Bisedë me Michel Eltchaninoff, Profesor doktor në Filozofi, specialist i fenomenologjisë dhe mendimit rus, zv/kryeredaktor i së përjavshmes Philosophie Magazine.
Jeta e Ideve: Shpesh Putini paraqitet si një autokrat njëherësh nostalgjik i BRSS-së dhe i merakosur për të rifituar një fuqi të humbur që nga fundi i bllokut sovjetik. A nuk është paksa i thjeshtuar ky vizion? A nuk ka një doktrinë Putin, që nuk thjeshtohet në një keqardhje për lavdinë e shkuar?
Michel Eltchaninoff: Putini është një trashëgimtar i sovjetizmit. Dyzet vitet e para të ekzistencës së tij i ka jetuar në BRSS. Aty ai është mbrujtur fuqishëm me disa vlera – atdhetarizëm, ushtarakizëm, kompleks superioriteti prej fuqie të madhe. Ka shërbyer në atë që ai e shihte si elitë të kombit : KGB, dhe pas 1991-it, FSB. Por nga ana tjetër, duket se ai nuk ka besuar kurrë në modelin komunist të një ekonomie shtetërore apo shoqërie pa klasa. Pra, kur ka ardhur në pushtet më 1999, nuk ka dashur ta rehabilitojë sovjetizmin. Megjithatë, ka pohuar se dëshiron t’i pajtojë trashëgimitë cariste dhe komuniste të vendit. Mbi këtë themel sovjetik janë mbivendosur dhe shtresa të tjera. Gjatë mandatit të parë presidencial, nga 2000 deri 2004, ka përqafuar një profil liberali. Citon me dëshirë Emmanuel Kantin dhe rikujton përkatësinë e Rusisë ndaj një Europe të së drejtës dhe demokracisë. Dëshiron që Rusia t’iu bashkohet “standardeve” perëndimore. E paraqet veten si një drejtues i cili rivendos stabilitetin, madje begatinë brenda vendit, dhe prestigjin e humbur jashtë. Duhet theksuar kjo shtresë liberale. Putini nuk mban saktësisht të njëjtin fjalim ndaj europianëve dhe përfaqësuesve të fuqive aziatike, për shembull ndaj kinezëve, përpara të cilëve gati sa nuk shfajësohet se ka pasur një portret të Pjetrit të Madh në zyrën e vet në Shën Petersburg, dhe kritikon të drejtën e ndërhyrjes alla perëndimore. Veç kësaj, versioni i tij i demokracisë është i ngurtë. Së fundi, mënyra me të cilën mbyll gojën e mediave sapo vjen në presidencë, përcjell luftën në Çeçeni dhe i bën zap oligarkët, ka përse t’i shqetësojë demokratët.
Që nga 2004, një sërë ngjarjesh e lakojnë këtë diskutim modernizues. Tragjedia e Beslanit, kësaj marrjeje peng në një shkollë të Kaukazit rus, e cila shkakton vdekjen e 346 vetëve, ndër të cilët mjaft fëmijë, pas një operacioni rrëmujë të forcave speciale, e trondit Putinin. Ai duket se nuk beson më tek institucionet demokratike. Dy javë pas Beslanit, njofton se guvernatorët e rajoneve tani e tutje do të jenë të emëruar, e jo më të zgjedhur. Mbështetet gjithnjë e më haptas te patriarkati ortodoks i Moskës për ta “ç’egërsuar” vendin. I pret mjaft keq revolucionet me ngjyra (Gjeorgji, fund 2013, Ukrainë, fund 2014) dhe hyrjen e vendeve baltike në NATO dhe BE. E bind veten se Rusia ka përballë kundërvënien aktive të fuqive perëndimore. Përvijohet kështu një kthesë e parë konservatore. Pas episodit të presidencës Medvedev, që nga 2008 deri 2012 dhe rikthimit në presidencë, Vladimir Putin i thellon prirjet tashmë të pranishme në dy mandatet e para: konservatizëm i hapur kundër një Perëndimi të gjykuar si dekadent dhe të shkëputur nga rrënjët e tij të krishtera; pohimi i një “udhe të veçantë ruse” që duhet mbrojtur me çdo kusht përballë armiqësisë së Perëndimit; përshpejtimi i projektit të Bashkimit euraziatik (faktik që nga fillimi i vitit 2015 me Bjellorusinë, Kazakistanin dhe Armeninë, në pritje hyrjesh të reja). Këto tri shtresa janë ushqyer me citime që Putini i ruan për fjalimet më solemne.
