Nga Blendi Lami
Doktrina e një presidenti amerikan ka të bëjë me zbatimin e politikës së jashtme brenda kornizave të një realiteti të caktuar dhe dikton veprimet që një shtet duhet të ndërmarrë, kryesisht në politikën e jashtme. Për shembull: Hartimi i doktrinës Truman (1948) u kushtëzua nga kërcënimi sovjetik ndaj Europës dhe mbrojtja e këtij territori nga komunizmi. SHBA nuk mund të toleronte një Europë të dominuar nga sovjetikët. Një gjë e tillë do të kërcënonte vetë SHBA në një periudhë afatgjatë. Kjo doktrinë u përcaktua nga nevoja apo konteksti. Një vit më vonë ndodhi një zhvillim domethënës gjeopolitik: për të ndaluar shtrirjen e influencës sovjetike, u krijua Aleanca e Atlantikut të Veriut (NATO). Në këtë mënyrë do të kombinohej mbrojtja e Europës perëndimore me politikën amerikane të përmbajtjes së Bashkimit Sovjetik – një platformë që u zbatua dhe funksionoi deri në fundin e Luftës së Ftohtë.
Më pas, sjellja e SHBA përkundrejt vendeve-anëtare të NATO-s ndryshoi, kryesisht në lidhje me shpenzimet. Le t’u referohemi doktrinave të presidentëve të fundit. Doktrina Bush u bazua tek parime të tilla si unilateralizmi, sulmimi i vendeve-strehuese të terroristëve, sulmet parandaluese dhe mbështetja e regjimeve demokratike – parime të diktuara për të justifikuar veprimet pas sulmeve të 11 Shtatorit. Me këto politika, Bush mbajti qëndrim unilateralist dhe anti-NATO. Pas sulmeve të 11 Shtatorit, SHBA ua bëri të ditur aleatëve se Aleanca nuk kishte rëndësinë e mëparshme, nëse nuk ndiqte politikën amerikane. Përveç mosmbështetjes së SHBA në Irak, faktori kryesor i ndarjes me Francën e Shirakut dhe Gjermaninë e Shrederit ishte fakti se evropianët nuk po kontribuonin mjaftueshëm me kapacitete ushtarake në fushën e sigurisë.
Sa i përket Obamës, analistët theksojnë se vetë Obama nuk përcaktoi një doktrinë të mirëfilltë. Politika e jashtme amerikane u bazua në reduktimin e prezencës ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, dhe amortizimin e armiqësisë mes SHBA dhe botës islamike. Këto masa u diktuan nga dështimi i SHBA në luftërat në Irak dhe Afganistan, me idenë se, siç është shprehur vetë Obama, “jo çdo konflikt global kërkon një zgjidhje nga Amerika”.
Pra, të gjitha doktrinat përfaqësojnë një qëllim të imponuar nga nevoja dhe konteksti.
Në lidhje me qëndrimin e Trump ndaj NATO-s, nuk duhet të habitemi shumë. Obama dhe Bush thjesht sa janë shprehur në mënyrë më të butë. Trump ndryshon nga presidentët e mëparshëm për gjuhën më të ashpër dhe përmendjes së një “borxhi” të evropianëve ndaj Shteteve të Bashkuara.
Sipas George Friedman, politika e jashtme aktuale amerikane, e mishëruar në doktrinën Trump, “përmblidhet në një politikë që synon zgjidhjet e situatave që kërkojnë ndërhyrje ushtarake, duke përdorur praktika ofensive ekonomike dhe duke shpërfillur opinionet e të huajve”. Në këtë kuptim, doktrina Trump diktohet nga ngjarjet me të cilat përballet SHBA. Referuar Stratfor, aktualisht SHBA kontrollon ushtarakisht thuajse gjithë botën; është e përfshirë në luftime në Lindje të Mesme; ka mobilizuar ushtrinë në Poloni dhe Rumani për t’iu kundërpërgjigjur manovrave ruse; marina amerikane është e përfshirë në operacione jo-luftarake në Detin e Kinës Jugore; dhe flota është pozicionuar për goditje ndaj Koresë së Veriut në rast rreziku.
