fbpx

Politika

Dorëheqja e Haradinaj, reagon Thaçi: Respektoj vendimin e tij





               Publikuar në : 18:11 - 19/07/19 |
mapo.alm

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka reaguar pas dorëheqjes së dhënë sot nga kryeministri Ramush Haradinaj me arsyetimin se është thirrur nga Gjykata Speciale për intervistim si ish-luftëtar i UÇK-së. Thaçi përmend edhe këshilltarin e tij të thirrur nga Specialja dhe disa ish-eprorë të tjerë të UÇK-së ndërsa thotë se është informuar nga mediat për vendimin e Haradinajt.


Ai deklaron se respekton vendimin e kryeministrit dhe si Presidenti i Kosovës siguron se do veprojë bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore.



REAGIMI I THAÇIT
Me keqardhje mësova që Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim ish-shefin e Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, njëherësh këshilltar i imi, ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe disa ish-eprorë të tjerë të UÇK-së.
Nga mediat tani u informova edhe për vendimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e tij. Unë e respektoj vendimin e tij dhe si President i Republikës së Kosovës ju siguroj se do të veprojë bazuar në kompetencat e mia kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do të njoftohen me kohë. Unë besoj në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe besoj në vlerat e larta morale të ushtarëve të lirisë. As vlerat e lirisë sonë dhe as luftën e UÇK-së nuk mund ta cenojë askush! HTH


Thaci Fb

***

Kjo nuk është hera e parë që Haradinaj jep dorëheqje. Më 8 mars, të vitit 2005, vetëm pak muaj pasi kishte marrë detyrën, ai pati dhënë dorëheqje pas aktakuzës së parë të ngritur ndaj tij nga Tribunali i Hagës për krime lufte në territorin e ish-Jugosllavisë.

Ai ishte dorëzuar vullnetarisht në Gjykatën e Hagës. Në vitin 2008, Gjykata e Hagës e shpalli atë të pafajshëm. Katër vjet pas u bë rigjykimi i tij, po në Tribunalin e Hagës. Por, në vitin 2012, Ramush Haradinaj sërish u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat që e ngarkonin atë për krime lufte.

Një proces tjetër ndaj tij u ndoq edhe më 2017, por kësaj radhe në Colmar të Francës,ku autoritetet franceze, më 4 janar, e ndaluan atë mbi bazën e një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia për krime lufte. Por, pas një procesi gjyqësor ndaj tij, drejtësia franceze e kishte liruar atë më 27 prill.

Ramush Haradinaj u zgjodh për herë të dytë në postin e kryeministrit të Kosovës më 9 shtator, 2017.


Etiketa: , ,

Pas