Që nga 2005 e deri në dhjetor 2014, ai i referohet rregullisht Ivan Iljinit (1883-1954), filozof rus i mërguar në Europë, antikomunist dhe antidemokrat i flaktë, admirues i Francos dhe Salazarit. I pëlqen të huazojë formula nga Nikolaj Berdiaev (1874-1948) apo nga Konstantin Leontiev (1831-1891) për të mbështetur konservatizmin e tij. Ka për zemër Lev Gumilevin (1912-1992), i cili përfaqëson teorinë euraziste gjatë periudhës sovjetike. Pra, sovjetizmit zanafillor dhe pudrosjes liberale i duhet shtuar edhe një konservatizëm, një neo-sllavofili me pretendim shkencor, si dhe eurazizmi. Rezultati i kësaj është një ideologji shumëformëshe, ku të vetmet pika të përbashkëta janë ideja e perandorisë dhe armiqësia ndaj Perëndimit. E mjaftueshme kjo për t’i shërbyer një presidenti i cili kërkon ta mobilizojë popullin e vet pa u mbyllur në një korpus tepër shtrëngues.
Jeta e Ideve: Putini duket i fiksuar pas unitetit të kombit dhe shoqërisë ruse, që ai e kundërvë ndaj së ashtuquajturës shpërbërje të shteteve demokratike perëndimore. A nuk është ky fiksim ai që përcakton gjerësisht politikën e tij të jashtme?
Michel Eltchaninoff: Çështja e raportit ndërmjet unitetit dhe larmisë është që prej shekujsh një nga çështjet e mëdha politike dhe kulturore të Rusisë. Duke qenë një perandori, ky vend përfshin popuj tejet të ndryshëm. Sot, përveç “rusëve etnikë”, Federata e Rusisë ka tartarë, çuvashë, bashkirë, buriatë, etj., më shumë se 130 “kombësi”. Si mund të sigurohet uniteti politik pa i shtypur kërkesat kombëtare? Nuk është një rastësi nëse filozofia e Leibnizit, model bashkëjetese substancash individuale në gjirin e një sistemi harmonie, ka njohur një sukses të madh në filozofinë ruse të fundshekullit XIX. Kurse mendimtarët fetarë të njohur nën emrin e sofiologëve (Vladimir Soloviev, Pavel Florenski apo Sergej Bulgakov…), përpilojnë ndërtime konceptuale të ndërlikuara që synojnë të kapin lidhjen ekzistuese ndërmjet Zotit dhe universit, domethënë unitetin e hyjnores dhe shumësisë së krijimit në gjirin e “unitotalitetit”.
Por Vladimir Putini nuk sillet si nxënës i metafizikanëve. Në planin taktik, qëkur ka ardhur në pushtet, Putini ka zgjedhur metodën e fortë: ka dashur ta bëjë një shembull Çeçeninë, të “paqësuar” me dhunën më të skajshme. Përkundër çdo synimi autonomie apo qeverisjeje vendase, ka rivendosur “pushtetin vertikal”. Në rrafshin teorik, alternon nxitjen e rusitetit ortodoks të vendit dhe apologjinë e thelbit të tij si vend me shumë etni dhe shumë fe. Mburr harmoninë ekzistuese ndërmjet popullsive të fesë ortodokse dhe 15 milionë myslimanëve të vendit. Le të rikujtojmë se teoricienët e eurazizmit janë munduar të tregojnë se ndërmjet Europës dhe Azisë ekziston një “kontinent i tretë”, një Eurazi koherente nga pikëpamja e klimës, bimësisë, gjuhëve apo relievit, e cila bashkon sllavët ortodoksë dhe turkofonët myslimanë apo budistë. Sipas presidentit rus, kjo larmi e brendshme nuk mund të shpaloset ndryshe vetëm në kornizën e një shteti të fortë që i pengon prirjet qendërlarguese.
