Nga Edison Ypi
Çfarë të bësh me dobiçin që ta lënë te pragu ose në prehër, ta mbash, apo ta lësh? Ta mbash, të vjen turp. Ta hedhësh, të vjen keq. Fatmirësisht, mbajtja apo shkelmi nuk janë të vetmet alternativa. Këqyre mirë dhuratën e pakëndshme prej mishi. Nëse dobiçi që ta kanë ngecur nuk ka bile, s’ke ç’e do, të nxjerr telashe, mos u merr me të, s’ka parë kush hajër nga verrat, hidhe. Nëse të kanë llocur dobiç me bile, mbaje se është mashkull. Pas pak bilja do bëhet bole, do bëjë punë të mëdha, do korrë suksese për vete dhe për Kombin.
Dobiçi, ai me bile që do i bëhen bole, si bir pasioni ngjizur kushedi se në ç’hotel a motel mes britmave të qefit, është pakrahasimisht më i shkathët, më energjik, se ne të tjerët ngjizur me gromësima dhe shurre mëngjezi. Mos e lër te pragu. Fute brenda dobiçin. Vër doreza llastiku nga ato që lan enët. Mbështille dobiçin me bile me një gazetë nga ato që ekzistojnë por nuk lexohen. Fute në torbë. Torbën me dobiç brenda shko lërja në prehër ndonjë rebeli, ndonjë antikonformisti. Do ta lumturosh. Adhuruesi i kaosit do ja lajë e shpëlajë gjakrat, do ia sistemojë kordonin dhe kërthizën. Por nuk do ta mbajë gjatë. Do t’i dali shpejt nga qefi. Pas pak ditësh do, t’ia hedhi dobiçin nga dritarja brenda në dhomë një tjetri që ka kaq kohë që po kërkon një dobiç për birësim. Ky, pasi të falenderojë Zotin që duke u sjellë hallexhinjve hera-herës dobiça te pragu nuk e lë dobiçllëkun të shteret, do t’i drejtohet dobiçit me fjalët; Ti o Fati im dobiç, më vonë do pish raki, do bësh qef, do tymosësh hashash, do kurdisësh dallavere, do vjedhësh, do bësh korrupsion. Tani për tani na pi pak qumësht. Por nuk bën për mua. Mua më duhet dobiç pa bile. Dhe pa ja hequr biberonin nga goja, një ta mbledhur dobiçin me një xhaketë zbori mbetur nga koha e kurvit, një ta vënë te zgara e biçikletës, do shkojë t’ia dhurojë dobiçin njërit që ka nisur të shkruaj librin “Dobiçllëku në shekuj”. “Ja, ta solla lëndën e parë për librin tënd, do t’i thotë, dhe do ja lërë mbi tavolinë. Bëj libër të mirë! Provo përmes librit tënd dhe dobiçit që të solla rolin e pashmangshëm të dobiçave në historinë tonë. Binde miletin se dobiçat jo vetëm s’duhen vrarë, por duhen mirëmbajtur dhe raca e tyre duhet përtërirë. Se botën nuk e çojnë përpara qurranjosat dhe moralistat por dobiçat dhe dobiçllëku. Bëj çmos të hapet fakulteti i dobiçologjisë me të gjitha nëndegët përkatëse ku të mësohen si duhet: Dobiçllëku akut, dobiçllëku afatgjatë vizionar, dobiçi liberal, dobiçi konservativ”. Fati i Kombit varet për së pari nga numuri i dobiçave dhe sofistikimi i dobiçllëkut. Këtë s’e luan as topi. Jo më kot Dante Aligieri i ka kushtuar dobiçit vargje në formë amaneti nga më të bukurat; “Dobiçi shokë dobiçi, me të ngrënë e me të pirë, në diell a në dëborë, kudo me bile në dorë”. Për t’u habitur me naivitetin e disave që gjetjen e dobiçit e konsiderojnë fatkeqësi. Gjetja e një dobiçi në prag, në prehër apo kudo tjetër, është mbarësi, është Fat.
Dobiçi është mbijetues i madh. Sfidues madhështor. Tani që të mirat që gëzojmë falë dobiçëve dhe dobiçllëkut janë bërë një realitet i prekshëm nga të gjithë, të merren masa që dobiçllëku të përhapet si dhe sa e meriton. Rëndësi e veçantë t’u kushtohet mijëra dobiçërve që gazetat, radiot, televizionet ua fusin shqiptarëve natë e ditë pa u ndalur përmes veshit, syrit, trurit. Dobiçllëku më së fundi duhet mësuar nëpër libra që të tregojnë me saktësi me dobiçin çfarë të bësh, dobiçin ku ta lësh, në prehër, në prag, në kazan, në trotuar, në përrua, në ferrë. Një ditë në vit të quhet “Dita e Dobiçit”. Të shpallet ditë feste kombëtare dhe të jetë pushim. Dobiçi të mos lihet dokudo. Pasi të paketohet në kuti me ngjyra lidhur me kordele dhe mbishkrimet përkatëse, dobiçi të bëhet peshqesh për ditëlindje a të tjera festa. T’i thuhet ndonjë kolektivi punonjës andej nga Gjiri i Patokut ose Bytha e Patës të shpalli iniciativën mbarëkombëtare “Dobiçi çështje e të gjithë popullit”. Mos pyet nëse dobiçi që ta ngecën është i gjallë apo i vdekur, i larë apo i përgjakur, me apo pa kordon ombelikal, i përshtatshëm ose jo për t’u birësuar, i plotëson apo jo kushtet për trafikim organesh.
Dobiçin kurrë mos e braktis. Dobiçin gjithmonë mbaje, gjithmonë merre, gjithmonë ushqeje. Sidomos sot kur është bërë më se e qartë se dobiçi dhe dobiçlliku përbëjnë kockën, palcën, kuintesencën e racës sonë, dhe Shqipëria është bërë e tëra një Dobiçhane ku gjithçka që bëjnë dobiçët e kudondodhur, në veshët e shqiptarëve vjen si muzikë e Paganinit, e sofistikuar dhe bosh.