Deputeti Tom Doshi tregon momentet kur u informua nga Mark Frroku se donin t’i bënin atentat. Takimet me kryeministrin, ministrin e Brendshëm, kryetarin e Parlamentit dhe kryeprokurorin. Pse ndryshoi mendim Doshi për personat që ishin të interesuar për vrasjen e tij nga Berisha tek Meta. Rrëfimi në emisionin “Top Story”.
Në një intervistë të gjatë në emisionin “Top Story”, deputeti Tom Doshi tregon momentet e para kur u informua për një atentat të mundshëm dhe gjithë ecurinë e takimeve me personalitete më të larta të politikës dhe drejtësisë. Në një orë intervistë, Doshi rrëfen dyshimet e tij për atentatet dhe përse ishin të interesuar për ta vrarë.
Të qëndrojmë pak te mënyra se si ju ratë në kontakt me vrasësin e pretenduar prej jush, Durim Bamin. Pra si ndodhi, si erdhi tek ju?
Unë kam qenë në Budva me familjen, më mori në telefon Mark Frroku dhe më tha që ku je se dua të të takoj, se është një problem urgjent. I thashë që për dy ditë kthehem. Kur u ktheva, më thotë që kam takuar një person që unë e njoh dhe më ka thënë që Ilir Meta ka paguar lekë për të të eliminuar ty dhe Mhill Fufin. Më erdhi shumë papritur dhe e çuditshme sepse me Ilir Metën kemi ndenjur disa herë për drekë e darka. Kemi shkuar në Dukagjin bashkë, më 30 korrik festuam edhe ditëlindjen e Taulant Ballës.
Pra, roli i Mark Frrokut në këtë histori është thjesht prezantimi që ai të ka bërë me Durim Bamin?
Vetëm kaq.
Tahiri në deklarimin e tij ju akuzon ju se keni ndryshuar në dy raste ose më shumë versionin tuaj mbi autorësinë. Në fakt edhe në bisedën e regjistruar me Durim Bamin, ai i referohet një tavoline miks, ku shfaqet Eugen Beci, tashmë ish-prokuror i Krimeve të Rënda dhe i transferuar nga Adriatik Llalla, shikohen në atë video gjithashtu edhe Ylli, pra pronari i lokalit “Viva”, së bashku me Fatjon Skënderin, baxhanakun e tij, pra së bashku me Eugen Becin në të njëjtën tavolinë. Por Durim Bami në dëshminë që ju ka dhënë, flet edhe për ju, flet edhe për ish-nëndrejtorin e policisë, Agron Kuliçaj, flet gjithashtu për kunatin e Berishës dhe zoti Tahiri në dëshminë e tij publike thotë se ju fillimisht keni akuzuar ish-kryeministrin Berisha për këtë ngjarje dhe më pas keni ndryshuar versionin tuaj dhe në takimin e fundit në zyrën e tij keni përmendur ju më shumë se sa Durim Bami emrin e Ilir Metës.
Kjo s’është e vërtetë! Të parin njeri që i kam thënë përveç gruas time, sepse dihet që këto gjëra edhe ndodhin se janë vrarë edhe të tjerë, deputetë. Të parit njeri i kam thënë gruas që po më ndodhi gjë e kemi prej Ilir Metës. Ia kam thënë edhe Ilirit këtë. E di edhe ai vetë kur e kam takuar. Të parit njeri i thashë Edi Ramës më 30 gusht në Durrës, kemi bërë atë analizën, në pushim të drekës Rama po pinte një cigare në ballkon dhe i thashë që kam një bisedë me ty. I thashë më ka ardhur informacion që Ilir Meta ka paguajtur lekë për të më vrarë dhe më kanë vendosur eksploziv te makina me një motor picash. Shprehimisht ka qenë fjala e Edi Ramës: Tomë të ka ruajtur Zoti! Ndër të tjera, se dua të sqaroj edhe publikun, më tha atë ditë që ne pesë deputetë po festonim ditëlindjen e Markut dhe nuk shkuam në votim, Ilir Meta dërgoi Nasip Naçon dhe si përfundim unë thashë që nuk votoj sot. Pas Nasipit erdhi vetë Iliri. Rama më tha: Ou më bëri përshtypje, si mua edhe Gramozit, si e la parlamentin ky edhe erdhi tek ti?! Për këtë punë e paska bërë, për të mbuluar gjurmë?! Pra ishte që unë lë parlamentin, kaq mik të kam.
