Dikur

Dosja 58 – Përmasat e barbarisë serbe mbi shqiptarët (II)




               Publikuar në : 09:00 - 12/04/19 |
Nga Veli Haklaj

Nga Veli Haklaj


VIJON NGA NUMRI I DJESHËM

 

2.8 Masakrat në komunën Llokovicës 

Mbretnija Shqiptare

Komuna e Llokovicës

Nr. 147                                                Llokovicë, më 7-9-1943

  1. T.Prefekturës

P r i z e r e n

Përgjigje urdhënit nr. 1063, datë 17. 7. 1943

Kemi nderin t’u njoftojmë se, në hetimet e zhvillueme deri më sot mbi barbarizmat sllave kundra shqiptarëve, kemi konstatue se në vitin 1912, në katundin Reçan të kësaj komune, ushtrija ushtarake e Serbisë tuej qenë t’udhëzueme prej civilave Kersto Mandushi, që sot gjendet i gjallë, Jovan Gaxhes dhe familjes Velikin, që të gjithë nga katundi Streckë, ditën kanë marrë përdhunisht të quejtunin Bajram Haxhi Hajdarin nga katundi Reçan dhe çue ndërmjet rrugëve Lubinjë e Streckë, ku aty ja kanë pre buzët, hundët, nxjerr thonjtë e gishtave, mandej nxjerr sytë, e má së fundi pre me sakica dhe shpërnda mishin e tij andej – këndej. Vdekja  e tij ashtë zgjatë nga mundimet 24 orë. Arsyeja e mbytjes së tij ásht kenë pse i përmenduni paska kenë njeri trim dhe i pashëm.

Po n’atë vit prapë fuqija ushtarake, tuj kenë të udhëzueme prej të sipërpërmendunve nga Strecka, në katundin Reçan kanë bá barbarizma tuj marrë njerëzit e shti me krye në zjarr e bá disa grabitje të hollash tuj detyrue t’i paguanin ose do t’i vritnin. Personat e munduem janë: Haxhi Rashitit 10 lira turke ari, Mustafa Arsllanit 25 lira, Haxhi Hajdarit 10 lira. Të gjithë këta persona, mbas mundimeve që u kanë bá, i kanë detyrue t’ju dorëzojnë të hollat e sipër shënueme, përveç grabis që ju kanë bá ndër dyqane e shtëpija tuj marrë unazat e vathet e grave, sexhadet e gjánat e tjera të kushtueshme. Bile sot në shtëpi të Kersto Mandushit ende gjindet llamba e grabitun prej tij Zeqir Sylejmanit nga Reçani.

Ka edhe disa barbarizma të vogla, por janë të kahershme dhe pa fakte, por këto që përshkruam sipër janë të vërteta, mbasi marrësit pjesë në këto barbarizma janë gjallë ende sot në Komunën e Streckës.

Kryetari i Komunës

Fadil Xhabija d.v.

Vërtetohet

Kryesekretari i Prefekturës

Niko Lafe

Prizeren, më 31.X. 1944

 

2.9 Raport mbi sjelljet e autoriteteve serbe kundra shqiptarëve gjatë kohës së sundimit të tyne në rajonin e Komunës Becit.

Në ditët e para e fatzeza që zbritën serbët e malazezët në këto vende, ata u dukën të butë, të sjellshëm dhe sikur të dishin çka don me thánë Qeverim drejtësie. Por sikur thotë një fjalë e vjetër “Ujku qimen e ndërron e vesin s’e harron”, ashtu edhe pushtuesit e Kosovës nuk shkojnë shumë pa i dhanë ngjyrë tjetër sundimit të tyne. Pikësparit jugosllavët kërkuen dorëzimin e armëve dhe të çdo lánde që kanë lidhje me mjete lufte. Shqiptarët e këtushëm, mbas shumë e shumë vuejtjeve shtazore pa kurrfarë mëshire e njerëzie, bánë dorëzimin që kërkohesh. Edhe sot kur kujtohen për këtë veprim báhen si të mahnitun.  Megjithëse çdo armë e municon ishin dorëzue, gjindarmërija jugosllave nuk mbetesh kurr e mjaftueshme, kërkonte rishtas me sasi të shumta tue përdorë çdo mjet barbarizmi që mund të kujtojë historija.

