Dikur

Dokumentet historike mbi faktet e gjenocidit dhe terrorit mbi çamët








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:55 - 27/10/20 |
mapo.al

E vërteta historike mbi çështjen çame, gjenocidin ndaj kësaj popullsie shqiptare, e shpërngulur me forcë nga trojet e saj, si dhe për atë që historiografia e shtetit helen dhe ajo e regjimit të Hoxhës i etiketuan si bashkëpunëtorë të forcave fashiste gjermane, tashmë vjen e dokumentuar jo vetëm nga arkivat e shtetit grek dhe atij gjerman të kohës, por ekzistojnë dokumente diplomatike angleze, si dhe memorandumi i Shtabit të Përgjithshëm i Korpusit të 22-të të Ushtrisë Gjermane, dokumente të bëra publike pranë Departamentit Amerikan të Shtetit, të cilat hedhin dritë mbi të vërtetën historike të pluhurosur për shkak të disa interesave cinike dhe të ngurta nga të dyja palët, (shqiptare-greke) për zgjidhjen e kësaj çështjeje.


Një pjesë e mirë e historiografisë greke të pasluftës, si dhe diplomacia helene gjatë periudhës së “luftës së ftohtë”, por edhe ajo e ditëve të sotme kanë mbrojtur tezën absurde se populli çam ishte bashkëpunëtor i nazistëve dhe fashistëve, si dhe u largua me ta për në Shqipëri në fund të luftës. Është rasti të pohohet se në Luftën Antifashiste popullsia shqiptare e Çamërisë inkuadroi në formacionet luftarake shqiptare dhe greke mbi 1000 luftëtarë, pa llogaritur qindra të tjerë që punonin në terren. Vetëm në radhët e ELAS-it dhanë jetën 68 partizanë çamë. Tashmë është provuar se masakrat dhe dëbimin e dhunshëm të popullsisë shqiptare të Çamërisë i kreu Zerva, i cili ishte dhe bashkëpunëtor i gjermanëve.


Bashkëpunimi i Zervës me gjermanët është i provuar nga dokumentet gjermane, si dhe nga shtypi grek i kohës dhe i pasluftës, i cili ka dhënë dhjetëra dëshmi në këtë drejtim. Nga arkivat sekrete të Vermahtit gjerman për Greqinë, zbulohet një marrëveshje bashkëpunimi midis Zervës dhe pushtuesve gjermanë që të godiste grekët e tjerë.
Autori që ka publikuar këtë marrëveshje shprehet se “ekzistonte në thellësi një miqësi me ujkun”. Në dokumentin gjerman thuhet: “Gjatë natës së 1-2 shkurtit 1944, Zerva i parashtroi Komandës së Korparmatës XXII malore, me anën e një oficeri të plotfuqishëm propozimin për bashkëpunim mbi bazat që vijojnë: armëpushim, bashkëpunim në luftën kundër ELAS-it në azhurnim të vazhdueshëm mbi qëllimet e tij, mbi vetë pozitën e tij, si dhe mbi forcat armike”.



Propozimi i Zervës iu parashtrua dhe të plotfuqishmëve të Posaçëm të Rajhut për Evropën Juglindore, ministrit Nojbaher dhe përgjigjja ishte: “Të vazhdojmë tratativat deri sa të merret vendimi përfundimtar”. Më 9 shkurt 1944 u arrit aprovimi për marrëveshje lokalisht të përkufizuar. Kjo situatë vazhdoi deri në fillim të korrikut 1944. Sipas marrëveshjes me autoritetet gjermane, duhej të mbetej i lirë nga ushtria e Zervës një rrip bregdetar prej 10 km, mirëpo, më 3 korrik 1944, trupat e Zervës e pushtuan zonën bregdetare pranë Pargës. Po ashtu, gjatë natës 6-7 korrik filluan në befasi veprimet luftarake të trupave të Zervës kundër reparteve gjermane në perëndim të Artës dhe në rrugët Janinë-Artë dhe Janinë-Gumenicë.


Siç shpjegohet në dokument, “ndryshimi i qëndrimit të Zervës nga marrëveshja e arritur me gjermanët ndodhi si rezultat i ndërhyrjes së oficerëve të ndërlidhjes aleate, të cilët morën përsipër, udhëheqjen e ushtrisë së Zervës. Madje, thuhet se edhe urdhrin për sulm kundër gjermanëve e dhanë oficerët ndërlidhës të aleatëve. Nisur nga ngjarje të tilla edhe gjermanët nuk ishin të qetë për marrëveshjen që nënshkruan. Lajmet e shërbimeve sekrete gjermane konstatonin që në rast zbarkimi të aleatëve, EDES-i do të luftojë kundër gjermanëve, duke iu referuar udhëheqësit të EDES-it, Papajoanu.