Ai thotë që ka filluar për shkak se ju keni refuzuar të bëni denoncim hetimor…
Unë i kam dhënë informacion Ministrit të Brendshëm që njeriu që vjen në emër të Ilir Metës është Toni. Toni rri në Gjermani, në Hanover. I kam thënë kërkoju autoriteteve gjermane që ta sjellin në Shqipëri ku Durim Bami është gati t’i dalë përballë, t’i thotë po ti ke ardh. Djali i xhaxhait të tij nëpër Tiranë ka qenë, ky që më ka ndjekur mua, asnjëherë s’mori mundimin që t’i shoqërojë për këtë çështje.
Në fakt, ministri i Brendshëm thotë që janë shoqëruar këta persona, përfshirë edhe baxhanakun, edhe djalin e xhaxhait dhe asnjëherë nuk ka ekzistuar qoftë edhe një fakt që të lidhë dëshmitë e tyre me këtë akuzë.
Unë ia kam thënë Tahirit që kam pasur një takim me të. I thashë që ty të vunë një tritol në majë të kondicionerit dhe arrestove 50 vetë, mua më vunë tritol në makinë dhe nuk arrestove asnjë. I thashë që do ta bëj publike sepse edhe ato që ka dhënë Durimi i di që nuk i ke regjistruar. Jo më tha i kam regjistruar.
Një nga detajet e bisedës tuaj me Durim Bamin është fakti se ju aty i referoheni në të shkuar, takimit me prokurorin e Republikës për këtë çështje?
Me prokurorin e Republikës kemi qenë për drekë. Bisedat që bëhen gjatë drekës, e kam konsideruar mik dhe kam thënë që do ta votoj haptas. Por nuk pati nevojë sepse ishin vota të mjaftueshme dhe vota ime i prishte punë, edhe dalja ime publike.
Kishit ndonjë ndërmjetësim nga krahu tjetër për ta votuar?
Jo. Bile krahu tjetër u bë xheloz që unë dola në mënyrë publike, se thanë mos paska lidhje me Tomën.
Shkojmë tek dreka apo darka…
Në fund i thashë që kam një shqetësim personal…
Për kur bëhet fjalë?
Në shtator. I thashë që kam informacion që prej vetë personit që ka marrë përsipër eliminimin tim që një lokal në bllok, emrin ‘Viva’, pronari i saj ka dhënë një porosi në emër të Ilir Metës, por me thënë të drejtën nuk e besoj. Në atë lokal rri edhe prokurori yt, i thashë, Eugeni. I thashë që Eugeni rri ditë dhe natë aty. Është Toni, Ylli, sipas dhënieve të Durimit. Vinte Agron Kuliçaj, dhe kunati i Berishës që është baxhanak me Yllin. Në fillim normal që do kishte dyshime. Në atë kohë më dukej e çuditshme, dhe mendoja që po më vjen nga krahu tjetër.
A është e vërtetë që këto ia keni thënë edhe zotit Meta në zyrë, që dyshoni që Sali Berisha përmes kunatit të tij po sponsorizon vrasjen tuaj?
Mbarojmë njëherë me prokurorin. Më tha më lër 4-5 ditë kohë. Faktikisht ditën e premte më kërkoi një takim Durim Bami dhe më thotë ka ardhur Toni dhe më ka thënë që Toma e ka marrë vesh që duam ta vrasim dhe më thotë që ne rrezikojmë të gjithë, morëm fund po doli. Kishte thënë që duhet ta vrasim se s’bën, brenda 24 orëve. Durimit i kishin thënë që të çonte vëllanë ta vrasë në lokal ditën se nuk bën as burg se kemi mbrapa Ilirin. I vetmi person që unë i thashë ishte kryeprokurori.