Mbas disa kohe qeverija e bashkueme nën emnin “Jugosllavi” organizojë një bandë vullnetarësh me 2 000 – 3 000 serbë e malazez dhe nën komandën e majorit Sav Llazari fillojë të bájë shqiptarët me e ndërrue fenë e deriathershme dhe me besue orthodoksizmin e tyne. Sava ka qenë prej Cetine. Për këtë vepër Sava rrahi, pshtyni, shau, vrau, dogji, aratisi dhe çka nuk báni në shqiptarët e këtij rajoni, por kot se qëllimi i tij nuk u realizue. Shpesh herë me qindra e qindra burra shqiptarë lidheshin për gardhije t’oborrevet, në mënyrë që as këmbët e tyne të mos prekeshin në tokë, tue përdorë dru e kamxhik, lageshin me ujë të ftofët në kohën e dimnit vetëm e vetëm që ata nuk pranojshin me ndryshue besim. Përkundrazi, të bazuem në ndërgjegjen e pastër që veprojshin në kundërshtim me çka urdhnohesh prej sllavëve (që s’ka në botë ligjë as moral má të poshtëm), shtytjet, përbuzjet, sharjet dhe rrahjet ishin bá të zakonshme edhe prej má të poshtnëve shkieve kundrejt shqiptarëve, sado të njoftun për besë dhe bujari që të jenë. Kur u pa se shqiptarët e pushtuem bjerren gjithçka e që nuk u kishte mbetë gjá tjetër pa ju dhanë atyne, veç tokës, këta u kujtuan edhe këtë ta bájshin të tyne. Kështu në vitin 1929-1930 nxorën në shesh agrarin e tyne mizor e shpirtlig dhe filloj vumje kufijsh përmidis tokash të trashëgueme prej të parëvet, njëkohësisht me vorfnue edhe mjerue mbarë vendasit shqiptarë të këtushëm. Ay i báni të huejat për zotnuesit e deri at’hershëm arat, livadhet, baçet, pyjet, kullosat dhe çdo tokë të vlefshme. Shqiptarët zun të varfënohen sa që dhe buka e përditshme me zor u sigurua, e nga kjo filluan të bëheshin çipçi të shkijeve në tokat e veta. Prodhimet ndaheshin siç i çmojshin ata vetë para se të mblidheshin. Druni u ba i zaptuem për shqiptarët dhe këta, të shtyemë prej nevojave të domosdoshme, detyroheshin me çelë pyje dhe, mbasi pastrohesh toka prej rrajve e gurve, kishin të drejtë me marrë një pjesë të cungave që i nxirrshin prej dheu e që i përdorshin për djegie. Agrari nuk u njoftonte menjëherë, por u duk herë mbas here e gjithnji tue rëndue kurrizin e shqiptarëvet të lodhun e tue shtue sipërfaqet e sekuestrimit sa që erdhi me zaptimin e oborreve të shtëpive deri në prag të derës.

Kolonistat serb e malazez i ftojshin shqiptarët dhe veçanërisht myslimanët që vendi i tyne áshtë Turkija dhe do të jetë má mirë të shkoni në kohë atje se sa të çfaroseni prej Qeverisë, gjá që simbas dukjevet nuk ish çudi. Ata ngritën kryet dhe morën hov me veprat e tyne brutale ndaj nesh.

Në nji kohë ndodhesh një polic malazez në Komunën e Janoshit, me emnin Bullatoviç, dhe kish bá zakon që në sa mbledhje ku ishin shqiptarët ay shkonte dhe, si hynte në odë, vente në majë të pushkës bajonetën e tij të gjatë e kështu me forcë e ngulte në tavanin e odës dhe s’kish njëri që ta prekte deri sa Bullatoviçi dëshironte të largohej.

Shpeshherë patrullat e gjindarmërisë së asaj kohe hyjshin ndër shtëpija dhe ndajshin me gisht të gjithë ata djelmosha shqiptar që njifshin për zotësi personale e má të zgjuar dhe, porsa u largojshin prej katundit, në má të parin prrua o gropë që gjejshin ata, djelmoshat tanë pushkatoheshin në vend dhe hudheshin në gropë a prrua ku pushtuesat dëshirojshin.

Edhe ndër kazermat e ushtrisë shpeshherë oficerat serbë thirrshin me listë ushtar shqiptar dhe, mbasi i lidhshin, i vritshin me mitraloz në mënyrat má të poshtra e má tradhtare që mund të veprohen prej rracave të këqija të njerzis.

