Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë Donika Prelën, drejtuese e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Prela e kaloi vetingun pavarësisht akuzave të ashpra nga opozita.
KPK tha se pas hetimit të thellë ka vendosur rikonfirmimin në detyrë të Prelës.
Gjatë seancës së sotme, KPK sqaroi se dhënia e vendimit ishte shtyrë për shkak të një denoncimi publik. Nisur nga ky rast, pas verifikimeve të bëra, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit tha se nuk ka asnjë indicie serioze për të rihapur hetim ndaj Donika Prelës.
“KPK zhvilloi një procedurë të thellë të hetimit administrativ për 3 objektet e vlerësimit, dëgjoi dokumentacionin shpjegues dhe atë të bërë prezent në seancën e dëgjimit. Për rrjedhojë e konsiderojmë të përfunduar procesin e rivlerësimit. Trupi gjykues vendosi konfirmimin në detyrë për subjektin e vlerësimit Donika Prela, drejtuese e prokurorisë së shkallës së parë të Krimeve të Rënda”, deklaroi KPK.
Gjatë seancës së 22 janarit, përveç blerjes së një apartamenti që u raportua se ishte blerë me çmim më të ulët sesa vlera e tregut, prokurorja Prela dha llogari për bashkëshortin.
Bëhet fjalë për punën e partnerit të saj si inxhinier ndërtimi në një kompani, si dhe gjetjet e KPK-së se ai kishte punuar pa kontratë dhe ishte paguar “cash” gjatë viteve 2003-2005.
Vëzhguesi i ONM-së, Theo Jacobs përmendi madje shijen jo të mirë që i ka lënë shmangia nga taksat e bashkëshortit të prokurores. Por pavarësisht këtyre problemeve, Prela u konfirmua në shkallën e parë të vetingut.