Të gjithë e kanë vënë re se çdo postim të kryeministrit e ripostojnë në faqet e tyre ministrat, deputetët, kryetarët e bashkive, drejtorët, doganierët, punonjësit e administratës, rojet e institucioneve, policët e trafikut, gardianët e burgjeve dhe militantët. Kjo gjë ndodh ose me direktivë nga lart, ose me dëshirën dhe vullnetin e plotë të grupeve të lartpërmendur, alternativë të tretë nuk ka. Por cilado qoftë arsyeja e vërtetë mes dy alternativave të mësipërme, kjo duhet parë si një çështje shumë serioze, duhet studiuar si një fenomen i jashtëzakonshëm. Kjo sjellje ka agravuar aq shumë, sa sot, tridhjetë vjet pas pluralizmit politik ka arritur kulmin. Duhet kërkuar për një rast të ngjashëm në ndonjë vend tjetër të globit, sepse kjo tregon një gjendje të rënduar shpirtërore, dhe një krizë të rëndë kulturore dhe karakteri. Ndryshe kjo do të thotë të refuzosh të kesh personalitet, kjo është e jashtëzakonshme dhe e paperceptueshme për një shoqëri të civilizuar.
Po a ndodh një fenomen i tillë në Itali, Gjermani, Hollandë, Finlandë, Somali, Nigeri, Irak, Liban, Japoni, Indonezi, Filipine, Bangladesh, Afganistan, Kili, Uruguaj, Greqi, Bosnje? Sigurisht që jo! Por kjo sjellje e ka një shpjegim, dhe duke qenë se ne në të shkuarën tonë të afërt e kemi një precedent të tillë, mendoj se kjo sjellje na vjen natyrshëm, thjesht është rigjetur mekanizmi, është vendosur në vendin e duhur dhe funksionon. Pra kjo është çështje kulture, trashëgimie, gjeni dhe dinjiteti mbi të gjitha. Ne me sa duket nuk ndajmë të njëjtin nivel integriteti, kulture dhe dinjiteti me somalezët, irakienët, afganët, japonezët, kilianët, boshnjakët, etj.
Një sjellje e tillë shpreh krizën e rëndë kulturore të shoqërisë sonë. Shumëkush në këmbim të postit pranon të refuzojë të jetë, refuzon personalitetin dhe kapacitetin e tij dhe mundësitë për t’u zhvilluar. Fundja, për çfarë duhet një post ku nuk mund të shprehësh idetë e tua dhe të zhvillohesh?! Sa vlen një post para lirisë?! Kjo krizë e rëndë vjen si rrjedhojë e shkëputjes së marrëdhënieve me hyjnoren, me Zotin që e ngriti njeriun lart mbi çdo krijesë, por ky i fundit refuzon ngritjen dhe “ai u mbërthye pas jetës tokësore dhe u dha pas dëshirave të veta”. Refuzimi i Zotit nuk sjell alternativë tjetër përveç nënshtrimit të njeriut ndaj njeriut. Shkëputja e lidhjeve me qiellin krijon varësi ndaj tokës, kjo është edhe arsyeja kryesore e instalimit të sistemeve diktatoriale në shoqëri.
Besimi në Zot dhe në Botën Tjetër është mundësia jone e vetme për të krijuar pavarësi ndaj njeriut, vetëm ajo e zhvlerëson arrogancën e tij. Të qenurit rob i Zotit dhe i varur prej Tij, na shpëton nga të qenurit rob i njëri-tjetrit. Këtë gjë duhet t’ia themi shoqërisë; se Zoti është shpresa e tyre e fundit, ndryshe mundësia e tyre e vetme për të mos tërhequr mbi vete ndëshkimin e Tij.
Sjellja e shoqërisë sonë patjetër që të sjell ndërmend regjimin komunist të Enver Hoxhës me Koçi Xoxen dhe shokë. Pse zgjodha Koçin? Sepse mendoj se ai është simboli i provincializmit dhe paaftësisë. Sigurisht ndryshojnë mjetet por thelbi është i njëjtë. Enveri i mbushi burgjet me njerëz të ditur, të mençur, fisnikë, atdhetarë, fetarë e patriotë, ndërsa ky këta të fundit i përzuri nga Shqipëria. Ai e mbushi administratën me njerëz të paaftë, spiunë, servilë dhe provincialë, ndërsa kryenjeriu i ekraneve dhe i gjithëdituri i gjithçkaje dhe asgjësë, në ndryshim nga Enveri, përveç se e mbushi administratën me individë të karakteristikave të mësipërme, futi në sistem edhe persona me rekorde kriminale; trafikantë, banditë dhe të korruptuar.
Për instalimin e këtij regjimi diktatorial modern keni përgjegjësi ju që ripostoni çdo postim të tij, por edhe ne jemi përgjegjës, madje bashkëfajtorë sa edhe ju, që i besuam një të marri të paaftë qeverisjen e vendit, që përveç se të përqeshë, tallë dhe ofendojë nuk di të bëjë asgjë tjetër, por vetëm të endet papushim sa në një ekran në një tjetër.
Kemi gatuar keq me duart tona ndaj po hamë këtë çorbë të prishur dhe jemi duke vuajtur pasojat. Pa kaluar ende sprova e tërmetit jemi përfshirë nga belaja e pandemisë. Tërmeti na detyroi të dalim nga shtëpia, ndërsa virusi na detyron të qëndrojmë në të. Dhe me këtë qeveri të papërgjegjshme, të paaftë dhe të korruptuar vetëm sa na shtohet belaja. Na ka mbetur vetëm mëshira e Zotit, dhe nëse e kalojmë me sukses këtë sprovë, le të shërbejë kjo si mundësia jonë e fundit për të ridimensionuar marrëdhënien tonë me Zotin, pushtetin dhe vetveten.
E di të dashur miq që gjithkush mund të thotë kjo nuk është dora e njeriut, këtë gjë na tha edhe kreyenjeriu ynë, dhe duket qartë se kjo është dora e Zotit, por mos ndoshta kemi harruar se Zoti nuk është i padrejtë?! Të paktën këtë gjë e dimë të gjithë, atëherë Ai është duke na trajtuar siç e meritojmë. “Kjo është për shkak të asaj që keni bërë me duart tuaja, sepse Allahu nuk është i padrejtë me robërit e Vet!”.
Sepse dora jonë nuk la vend pa u futur. Ne e futëm dorën tek konçensionet e spitaleve, ilaçeve, ujësjellsave, shkollave dhe çerdheve. Dora jonë u zhyt tek pensionet, përkrahja sociale, ndihma ekonomike, shoqatat e jetimëve, shoqatat bamirëse, të sëmurëve dhe personave me aftësi të kufizuar. Dora jonë vuri dorë mbi pronën, pasurinë dhe mallin e tjetrit. Mbi natyrën, pyjet, lulishtet, parqet, lumenjt dhe liqenet. Dora jonë nuk la gjë të bukur dhe të natyrshme pa e prekur dhe modifikuar. Dora jonë ka privuar të varfërit dhe nevojtarët që të mbushë duart e të pasurve dhe oligarkëve. Dora jonë s’la gjë pa vënë dorë, por kur përballet me pasojat e dëmit që vetë e shkaktoi, dora revoltohet, sepse fatkeqësitë natyrore nuk janë përgjegjësitë e saj, por të Dorës së Zotit. “Por, nëse atë e godet ndonjë e keqe për shkak të asaj që kanë bërë duart e tij, atëherë, ai bëhet mosmirënjohës i vërtetë.”