 

2.10 Raport mbi vrasjet dhe djegjet e shkaktueme prej serbo-malazezve në vjetin 1922 

Në kët’ vjet merr përsipër sigurimin e qetësisë në këto vende një i quajtuni “Milic Kërrsta”, serbjan roje prej Istogut të Pejës, dhe formon nji bandë prej 200-300 vullnetarë civila serb e malazez dhe fillon shkeljen e Kosovës mbarë. Milic Kërrsta, siç tregohet, paska vu synimin me bá nji shtypje kaq të rreptë në Kosovë, sa që mbas largimit të tij prej këndej mos me mbetë shqiptar i vlefshëm në këto vende. Së pari në këtë rajon ka shkue në katundin Jabllanicë ku ka gjetë dhe kryetarin e komunës Cermjanit, të ndjerin Osman Jahja Aga prej katundit Rashkoc, bashkë me një polic të tijin  të quejtunin Ibrahim Kokalla nga Cermjani. Mbas nji britje të fortë, pa as má të voglin shkak Milic Kërrsta urdhnojë vullnetarët e tij me përdorë pushkën kundra çdo shqiptari që të shifet n’atë katund. Vendasit të trishtuem prej barbarit të mirënjoftun filluen ikjen, por tue qenë të pa armë as mjete të tjera përballimi u zun dhe u pushkatuen personat që poshtëshënohen:

Osman Jahja Aga, kryetar komune, 40 vjeç, nga katundi Rashkoc; Ibrahim Kokalla, polic komune, 35 vjeç, nga katundi Cermjan.

Nga katundi Jabllanicë: Qerim Binaku, 16 vjeç; Syl Islami, 50 vjeç; Hajdar Islami, 60 vjeç; Haxhi Bajrami, 40 vjeç; Hysen Bajrami, 34 vjeç; Hashi Neziri, 38 vjeç; Hazir Hasani, 30 vjeç; Zenun Neziri, 30 vjeç; Ramadan Ademi, 50 vjeç; Hasan Shabani, 90 vjeç; Musli Mustafa, 70 vjeç, mbytë prej së rrehmes; Bajram Rama, 30 vjeç; Jonuz Rama, 25 vjeç; Ali Rexha, 60 vjeç;  Selman Myrto, 25 vjeç; Cuf Kadrija, 18 vjeç; Sadik Myrto, 18 vjeç; Ram Hamza, 30 vjeç; Hasan Kasemi, 70 vjeç; Selman Kosumi, 50 vjeç; Sadik Hasani, 30 vjeç; Syl Hasani, 20 vjeç; Bek Tahiri, 22 vjeç; Beqir Hasani, 12 vjeç; Avdyl Zeneli, 50 vjeç; Isuf Zeneli, 30 vjeç; Qemal Qeli, 40 vjeç; Sadik Shotani, 70 vjeç, djegë në zjarmë; Zejnija e Sadik Ramës, 29 vjeç; Ram Ahmeti, 28 vjeç; Fasli Muslija, 40 vjeç; Maliq Muhagjiri, 40 vjeç; Jahja Qarkagjija, 30 vjeç; Haxhi Helshani, 60 vjeç; Rexhep Muhagjiri, 40 vjeç; djali i Rexhep Muhagjirit, 10 vjeç; Zef Zeqiri, 30 vjeç; Niman Zeqiri, 20 vjeç; Selim Bajrami, 20 vjeç; Ram Selimi, 20 vjeç; Ram Sefa, 20 vjeç; Sadik Koka, 40 vjeç; Kamer Syla, 40 vjeç; Mustafa Xhema, 40 vjeç; Mehmet Alija, 35 vjeç; Haxhi Bajrami, 30 vjeç; Selim Kajtazi, 20 vjeç; Zeq Halili, 30 vjeç; Hasan Rexha, 50 vjeç.

 

2.11 Vrasjet, djegjet dhe plaçkitjet  në kohën e shkatërrimit të Jugosllavisë

Jugosllavët, siç u ditë, deshtën me msye kufijtë e Shqipnisë dhe, kur atje hasën në pritat e forta të shqiptarëve vullnetarë, u detyruan të kthehen. Kur ranë së dyti në këtë rajon gjetën ndryshe situatën. Kolonistat po shpërnguleshin dhe mbar shteti i tyne po shkatrrohej. Atëherë ata vendosën  që seicilin shqiptar që do ta takojshin me e vu në pushkatim dhe me këtë rast, në kalim e sipër të katundit Marmull, vranë këta persona:

Gjergj Marku, 53 vjeç; Marka Gjini, 50 vjeç; Nikoll Ndreca, 40 vjeç; Uk Ndreca, 30 vjeç; Prek Paloka, 30 vjeç; Hil Nikolla, 55 vjeç; Ndrec Bardheci, 56 vjeç; Ndue Preka, 45 vjeç; Zef Ndou, 18 vjeç; Ndrec Shehri, 70 vjeç; Pjetër Mhilli, 32 vjeç; Ded Jaku, 14 vjeç.