Zoti Doshi, jeni i ndërgjegjshëm për çka po thoni? Pra, ju po thoni që ka pasur një komplot shtetëror mes kryeprokurorit dhe kryetarit të Kuvendit për ekzekutimin tuaj?
Këtë nuk mund të them, lidhjen e prokurorit për ekzekutimin tim. Për prokurorin them që, jam i bindur që këtë ia ka thënë Metës, se kam informacion që Meta e ka thërritur në Lalz një ditë të diel, dhe në bindjen time ai ia ka thënë. Ma ka thënë edhe Meta më pas, e dinte që unë nuk dyshoj tek Meta. Por kur nisi parlamenti, duke pas atë miqësi që kishim përpara, u bëmë dy seanca dhe me Ilirin nuk komunikuam më. Bisedova me një shok timin që më thotë a t’i them kështu- kështu është situata. Isha në Shëngjin për një darkë me Blendi Klosin dhe më mori ky shoku për të folur me Metën. Meta më thotë çfarë janë këto muhabete?! Mirë i thashë, hajd pimë një kafe nesër. E mora në telefon ditën tjetër, shkuam te ‘Sheratoni’ dhe ia shpjegova, i thashë Toni në emrin tënd ka shkuar ka bërë porosinë për të më vrarë mua dhe Mhill Fufin. Unë i thashë që nuk e besoj, është absurde, të quaj mik ty. Thirri edhe Monikën. Më tha po lajmëroj ambasadat. Pyeti Monikën dhe i tha, ti e njeh Tonin? Po, i tha Monika, Toni i Kombinatit. A e di, i tha, ku e ka lokalin? Po, i tha, afër shtëpisë sonë. Më tha mua po shkoj të takoj pak Ramën. I çova mesazh Ramës, ku e njoftova që i thashë Ilirit që t’i s’ke dijeni. Shkoi Meta te Rama dhe Rama luajti rolin se s’dinte gjë. U kthye prapë Iliri. Kemi ndenjur rreth 4 orë bashkë. E kishte një siklet. E lamë në darkë për t’u takuar në Durrës, ku vjen me Ramën me Saimirin. Duke qenë bashkë i thashë që nuk dyshoj tek ti, duhet të jenë ata tjerët i thashë. Kushedi ka dash Berisha me krijuar destabilitet. Ky u qetësua. Këtë ia thashë edhe në zyrë, por këtu nuk ka lidhje as kunati i Berishës dhe asnjë prej krahut kundërshtar. Kisha dashur të ishin ata, që të mos ndodhte tek krahu im politik.
Ka diçka, kemi dy dëshmi, atë që ju ka dhënë juve dhe atë që i ka dhënë policisë dhe prokurorisë të mërkurën. Fakt është që Rilindja Demokratike ju ka kthyer në një hero duke ju mbrojtur, dhe ju të enjten e kaluar keni dhënë edhe një shou të vogël duke takuar publikisht Sali Berishën dhe gjithashtu flitet se një natë më parë jeni takuar privatisht me të, është e vërtetë?
Jo s’është e vërtetë. Berisha doli në foltore ku tha që mua kanë dashur të më vrasin. Tha që ma kanë mbyllur gojën, ta ka mbyllur Shullazi. Unë nuk e njoh se kush është Shullazi, e kam ndjerë vetëm në media. Por nuk më ndodh që dikush të më marrë në telefon dhe të më bëjë presion. Pas kësaj i shkova Berishës tek vendi ku rrinte në parlament dhe i thashë, ti doktor e di që nuk është Shullazi. E di, e di më tha.
Ajo lëvizja e dorës, që i drejtoheshit Kryeministrit dhe ministrave, në një vend demokratik…
Lëvizja e dorës ishte që unë do t’i nxjerr të gjitha. Nuk ishte ashtu siç e kanë marrë. Nuk ishte punë presioni, pavarësisht se ai u mundua…i thashë meqenëse po sillesh kështu edhe unë i thashë nuk është puna se atë ditë u nxitova kur thashë që do t’i hap luftë…
Faktikisht i keni hapur luftë jo vetëm atij, por mazhorancës, dhe kontributi më i madh që po bëni është për opozitën dhe veçanërisht Sali Berishën.