Në këto kushte, Rusia mund të përfaqësojë madje një model për botën. Siç thotë ai që më 2003, “Rusia, si vend euraziatik, është një shembull unik ku dialogu i kulturave dhe qytetërimeve është kthyer thuajse në një traditë në jetën e shtetit dhe shoqërisë” (fjalim gjatë Këshillit për kulturën dhe artin, 25 nëntor 2003, Moskë). Simbol i harmonisë së dallimeve, në sytë e presidentit rus, Rusisë i takon të marrë kryet e Bashkimit euraziatik, i cili nuk bën tjetër veç e shpalos në superfuqi të ardhshme këtë model, “perandori të tokës”, respektuese ndaj dallimeve, të aftë për t’iu kundërvënë “perandorisë së detit” euro-atlantike, e cila i bën njësh të gjitha kulturat që i pushton. Por duke qenë se për presidentin rus, kushti i këtij modeli bashkëjetese është besnikëria ndaj Moskës si garantuese e unitetit, është për t’u vënë bast se Bashkimi euraziatik është në udhë të keqe, e se prirjet separatiste të disa rajoneve ruse s’do të bëjnë tjetër veç rriten në vitet e ardhshme.
Fakti që ai e ngre lart modelin e vet eurazist të bashkëjetesës me një dorë të hekurt, vjen ngaqë Vladimir Putini dhe disa prej njerëzve të afërm të tij mendojnë se Europa Perëndimore, që prej disa kohësh, është e nënshtruar ndaj disa forcash çbashkuese. Në mendjen e tyre, Bashkimi Europian, i paaftë të hapë perspektiva, të forcohet në arenën ndërkombëtare dhe të sigurojë begatinë e përgjithshme, është tashmë një dështim. Sipas tyre, shtetet europiane janë të hapura ndaj të gjitha mërgimeve dhe të paafta t’i bëjnë një qëndresë helmit islamist, madje asaj që ata e shohin si një pushtim mysliman. Kurse qytetarët, ata i shohin si konsumatorë pa tru dhe sipërfaqësorë që e kanë humbur shijen e atdhetarizmit dhe dëshirën për ideale të mëdha.
Jeta e Ideve: Putini e vë veten haptas kundër modernitetit. Mbi ç’themele mbështetet konservatizmi i tij?
Michel Eltschaninoff: Që prej rikthimit në presidencë më 2012, Putini nuk i ha më fjalët e veta mbi Perëndimin. Ai vajton “refuzimin e rrënjëve, veçanërisht të krishtera, themel i qytetërimit perëndimor”, nga ana e mjaft vendeve euro-atlantike. Sipas tij, këto vende “refuzojnë parimet etike dhe identitetin tradicional : kombëtar, kulturor, fetar apo dhe seksual. Përcillet një politikë që vë baraz një familje me shumë fëmijë dhe një partneritet të së njëjtës gjini, besimin në Zot dhe besimin në Djall. Teprimet e politikisht korrektes shpien në atë që mendohet seriozisht të lejohet një parti që ka si qëllim propagandën pedofile. Njerëzit, në mjaft vende europiane, kanë turp dhe frikë të flasin për përkatësinë e tyre fetare” – gjë që do të shpjerë në një “krizë demografike dhe morale” (Fjalim në Klubin Valdai, 19 shtator 2013, Rajoni i Novgorodit).
Disa javë më pas, përpara të gjithë përfaqësuesve të kombit, ai vazhdon sërish të njëjtën temë: “Sot, në mjaft vende, normat e moralit dhe zakoneve janë të vëna në pikëpyetje, traditat kombëtare janë fshirë, ashtu si dallimet ndërmjet kombeve dhe kulturave. Shoqëria nuk kërkon më vetëm njohjen e drejtpërdrejtë të së drejtës së secilit për lirinë e ndërgjegjes, opinioneve politike dhe jetës private, por edhe njohjen e detyruar të barasvlerës, sado e çuditshme që mund të duket kjo, ndërmjet së mirës dhe së keqes, që janë të kundërta në thelbin e tyre” (Fjalim në Këshillin e federatës, 12 dhjetor 2013). Përkundër relativizmit, rënies kulturore, pushtimit nga interneti, politikisht korrektes, amnezisë, mazohizmit demokratik, dobësisë përballë pakicave, Vladimir Putini nxit një edukim moral të bazuar mbi vlerat e krishtera, kulturën klasike dhe librore, atdhetarizmin, ushtarakizmin dhe respektimin e hierarkisë.