Po kjo ushtri, po atë ditë, si kryejn veprimet e tyne mizore në Marmullë ngjiten në Berdosan dhe aty vrasin të poshtë shënuemit:

Prend Biba, 90 vjeç; Bib Prendi, 40 vjeç; Gjok Prendi, 20 vjeç; Marka Preka, 30 vjeç.

Sikur në Berdosan ushtria shkon dhe në Bec. Në Bec një pjesë e popullit largohen dhe një pjesë me shpresa të kota qëndrojnë e fatkeqësisht bien viktimë prej dorës tradhtare të tyre:

Sadik Maxhuni, 90 vjeç, pasi i kanë ngránë bukën, në fund, në lamtumirë e sipër ásht pushkatue para shtëpisë; Mus Tahiri, 80 vjeç; djali i Musës, 12 vjeç; Bajram Avdyli, 17 vjeç; Halil Isufi, 24 vjeç; Bajram Kamberi, 45 vjeç; Çel Binaku, 70 vjeç; nanën e Man Halilit me dy gra të reja me fëmi të vegjël, nga të cilat njëna e kish fëmijën në gji dhe për së dekuni fëmija ka pij sisën e s’amës dy dit e dy net; Ymer Zymeri me grue, Rrahman Jeta, 30 vjeç; Mhill Uka, 28 vjeç; Çak Ibrahimi, 20 vjeç.

 

2.12 Raport mbi djegjet e shkatueme prej serbve në kohën e shaktërrimit të tyne

2.12.1 Në fshatin Bec: 

Personave të poshtëshënuem u janë djegë dhe plaçkitë malli dhe gjája dhe një sasi e konsiderueshme dámi në franga shqiptare, si má poshtë:

Uk Myrta 10 000, Çel Shabani 12 000, Rexhep Sejdia 10 000, Ali Rama 9 000, Shaban Hajdari 7 000, Metush Sadrija 8 000, Hajdar Alija 7 000, Dervish Bajrushi 10 000, Syl Sadiku 9 000, Isuf Musa 10 000, Syl Smajli 6 000, Zeq Isufi 9 000, Mus Zeneli 12 000,  Zef Gjoni 9 000, Asllan Hajdari 9 000, Mhill Ndou 8 000, Rustem Alija 9000, Çel Deda, 8 000, Bajram Avdyli 9 000, Palush Marku 10 000,  Demush Shabani 10 000, Man Halili 10 000, Pal Qerimi 9 000, Pjetër Uka 8 000, Ali Ferizi 7 000, Rrust Tafa 8 000, Ali Binaku 7 000, Sokol Tahiri 8 000, Ndue Cafa 9 000.

2.12.2 Në fshatin Zhdrellë:

Man Alija 14 000, Çun Kola 14 000, Zog Sokoli 14 000, Pjetër Deda 3 000, Ndue Cufa 4 000, Pjetër Uka 2 000, Hysen Leka, 9 000.

Gjithë këto barbarizma kanë ngja me datën 13.IV.1941, nën komandën e Mhill Vukotiçit që ishte kryeorganizator i asaj ushtrije. 

2.12.3 Në fshatin Janosh:

Vuksan Gjukoviçi nga Andrijevica ka shkaktue djegiet e shtëpijave dhe marrjen e mallit në sasi të konsiderueshme të personave të mëposhtëm:

Myftar Demës 12 000 Fr., Mic Sokolit 10 000 Fr., Mehmet Ndout 11 000 Fr., Binak Qerimit 9 000 Fr., Gjon Hysenit 10 000 Fr., Tahir Smajlit 8 000 Fr., Preç Markut 9 000 Fr., Kokerr Ndou 9 000 Fr.

Syl Uka u plagos rándë prej bandës vullnetare të Vuksan Gojkovcit. Syl Rexhepi vra vdekun po prej kësaj bande. Nikë Çunit djegë shtëpija dhe marrë malli me gjánë, afërsisht 10 000 franga shqiptare dám.