Këtë e kam bërë për jetën time. Kam 6 muaj që pres dhe kam menduar që do kem mbështetjen e Edi Ramës. Në fillim u tregua i gatshëm, por pasi i kam thënë Ilir Metës që je ti personi, Rama nisi u tërhoq dhe mbajti krahun e Metës. Më 11 nëntor është takimi i fundit që kam bërë unë me Ramën, katër muaj që nuk kam komunikuar. I kam thënë nuk dua të rrëzoj qeverinë, por nuk dua që parlamenti të drejtohet nga një njeri që ka dhënë urdhër të vrasë dy deputetë.
Cili mendoni që është guri, lidhja, prova që fakton e që vërteton që sipas jush, Ilir Meta është urdhëruesi i këtyre vrasjeve, pasi deri më tani mbështetemi tek videoja e Durim Bamit, që në dy dëshmi deklaron dy gjëra të ndryshme. Madje ju akuzon që ju e keni paguar për të luajtur një rol.
E vërteta është ajo që pe në video. Durimi nuk është i vetëm. Ka disa bashkëpunëtorë. Është Toni, është djali i xhaxhait Rezi…
Gënjeni ju, apo gënjen Saimir Tahiri për këtë çështje?
Unë besoj në Zot, dhe mashtrimin dhe gënjeshtrën nuk e kam praktikuar.
Si shpjegohet që Durim Bami ndryshe ka folur me ju dhe ndryshe me grupin hetimor?
Durim Bamin, pas atentatit që i bënë para një jave. E takova dhe më tha që mënyra se si ishte vënë eksplozivi tregonte një dorë profesioniste.
Një dorë profesioniste do ta kishte ekzekutuar aktin…
Nuk hipi në makinë. I thashë që a je i bindur që është e njëjta dorë, po më tha. Ai ishte i vetmi dëshmitar në këtë çështje dhe donin të zhduknin. I thashë që të bashkëpunojë me policinë. Më tha më lër edhe disa ditë. E kishte ndarë mendjen për të bashkëpunuar. Faktikisht në këtë rast u nguta unë që e bëra publike përpara. Ai do dëshmonte në polici, por prapë i bëj thirrje Prokurorit e Përgjithshëm që nëse ka dëshirë për të zbardhur çështjen, Durim Bamin duhet ta marrë në mbrojtje si dëshmitar dhe jo si vrasës. Ai nuk ka bërë atentat, aq më tepër që më ka informuar mua, personi që isha etiketuar. Të marrë në mbrojtje edhe 2-3 veta të tjerë që të zbardhet e vërteta. Durimi thotë që motorin e ka vjedhur në Paskuqan dhe nuk ka qenë vetë. Eksplozivin e ka montuar te servisi i Tonit, eksplozivin e kishte sjellë një djalë i vogël. Interesi im është zbardhja e kësaj çështjeje. Nuk më intereson, përveç Tonit, këta djem i detyrohem gjithë jetën, sidomos Durit.
Flisni me detaje për njerëz të përfshirë direkt apo indirekt në këtë tentativë vrasjeje me porosi ndaj jush. Përmendët shpesh emrin e Fatjon Skënderajt, apo Tonit. Në fakt në të shkuarën këtij personi i është bërë një atentat, pa pasoja. Në dëshminë e tij, ai flet për Durim Bamin, se si ka shkuar atje me disa personazhe të tjera, por informacione të marra në mënyrë operative nga agjentë kriminalë dhe nga burime të prokurorisë më thonë se prapa atentatit të dështuar ndaj Elton Skënderajt keni gisht ose ju, ose njerëz të lidhur me ju..
Mua nuk më intereson që askush të vritet, aq më tepër Toni që është dëshmitari kyç i çështjes. Palës porositëse i intereson ta eliminojë. Prokuroria ta zbardhë, nëse do, nëse nuk do i them Ilir Metës që armik tjetër në Shqipëri nuk kam, përveç teje.
Marrë me shkurtime nga “Top Channel”