Në gusht 1944, forcat zerviste arrinin rreth 21000 vetë. Ndërkaq, një tjetër fakt historik për bashkëpunimin e Zervës me pushtuesit gjermanë vjen nga Departamenti Amerikan i Shtetit, sipas të cilit në vitin 1947, pavarësisht nga dëshira e amerikanëve, që qeveria greke të mbështetej mbi një koalicion sa më të gjerë, ajo shfaqi hapur pakënaqësinë e tij ndaj kandidaturës së Zervës si ministër i Punëve Publike, duke e akuzuar atë hapur si bashkëpunëtor të gjermanëve. Ky qëndrim parimor i Departamentit Amerikan të Shtetit ishte aq i vendosur, saqë ai shkonte deri atje, sa të kërcënonte udhëheqësit grekë se, në rast të kundërt, do të tërhiqte misionin ushtarak.

Bashkëpunimi i Zervës me gjermanët ishte dëshmuar edhe në Senatin Amerikan nga oficeri i ushtrisë amerikane me origjinë greke, Kouvras, më 31 mars 1947, duke e cilësuar atë si një kolaboracionist të tipit të Mihailloviçit të Jugosllavisë. Kouvarasi i paraqiti Senatit një dokument shumë komprometues, i cili provonte marrëveshjen që ekzistonte midis forcave të armatosura gjermane në Epir dhe EDES-it të Zervës. Ky dokument ishte një memorandum i Shtabit të Përgjithshëm të Korpusit të 22 të Ushtrisë Gjermane.

Tezën greke e hedhin poshtë gjithashtu edhe dokumentet diplomatike angleze të kohës, të cilat nuk mund të dyshohen për ndonjë tendencë antigreke, por përkundrazi për tolerancë ndaj aleatëve të tyre dhe, në radhë të parë ndaj forcave të së djathtës, të cilat ishin pikëmbështetja e tyre. Kështu, sipas dëshmive të njërit nga zyrtarët e lartë të misionit anglez në Shqipëri, majorit Palmer, i cili kreu një udhëtim eksplorues në Greqinë e Veriut, pohohet se “Forca 399” kishte përcaktuar deri në 2000 veta që bashkëpunuan “me gjithë zemër me gjermanët”, por ai nuk mohonte faktin që, pati edhe rreth 700 veta që luftuan në radhët e ELLAS-it kundër gjermanëve.

Tërheq vëmendjen një fakt se shifra që jep Palmeri, përkon me numrin e të dënuarve nga gjyqi famëkeq i Janinës, i ashtuquajtur “Gjyqi i kolaboracionistëve”, i zhvilluar në vitin 1945-1946, i cili dënoi në mungesë 1930 shqiptarë të Çamërisë. Palmeri pohon sidoqoftë, një të vërtetë se ky akt “padyshim ishte i inkurajuar nga gjermanët”. Gjenocidin zervist për spastrimin etnik në Çamëri e konfirmonte edhe koloneli Monague, ish-kryetar i misionit anglez në Greqi, i cili thotë se “Zerva i ndoqi çamët nga shtëpitë e tyre më 1944… Dëbimi u krye me gjakderdhje të madhe. Qëllimi ishte dëbimi i popullsisë së padëshirueshme shqiptare nga vendi i vet”.

Madje, këtë gjenocid ndaj shqiptarëve të Çamërisë e ka pohuar vetë N. Zerva, në letrën dërguar më 4 gusht 1953, Jani Dani Popovitit ku e porosiste: “Të marrë përsipër detyrën e sqarimit të bashkatdhetarëve (grekëve) se kush e pastroi Çamërinë nga shqiptarët”. Këtë fakt e dëshmojnë edhe dokumentet e Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar të refugjatëve çamë në Shqipëri. Në një memorandum të këtij Komiteti, dërguar ministrave të Jashtëm në Moskë, i cili u publikua në gazetën “Bashkimi” dhe pastaj në atë “Pravda”, pohohej: “Para shpartallimit të gjermanëve, monarkistët grekë dhe fashistët, bashkë me Gestapon, sulmuan popullsinë çame dhe shkaktuan emigrimin e minoritetit shqiptar në territorin e Shqipërisë.

Vendimet e autoriteteve greke ishin në kontradiktë të qartë me Kartën e Atlantikut dhe me vendimet e Jaltës dhe të Potsdamit”. Pozitën e gjermanëve, lidhur me gjenocidin e bandave zerviste kundër popullsisë çame e komprometon më tej një dokument tjetër që vjen nga një ditar i njërit prej nacionalistëve çamë, Rexhep Dino, i cili shpjegon dhe një enigmë tjetër, se si hyri Zerva në Çamëri, kur populli çam ishte i armatosur.

Ky dokument provon se Zerva nuk guxonte të hynte në Çamëri, sepse i trembej konfrontimit me popullsinë vendase, e cila ishte e vendosur të vetëmbrohej. Prandaj, ai ndërhyri pranë autoriteteve gjermane të pushtimit që ata të bënin çarmatimin e saj dhe ia arriti këtij qëllimi. Çarmatimi i popullsisë u krye nga gjermanët me një urdhër direkt të Hitlerit. Autori i lartpërmendur pohon se gjermanët në këtë rast nuk përfillën as lutjet e nacionalistëve shqiptarë çamë, që kishin besim tek ata për të realizuar aspiratat e tyre, për bashkimin kombëtar. Më pas Zerva hyri në Çamëri dhe kreu krimet monstruoze që tashmë dihen.


Etiketa:

Pas