Sipas tij, në thelb, Europa është në rënie, ndërsa Rusia gjendet në një fazë ngjitëse të historisë. Ai mbështetet në skemën pseudo-shkencore të një Konstantin Leontievi, nga i cili ndodh që Vladimir Putini të citojë një nga konceptet e tij më të njohur, atë të “koklavitjes lulëzuese”. Sipas filozofit rus, anti-europian dhe anti-borgjez i flaktë, çdo qytetërim, pas një epoke thjeshtësie zanafillore, njeh kulmin e vet në një erë koklavitjeje lulëzuese, para se të shuhet në një epokë thjeshtësimi dhe pështjellimi. Për Leontievin, Europa, që nga Rilindja, nuk pjell më shenjtorë dhe gjeni, por inxhinierë, deputetë dhe profesorë morali. Ajo njëtrajtëson, në mënyrën e vet të zhvillimit dhe konformizmit. Por është gjithashtu e hutuar. Banorët e saj janë të humbur dhe nuk dinë t’i japin një kuptim jetës. Tregohen të paaftë të njohin një parim të epërm ngazëllyes. E marrim me mend sa e drejtë iu është dukur kjo tablo e Europës këshilltarëve të Vladimir Putinit. Por për këtë të fundit, lulëzimi dhe koklavitja janë të mendueshme vetëm nën drejtimin e vëmendshëm të një shteti që mobilizon dhe përbashkon forcat e tij të gjalla.
Jeta e Ideve: Kush ka ndikim tek Putini? Si ndërtohet doktrina Putin?
Michel Eltchaninoff: Putini nuk është vetë një intelektual. Por, besnik ndaj traditës ruse dhe asaj sovjetike, atij i pëlqen t’i zbukurojë fjalimet e veta me referenca nga kultura dhe mendimi. Përveç këshilltarëve që ia shkruajnë fjalimet, në mjedisin e vet ka dhe disa persona që pretendojnë titullin e ideologut. Më i mpleksuri në mendimin rus dhe në një vizion ultra-konservator të botës, është Vladimir Jakunini. Mbajtës i një doktorature në shkenca politike, president i shoqërisë së hekurudhave ruse, tejet i afërt me presidentin, Jakunini organizon takime të kushtueshme intelektuale rreth “Dialogut të qytetërimeve”. Mbron qëndrime të ashpra anti-perëndimore. Duke u paraqitur si tejet besimtar, shkon në Jerusalem për çdo vit, për Pashkë, me qëllim që të sjellë prej andej flakën e “zjarrit të shenjtë” e cila do të shfaqej atje si një mrekulli. Financon dhe organizon “turne” të ndryshme relikesh në Rusi. Dhe së fundi, edhe pse nuk janë politikanë, ka dhe dy të tjerë që ndikojnë në refleksionin e presidentit rus. Kineasti i njohur Nikita Mikhailkov, që prej dy dekadash, pretendon të mishërojë rilindjen e një “Rusie të bardhë” pas rënies së komunizmit. Ai hulumton papushim figurën e filozofit “të bardhë” Ivan Iljin.
Dhe në fund, Putini do të kishte dhe një prift rrëfyes, At Tikhon Shevkunovin. Ky ish-student i shkollës së kinemasë në Moskë, tani është epror i Manastirit të Takimit të ikonës së Virgjëreshës së Vladimirit në qendër të Moskës. Është i fuqishëm dhe ia kanë frikën. Thonë se ka një ndikim të madh mbi të.
Përveç këtij rrethi të afërt, duhet shënuar se idetë qarkullojnë ndërmjet Kremlinit dhe shoqërisë. Mjaft personalitete politike dhe mediatike pëlqejnë t’iu referohen mendimtarëve të përmendur nga Vladimir Putini. Një faqe internet si “Ideja ruse”, e mbajtur nga një filozof i Universitetit të Moskës, Boris Mezhuev, gjithashtu zv/kryeredaktor i së përditshmes Izvestia, e afërt me pushtetin, përcjell mesazhin konservator të presidentit. Filozofi Ivan Iljin shfaqet shpesh në programet e provimeve. Por ka dhe një lëvizje në kahun e kundërt. Disa ideologë ultrareaksionarë i shohin diskutimet e tyre të rimarra nga Kremlini. Vetëm një shembull : para disa vitesh, një ideolog që përzien trashëgiminë euraziste dhe referencat e ekstremit të djathtë, demoniaku Aleksandër Dugin, i afërt me të djathtën e re franceze dhe Alain Soral, kalonte për një tip origjinal. Sot, edhe pse jo i afërt me Putinin, duhet thënë se idetë e tij janë të rimarra në nivelin më të lartë. A nuk kishte shkruar ai, më 2009, në njërën prej veprave të tij: “Ne nuk mund ta përjashtojmë mundësinë që të luftojmë për Krimenë dhe Ukrainën lindore” (Teoria e katërt politike) ? Tani mbahet për një profet…
Jeta e Ideve: Cila është pritja, në shoqërinë ruse, e kësaj ideje? A është e njëzëshme?