Pra, e shpërndarë në të gjithë globin, ushtria amerikane ka nevojë si për aleatë në brigjet e Atlantikut, ashtu edhe ata në Paqësor. Për shembull: një konflikt në Lindjen e Mesme do të minimizonte kapacitetet në Paqësor. Për këtë arsye, Trump e ka gjetur me vend të përdorë diplomacinë, si me Rusinë (në bashkëpunimin e frytshëm të deritanishëm me Putin) apo me Korenë e Veriut (takimi i shumëpërfolur i Singaporit). Në lidhje me kërcënimet në fjalë, Friedman thotë se “Trump ka këtë menu: agresivitet, pasivitet ose diplomaci”.
Ashtu siç ka bërë në raste të tjera, edhe me vendet-anëtare të NATO-s, Trump përdori presionin ekonomik për të ushtruar trysni në lidhje me buxhetin, që duhet të shpenzohet për mbrojtjen.
Bush deklaronte në 2006 se “duhet të ushtrojmë presion tek aleatët . . . dhe Amerika beson se do të jemi më të fortë nëse evropianët investojnë me tepër për sigurinë”, ndërsa Obama theksonte më 2014 se “nëse do të kemi një mbrojtje kolektive, të gjitha vendet e NATO-s duhet të shpenzojnë”. Në samitin e fundit, Trump nuk është shumë i ndryshëm në këtë pikë.
Buja e shkaktuar lind nga deklarata e Trup për “borxhin monetar” ndaj SHBA. “Zhurma” bëhet për të diskretituar Trump, sikur ai apo këshilltarët e tij të mos e dinë se si funksionon buxheti i NATO-s. 2 % i PBB që nuk është paguar nuk është “‘borxh” ndaj Amerikës; kjo është një shumë që shpenzojnë vendet për mbrojtjen e tyre. Madje, Trump shprehet edhe për 4%, gjë që u fut “të dridhurat” evropianëve, pasi mund ta fusë Europën në krizë ekonomike. Por kjo është thjesht loja e tij, që sigurisht krijoi tension mes vendeve-anëtarëve. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, deklaroi se “ne do të zbatojmë atë që kemi rënë dakord, 2 %”.
Në fund, “loja” funksionoi në favor të SHBA, pasi Trump deklaroi se është “e panevojshme” për t’u tërhequr nga NATO, pasi vendet-anëtare u zotuan se do të rrisin shpenzimet për mbrojtjen”. Nga ana tjetër, është e rëndësishme të theksohet se evropianët u dorëzuan para Trump. Macron konfirmoi rritjen me 2 % për të gjitha shtetet-anëtare në vitin 2024, ndërsa kancelarja gjermane, vendin e së cilës Trump, në fillim të Samitit u quajti “rob të Rusisë”, deklaroi se “patëm një takim të tensionuar . . . dhe ekziston një angazhim i qartë nga të gjithë”.
Përdorimi i termit doktrinë ka disa pasaktësi.
Së pari në gjuhën shqipe ky term, ndryshe nga anglishtja ku është më i përgjithësuar, është më specifik dhe nënkupton studime më të thelluara e shkencore për ndonjë lëmë a veprimtari.
Së dyti, të flasësh për mundësinë që paska një doktrinë Tramp(Trump), qoftë edhe në kuptimin e përgjithësuar të anglishtes, s’është serioze. Mund të flitet për ndonjë program politik të tij, për politika të ndryshme të administrates së Trampit(Trump) si: politikë ekonomike, politikë të jashtme, politikë sociale etj. por jo të Trampit(Trump) vetë, që si sharllatan që është ai në politikë mund të jetë vetëm një diletant i vetëkënaqur. Më parë se për ndonjë doktrinë Tramp(Trump) bëhet fjalë për improvizime të bujshme të tij.
Duke pasur parasysh kompetencat e presidentit që i ka ai mund t’u japë kahje disa qështjeve por kjo s’do të thotë se automatikisht ai ka një doktrinë gjithëpërfshirëse. Duke e marrë shumë seriozisht politikanin Tramp(Trump) rrezikon të bëhesh joserioz.