Rregullorja e Parlamentit Europian dhe ajo e parlamentit skocez janë dy modelet me të cilat po konsultohet komisioni i posaçëm kuvendor i ngritur për të realizuar reformën parlamentare. Është anëtari socialist i këtij komisioni, Namik Dokle, ai që tregon për punën që po zhvillohet në këtë drejtim, duke shprehur optimizmin në të njëjtën kohë se puna do të përfundojë brenda afatit të përcaktuar në vendimin e Kuvendit, pra brenda muajit mars. Ndërkohë, ai bën të ditur se para se materiali të kalojë për votim në Kuvend, do t’u vihet në dispozicion edhe institucioneve ndërkombëtare, të cilat kanë ofruar dhe asistencën e tyre për këtë proces.
Axhenda
Nënkryetari i Kuvendit, Namik Dokle ka bërë të ditur se grupi i punës ka zhvilluar dy takime, ku ka hartuar një axhendë të punës, si dhe ka përcaktuar një grup ekspertësh që do të merren me punën konkrete për hartimin e propozimeve. Pjesë e vendimmarrjes së këtij komisioni është nisja e kontakteve me institucionet ndërkombëtare që janë ofruar të ndihmojnë për reformën parlamentare, si NDI, OSBE apo ambasada angleze. “Grupi i ekspertëve aktualisht ka bërë një punë konkrete dhe janë listuar në një dokument të gjitha problematikat që kanë të bëjnë me reformën parlamentare jo thjesht për ndryshimet e rregullores, një pjesë e të cilave është bërë e njohur nëpërmjet një iniciative ligjvënëse nga grupi socialist, por në tërësi për një reformë parlamentare që ka të bëjë edhe me rregulloren, edhe me statusin e deputetit, edhe me buxhetimin e Parlamentit dhe të veprimtarisë së komisioneve e të deputetëve dhe shumë problemeve të tjera”, – u shpreh Dokle. Ndërkohë, aktualisht ai ka bërë të ditur është bërë një listim i të gjithë problematikës që është evidentuar nga opinioni i Bashkimit Europian në vitin 2010 dhe 2011 dhe synimi i grupit të punës është që t’i reflektojë këto elemente në ndryshimet që do të bëhen përmes reformës parlamentare. “Ne kemi bërë një ballafaqim të të gjitha problematikave dhe e kemi krahasuar me rregulloren e Parlamentit Europian. Njëkohësisht, të gjitha propozimet që ka bërë deri më tani PS-ja, grupi parlamentar i saj, janë bërë në ballafaqim me rregulloren e Parlamentit Europian. Natyrisht do të ketë edhe propozime të tjera, qoftë nga socialistët, qoftë nga grupi parlamentar i PD-së apo nga grupet e tjera parlamentare, të cilat ne përsëri do t’i vëmë në një tabelë krahasuese me rregulloren e Parlamentit Europian. Jo të gjitha elementet që ne kemi vënë si probleme për diskutim kanë ekuivalentet e tyre në rregulloren e Parlamentit Europian, sepse dihet që Parlamenti Europian nuk është si parlament nacional dhe ka disa specifika të ndryshme”, – tha Dokle.
Rregullorja
Për shkak se rregullorja e Parlamentit Europian për vetë mënyrën e organizimit të tij nuk mund të merret plotësisht dhe të aplikohet në vendin tonë, komisioni ka vendosur që për një sërë çështjesh të tjera të marrë si model përvojën që kanë një sërë vendesh që kanë ngjashmëri me Shqipërinë. Njëra prej tyre është edhe rregullorja e parlamentit skocez. “Ato probleme që nuk gjejnë pasqyrim në rregulloren e Parlamentit Europian, do t’i ballafaqojmë me praktikat e disa parlamenteve të vendeve të BE-së, sidomos vendeve perëndimore si Gjermania, Franca, Skocia. Na kanë sugjeruar modelin e parlamentit skocez, duke qenë se dhe ai është një parlament i ri si ne, dhe mendohet se ka ngjashmëri e përafrohet me rregulloren tonë”, – u shpreh Dokle.
Gjithashtu, ai ka bërë të ditur se ka disa rekomandime edhe për parlamentet e vendeve baltike, të cilat kanë ngjashmëri funksionale me vendin tonë. Lidhur me statusin e deputetit, Dokle ka bërë të ditur se nuk ka shumë vend për të ndërhyrë, por ajo që mund të preket është problemi i buxhetimit të veprimtarisë së parlamentit. “Aktualisht buxheti i Parlamentit është një buxhet që nuk ka detajime për veprimtarinë e komisioneve, për veprimtarinë e deputetëve dhe nga kjo pikëpamje pengohet puna e komisioneve. Ne mendojmë që komisionet të kenë buxhet të pavarur nga administrata që merret me buxhetin. Komisionet duhet të kenë buxhet që të kenë mundësi veprimtarie të papenguar. Komisionet kanë nevojë për ekspertiza analitike dhe ekspertiza të thella në veprimtarinë qoftë ligjvënëse, qoftë kontrolluese mbi qeverinë. Mirëpo këto nuk mund të bëhen me shkopin e dirigjentit”, – tha Dokle.