Një 32-vjeçare nga qyteti i Tiranës është plagosur në orën 18:10 në qytetin e Laçit. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Kurbinit mësohet se Blerta Ismaili ka qenë duke udhëtuar me mjetin e vet së bashku me tri shoqe të saj nga qyteti i Tiranës, ndërsa ktheheshin nga pelegrinazhi në Kishën e Laçit. Policia thotë se ende nuk ka të dhëna mbi personin që ka qëlluar, por sqaroi se nga dëshmitë, ai thjesht ka dashur të trembë vajzat, por ka humbur kontrollin e armës dhe në vend që të qëllojë në ajër ka shtënë në drejtim të tyre.
Ngjarja
Sipas policisë, ajo po kthehej nga Kisha e Shëna Ndout ku kishte qenë si pelegrine, në drejtim të qytetit të Laç. Ndërsa rreth 300 metra larg varrezave të Laçit, ajo është qëlluar me armë zjarri pistoletë duke u plagosur në këmbë. Sipas të njëjtave burimeve mësohet se Ismaili është qëlluar në këmbën e djathtë nga një person ende i paidentifikuar. Sipas dëshmive të policisë së Kurbinit mësohet se nuk ka qenë objekt grabitjeje 32-vjeçarja dhe as shoqet e saj, por i riu që ka qëlluar me armë mbi të ka tentuar t’i trembë katër vajzat që po udhëtonin me mjetin e tyre, por në momentin e shkrepjes së armës ku ka dashur të qëllojë në ajër, i riu ka humbur kontrollin e saj dhe ka qëlluar mbi 32-vjeçaren. Kështu që në momentin e shkrepjes plumbi ka rënë mbi makinën e katër vajzave dhe për pasojë ka përfunduar në këmbën e drejtueses së mjetit.
Hetimet
Pas plagosjes policia e Kurbinit ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, duke bërë të mundur edhe dhënien e ndihmës së parë të plagosurës, si dhe mbledhjen e informacioneve të para për ngjarjen. Blerta Ismaili ka përfunduar në spitalin e Laçit e prej andej është dërguar në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku sipas mjekëve ajo është në gjendje kritike për jetën, pasi ka humbur shumë gjak dhe mendohet se plumbi ka kapur njërën nga arteriet kryesore të këmbës. Policia e Kurbinit, në bazë të informacioneve të marra ka nisur edhe kërkimet mbi autorin e krimit, i cili mendohet se është nga Kurbini. Kjo ka qenë arsyeja që policia ka ushtruar mbi dhjetë kontrolle banesash, por deri tani nuk ka mundur të gjejë vendndodhjen e autorit. Ndërsa në vendin e ngjarjes ajo ka sekuestruar një gëzhojë pistolete ‘TT’. Po kështu, në cilësinë e dëshmitarëve ka pyetur edhe kalimtarë të rastësishëm që po udhëtonin si pelegrinë në drejtim të Kishës së Shna Ndout.