Op Ed

Dobësia e ekonomisë dhe dhimbja e protestës




               Publikuar në : 08:07 - 16/03/19 |
Nga Albana Muçaj

Nga Albana Muçaj


Agropërpunuesit nisin të hënën e ardhshme protestën e tyre, duke mos blerë qumësht te fermerët. Shkak është barra shtesë e TVSH-së për ta. Pse të hënën? Duan të mos “përplasen” me protestën e opozitës që do të zhvillohet ditën e shtunën.

Të shqetësuar për uljet e shitjeve, fermerët këtë jave derdhën në rrugë qindra litra qumësht, duke i kërkuar qeverisë të gjejë një zgjidhje.

Gjithçka nisi me ndryshimet në ligjin për rimbursimin e TVSH-së, ky fermerit planifikohet t’i rimbursohet 6% TVSH, e jo 20%.

Alban Zusi, drejtues i Shoqatës së Agropërpunuesve paralajmëron efekte të përshkallëzuara në zinxhirin ushqimor. Sipas tij, “në zinxhirin e prodhimit, ndërprerja 3 ditë me furnizimin e lëndës së parë jep efekt direkt në prodhim. Protestës pritet t’i bashkohen edhe sipërmarrje të tjera të lidhura me tregun e qumështit”.

Një sërë protestash në vend bazohen në çështje ekonomike, shqetësime të lindura tani apo më parë.

Më e madha ishte ajo e studentëve, e cila u shua pas “Paktit për Universitetin”, miratuar nga qeveria, ndonëse shumë studentë e profesorë kanë ende rezervat e tyre. Prej muajsh në njoftimet zyrtare lexoni për punësimet e praktikat e studentëve në administratë. Ka edhe profesorë që shqetësohen për këtë, pasi puna në administratë nuk është modeli i tyre më i mirë. Por, për të kënaqur studentët, në vendimin e fundit (13 Mars) të Këshillit të Ministrave, parashikohet që Ministrisë së Arsimit t’i shtohet fondi me 1.7 miliardë lekë. 1 miliard merren nga rezervat e shtetit, 0.3 nga përkujdesi social, dhe 0.38 miliardë nga arsimi bazë. Pra, nëse lindin shpresat për një trajtim më të mirë ekonomik të studentëve (nëse paratë përdoren efektivisht), e sigurt është ulja e shpenzimeve për shtresat më në nevojë, pjesë e programeve të mbështetjes sociale. Për sa u përket emergjencave, mundet vetëm të shpresojmë të mos kemi të tilla.

Prej tashmë më shumë se 5 muajsh protestohet në Unazën e Re. Të ndërgjegjshëm që nuk kanë ndërtuar në tokën e tyre, ata e dinë gjithashtu se dhjetëra mijëra prona janë legalizuar, ndërtuar po në të njëjtën formë. Zëri i protestës nuk po arrin në qeveri edhe pse mijëra punonjës në kompanitë e vendosura në autostradë, përballen me trafik çdo ditë në kthim.

Nga fillimi i këtij viti ndërkohë, të gjithë prodhuesit dhe eksportuesit fason, janë grupuar e i kërkojnë qeverisë të rimbursojë TVSH-në e vonuar prej rreth një viti, (zyrtarisht TVSH rimbursohet në një muaj) e të ndërhyjë me masa që zbusin efektin e zhvlerësimit të euros ndaj lekut. Eksportuesit thonë se fitimet e tyre kanë rënë në mënyrë të theksuar, ndaj nuk po investojnë e nuk po marrin punonjës të tjerë në punë.

Vitin e kaluar, ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj pati theksuar, se, “eksportuesit nuk janë dëmtuar nga zhvlerësimi i euros”. Megjithatë, buxheti i shtetit u rishikua më pas, pikërisht se euro e dobët solli më pak të ardhura nga taksat. U ulën të ardhurat nga taksat por jo të ardhurat nga eksporti?! Të gjithë protestuesit janë kujdesur të qëndrojnë larg protestave opozitare, për të theksuar se kanë realisht një problem ekonomik.

Edhe pse flasim për buxhete afatmesme, e afatgjata, strategji pa fund për sektorë të ndryshëm, Shqipërisë po i mungon ende mendimi për të nesërmen, për fëmijët. E vetmja gjë e menduar për ta (fatkeqësisht) janë Projektet Publike Private, të cilat e kanë shtrirë barrën e borxhit mbi qytetarët për 30 vitet e ardhshme.

*Businessmag.al


Etiketa: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Pas