhe njëherësh ironike: Do të rritet apo jo çmimi i energjisë elektrike?
Sipas të dhënave të ERE-s, janë mbi 76.3% e abonentëve familjarë ose mbi 525000 (pesëqind e njëzetë e pesë mijë) abonentë familjarë, në kontratë me OSHEE, me konsum brenda fashës mbrojtëse. Qeveria, duke pranuar heqjen e fashës, premton se rreth 203000 (dyqind e tre mijë) familje në nevojë:familje me kryefamiljar pensionist, familje me përkrahje sociale, familje që kanë në përbërje të tyre një person me aftësi të kufizuar, do të merren në mbrojtje, jo me rimbursim, por duke rritur pagesën aktuale që ato përfitojnë në masën sa do të rritet edhe vlera e energjisë për harxhimin deri tek fasha, pas heqjes së saj. Por është fakt se heqja e fashës mbrojtëse, përveç familjeve në nevojë që do të merren në mbrojtje, rëndon edhe mbi një pjesë tjetër të familjeve shqiptare (dhe jo në pak të tilla).
Shtrohet pyetja: A duhet parë kjo barrë si pengesë e pakalueshme për heqjen e fashës?
Në analizë të fundit, masa për heqjen e fashës, së bashku me masa të tjera, mund të rezultojë si e duhur për të nxjerrë Sistemin Energjetik të vendit nga “gropa e zezë”. Nëse është kështu, atëherë mund të shihen rrugë të tjera për të lehtësuar barrën që do të krijohet tek disa familje nga heqja e kësaj fashe.
E them që në fillim, të mos fshihemi prapa gishtit: Heqja e fashës, padyshim që do të sjellë rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Problemi nuk është nëse do të rritet apo jo, por sa do të jetë kjo rritje dhe, mbi të gjitha, kujt do t’i faturohet ajo?
Çfarë propozoj dhe hedh për diskutim?
- Heqjen e fashës mbrojtëse, që tashmë mund të konsiderohet fakt i kryer.
- Rritjen e çmimit të energjisë që Korporata Energjetike Shqiptare (KESH) i shet OSHEE-së.
- Reduktim i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për energjinë elektrike që OSHEE u faturon abonentëve familjarë.
Nisur nga e dhëna e ERE-s, se 76.3 % e abonentëve familjarë në kontratë me OSHEE-në kanë konsum brenda fashës mbrojtëse, dhe 23.7% e abonentëve familjarë kanë konsum mbi fashën mbrojtëse, është e arsyeshme të pranohet se konsumi mesatar mujor për një abonent familjar të jetë rreth 400 (katërqind) kw. Çmimi i energjisë që abonentët familjarë paguajnë ose “çmimi real që paguajmë sot”, përbëhet nga çmimi i vendosur nga OSHEE plus 20% tatim mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe është:
- a) Për 300 kv e fashës, çmimi real që paguajmë sot” është:
7.7*1.2 = 9.24 lekë për kw
- b) Për 100 kw mbi fashë, “çmimi real që paguajmë sot” është:
12*1.2 = 14.4 lekë për KW
- c) Mesatarja e ponderuar për 400 kw në muaj ose “çmimi real që paguajmë sot” është:
(9.24300 + 14.4100)/400 = 10.53 lekë për kw. Korporata Energjetike Shqiptare (KESH) kërkon që të rritet çmimi i energjisë që ajo i shet OSHEE-së, dhe bën kërkesë për një rritje rreth 1.2 lekë për kw. Ndërsa Operatori i Transmetimit të Energjisë (OSE) kërkon, edhe ajo, një rritje rreth 0.6 lekë për kw. Është e kuptueshme që kjo rritje çmimi do t’i faturohet OSHEE-së, e cila nga ana e saj do të kërkojë që kjo rritje (pa kërkuar edhe ajo ndonjë rritje të mundshme) të reflektohet në çmimin që do të paguajnë abonentët në tërësi e ata familjarë në veçanti.
Mendojmë se kjo do të ndodhë, atëherë, çmimi real i energjisë që do të duhet të paguajnë abonentët familjarë pas rritjes së çmimit do të jetë:
- a) Për 300 kw e fashës, “çmimi i rritur”
(7.7 + 1.2 + 0.6)*1.2 = 11.4 lekë për kw
- b) Për 100 kw mbi fashë, “çmimi i rritur”
(12 + 1.2 + 0.6)*1.2 = 16.56 lekë për kw
- c) Mesatarja e ponderuar për 400 kw në muaj ose “çmimi real i rritur”
(11.4300 + 16.56100)/400 = 12.69 lekë për kw
Pra, nëse hiqet fasha mbrojtëse dhe rritet çmimi i energjisë për KESH dhe OSE, sipas kërkesës së tyre, atëherë çmimi i energjisë do të rritet me: 12.69 – 10.53 = 2.16 lekë për kw.
Kostoja reale shtesë mujore, për mesataren 400 KW në muaj, do të jetë:
2.16*400 = 864 lekë në muaj.
Në këto llogaritje është nënkuptuar që nuk duhet të ketë, në asnjë rast, rritje të çmimit për llogari të OSHEE, pasi presupozohet që masat e marra për uljen e humbjeve dhe sidomos atyre për “vjedhje + mospagim i energjisë së faturuar” do të çojnë në rritjen e arkëtimeve të paktën me 75 milionë dollarë në vit, domethënë daljen e OSHEE nga “gropa e zezë”.
A ekziston mundësia që kostoja shtesë për efekt të heqjes së fashës dhe rritjes së çmimit për KESH dhe OSE të mos rëndojë e gjitha mbi abonentët familjarë? Them se po! Le të kujtojmë që Mazhoranca Qeverisëse ka premtuar që brenda mandatit qeverisës do të ulë normën e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) për energjinë elektrike, për abonentët familjarë, duke e bërë atë 6%. Nuk jam nga ata që kërkon që kjo të bëhet menjëherë, por mendoj se nuk kushton asgjë në të ardhurat e buxhetit të vitit financiar 2015, që përkon edhe me heqjen e fashës mbrojtëse, që norma e TVSH për këtë mall të ulet në masën 10%. Ja se ç’thonë llogaritjet: Më sipër u tregua se “çmimi real i rritur” do të jetë 12.69 lekë për kw (me TVSH 20%). Me TVSH 10%, llogaritjet tregojnë se “çmimi real i rritur” do të jetë 11.6325 lekë për kw, domethënë 1.0575 lekë për kw më pak.
Gjithë “kostoja në buxhet” e një operacioni të tillë do të ishte:
400 kw1.057512 muaj = 5076 lekë në vit për një abonent familjar
5076*680000 abonentë = 3451.68 milionë lekë ose rreth 31 milionë dollarë në vit.
Kjo shumë nuk është as sa gjysma e atyre 75 milionë dollarëve që pritet të vijnë nga eliminimi i humbjeve nga “vjedhje + mospagim i energjisë së faturuar”. Mbase janë edhe shumë, por edhe përfitimet janë disa:
- KESH dhe OST dalin nga kolapsi (u plotësohet kërkesa për rritjen e çmimit)
- OSHEE eliminon humbjet nga “vjedhje + mos pagim i energjisë së faturuar” (sigurisht nëse rrit performancën) dhe arkëton të paktën 75 milionë dollarë plus.
- Mazhoranca fillon, që në vitin e dytë të qeverisjes, të mbajë premtimin për uljen e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) për energjinë elektrike për abonentët familjarë. Nuk është pak!
*Pedagog në UET