Michel Eltchaninoff: Vladimir Putini është rikthyer në presidencë në kushte të vështira, pas protestave kundër vjedhjeve në zgjedhjet ligjvënëse të dhjetorit 2011. Nëse dëshiron të rizgjidhet më 2018, të rrijë në pushtet deri më 2024, dhe të zgjedhë një pasues të bindur deri më 2030, atij i duhet ta vërë në lëvizje popullin. Ai orvatet pra të lindë dy ndjenja tek bashkëqytetarët e vet : krenarinë e rigjetur të Rusisë së madhe që anekson Krimenë, mu para hundëve të së drejtës ndërkombëtare ; dhe ndjenjën e fortesës së rrethuar.
Të dyja këto motive gjenden të përziera në fjalimin e festimit të aneksimit të Krimesë, më 18 mars 2014: “politika e frenimit të Rusisë, që ka vazhduar në shekullin XVIII, XIX dhe XX, vazhdon ende sot. Ende po përpiqen të na shtyjnë në një cep, ngaqë ne kemi një qëndrim të pavarur, ngaqë e mbrojmë këtë qëndrim, e ngaqë i thërrasim gjërat me emrin e tyre dhe nuk bëjmë si hipokritë. Por gjithçka ka një kufi. Përsa i përket Ukrainës, partnerët tanë perëndimorë e kanë kaluar vijën e verdhë. Janë sjellë në një mënyrë të vrazhdë, të papërgjegjshme dhe jo profesionale”. Kjo politikë e “zellit të disiplinuar”, po të rimarrim këtu një koncept të Nikolaj Danilevskit (1822-1875), filozof sllavofil dhe pansllavist, autor i Rusia dhe Europa, i vlerësuar nga qarqet e pushtetit, a i ka sjellë frytet e saj ? Po t’iu besojmë sondazheve të institutit të pavarur Levada, kështu është, por jo aq fuqishëm. Në fund të janarit 2015, 81% e të pyeturve kanë një opinion të keq ose shumë të keq mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 71% kanë një opinion të keq mbi Bashkimin Europian. Sakaq, 84% të të pyeturve mbështesin aneksimin e Krimesë. Disi më pak se 88% në mars 2004. Kurse aksioni i Vladimir Putinit, në fund të janarit 2015, është i miratuar nga 85% e të pyeturve – përkundër 62% në janar 2013.
Shumica dërrmuese duket se e miraton diskutimin anti-perëndimor dhe zgjerimist të presidentit. Megjithatë, në periudha paqëndrueshmërie, opinioni është fluturak. Kështu, disa sondazhe të tjera të kryera nga Levada, të fusin në mendime. Në dhjetor 2014, përballë pyetjes se a janë të gatshëm ta marrin përsipër një ulje të ndjeshme të nivelit të jetesës së familjeve të tyre për shkak të sanksioneve perëndimore, 30% e të pyeturve përgjigjen po, por 62% jo. Së fundi, 64% e të pyeturve mbështesin idenë e një Ukraine të pavarur dhe me marrëdhënie të mira me Rusinë, përkundër 22% që dëshirojnë një Ukrainë nën kontrollin ekonomik dhe politik të Rusisë. Shihet pra se opinioni mbetet i lidhur me propagandën anti-perëndimore të përhapur masivisht nga televizioni rus – dhe që e paraqet situatën në Ukrainën lindore dhe jugore si një masakër, madje një genocid, të rusofonëve nga “junta fashiste e Kievit”. E tërë çështja është të dihet se deri kur ligjërimi luftënxitës i Vladimir Putinit do t’i joshë rusët, të cilët do të goditen ashpër më 2015, nga kriza e lidhur me rënien e çmimit të naftës, dhe në një masë më të vogël, me sanksionet perëndimore.
*Përktheu: Urim Nerguti