Ish-deputeti i PD-së që vjen nga bota e biznesit, Agron Shehaj ka zbuluar skemën e mashtrimit në tenderin e faturave elektronike. Ai thotë se pas këtij tenderi fshihet Hrvoje Čabrajič, një biznesmen kroat i akuzuar dhe i hetuar për mashtrime, që ka lidhje me Kryeministrin Rama.
Shënimi i plotë i Shehajt në facebook bashkë me dokumentet:
Para një viti, qeveria shqiptare, pa asnjë studim dhe transparencë organizoi një tender për një sistem të ri të faturimi për biznesin. Kostoja 15 milionë euro që caktoi qeveria për projektin është disafish më e lartë se çmimet e tregut për këtë lloj shërbimi.
Qeveria zhvilloi, në 21 shtator 2018, një garë fiktive, ku morën pjesë dy konkurentë falso që u skualifikuan lehtësisht, duke nxjerrë fitues një konsoricum mes kompanisë kroate “Neos doo” dhe kompanive shqiptare “Jehona Software Shpk” dhe “Datatech shpk”.
Në të vertetë, kompania “Jehona Software Shpk” hyri në tender për llogari të biznesmenit kroat, Hrvoje Čabrajič. Më datë 6 shtator 2018, para se “Jehona” të futej në tender, Čabrijč kishte blerë të gjitha aksionet e “Jehonës” nëpërmjet një marrëveshje jo publike, e cila u regjistrua në QKB vetëm në janar 2019 (dokumenti në foto).
Kjo marrëveshje u mbajt e fshehur në dokumentat e tenderit.
Hrvoje Čabrajič, është biznesmen kroat i akuzuar dhe i hetuar për mashtrime, ortak biznesi me vëllain e ish-kryeministrit, kroat Zoran Milunoviç, i cili është këshilltar i Kryeministrit Rama.
Në Dhjetor 2018, pasi u sigurua kontrata e korruptuar, marrëveshja u bë publike dhe 100% të aksioneve të “Jehona Software” i kaluan “Primus Adriatic”, kompani e krijuar për këtë qëllim në Dhjetor 2018 nga Hrvoje Čabrajič.
Nëpërmjet kësaj skeme vidhen dhe pastrohen paratë e korrupsionit. Një pjesë e 15 milionë eurove do të shkojnë në llogaritë jashtë Shqipërisë të Čabrajičit, në një skenë të ngjashme me atë atë të përdorur në rastin e “DH Albania”.
Pra: 1- sajohet një projekt me kosto të fryer disafish; 2- bëhet tender fiktiv ku del fitues një konsorcium ku bën pjesë një kompani të regjistruar jashtë Shqipërisë me pronarë të panjohur apo të fshehur dhe pa aktivitet; 3- paratë kalojnë nga buxheti i shtetit tek llogaritë jashtë vendit të kësaj kompanie; 4- nga llogaria e kompanisë së huaj paratë shkojnë të përfituesi final i korrupsionit.
Prokuroria shqiptare duhet të fillojë menjëherë hetimet për të zbuluar kush janë përfituesit e vërtetë të parave që do riciklohen nga Čabrajič në tenderin korruptiv të faturave elektronike?
A do përfundojnë paratë në llogaritë e Edi Ramës, jashtë vendit?