2.12.4 Në fshatin Radoniç:

Sadri Bajrami vra vdekun prej Sim Davidoviçit, kapter i gjindarmërisë prej Serbisë vjetër (vendi ekzakt nuk dihet). Bajram Mehmeti vra prej çetës së Milic Kërrstes në vjetin 1922. Milic Kërrsta pat djegë Radoniçin me krejt pasuni që në gjithë katundin ka bá afërsisht 10 000 000 franga shqiptare dám. Dámet që janë shkaktue prej serbve në këto vende ásht shumë zorë të përmblidheshin të tamanta, mbasi më nevojitet nji kohë e gjatë dhe një mbikqyrje e jashtëzakonshme dhe e matun. 

2.12.5 Në fshatin Skivjan:

Kan pru dy të arrestuem prej Palabardhit dhe i kanë vra aty, mandej kanë kërkue dhe vendosë me qëllim pushkatimi, mirëpo një pjesë janë ikë dhe pjesa tjetër janë mbyllë në shtëpija.

Vërtetohet

Kryesekretari i Prefekturës

Niko Lafe

Prizeren, më 2.XI. 1944

 

2.13 Barbarizmat e sllavëve që kanë bámë kundrejt elementit shqiptar në tokat e sundueme prej tyne qysh prej vitit 1912 dhe që sot i janë aneksue Mbretnis sonë

  1. Në vitin 1912 ásht vra Emin Latifi, nga Prizreni, rruga “Mustafa Lita”, nr. 28, prej të quajtunit Dushan Fishiqi e Andreja Fishiqi, nga Prizreni, rruga “Haxhi Ymeri”, nr. 7. Vrasja áshtë krye në këtë mënyrë: guximtarët tue qenë të ndihmuem prej çetnikëve serb n’orët e mbrámjes të përmendunin e kanë kapun rrugës tue shkue në shtëpi të vet dhe e kanë çue në vendin Kuriçeshme (jashtë qytetit) dhe i kanë shkaktue vrasjen tue i nxjerrë për së gjallit sytë, mandej pre hundën e veshtë, së fundmi therë me bajoneta dhe deri sa i del shpirti luejn me të.
  2. Në vitin 1913 ásht vramë Shaip Hezeri, nga Prizreni, rruga “Kosova”, prej të quejtunit Petro Puzhiçit, nga Prizreni, rruga “Kosova” nr. 35, në këtë mënyrë: guximtari, tue qenë i ndihmuem prej çetnikëve serb, në orët e mbramjes të përmendunin e kanë marrun prej shtëpis së vetë dhe e kanë çue jashtë qytetit në vendin e quajtun Vneshta dhe i kanë shkaktue vdekjen tue i nxjerrë për së gjalli sytë, mandej pre hundën e veshtë, e së fundi therë e gri me bajoneta deri sa i ka dalun shpirti.
  3. Në vitin 1928 ásht vra Asllan Shabani, nga Prizereni, rruga “Ismail Qemali”, nr. 38, prej të quejtunit Dragi Stanojeviç, nga Prizreni, rruga “Doktor Shuflaj”, nr.14, në këtë mënyrë: guximtari tue qenë i ndihmuem prej çetnikëve Serb dhe këta të veshun e maskuemë me uniformën e gjindarmërisë në orët e mbrámjes të përmendunin e kanë marrë prej shtëpis së vet dhe e kanë çue jashtë qytetit në Vneshtë dhe i kanë shkaktue vdekjen tue e therun e coptue me bajonetë.
  4. Në vitin 1912 ásht vra Rexhep Ahmeti, nga Prizreni, rruga “Qafa e Duhles”, nr. 9, prej të quejtunit Nikolla Frankos nga Prizreni, rruga “Dr. Shuflaj”, nr. 36. Vrasja u krye në këtë mënyrë: guximtari tue qenë i ndihmuem prej çetnikëve serb, në orën e mbramjes, të përmendunin e kanë marrun nga shtëpija e vetë dhe e kanë çue në vendin e quajtun Tuzus (vneshtë) e kanë shkaktue vdekjen tuj ja pre kokën e mandej coptue dhe trupin me bajoneta.
  5. Në vjetin 1940 ásht vra Xhezair Rizau, nga Prizreni, rruga e punëtorëve, nr. 36, prej të quajtunit Trajko Dimkiqit, nga katundi Zeqisht i komunës Mamushë, nënprefektura e Rahovecit, prefektura e Prizrenit. Vrasja u krye në këtë mënyrë: Të përmendunit, tue ardhun prej Rahoveci për Prizren, i duelen në pritë guximtari bashkë me shokët e vet dhe e lidhë. Po në atë vend i presin kokën.
  6. Në vitin 1912 ásht vra Zylfikar Ramadani, nga Prizreni, rruga “Kasem Beg”, nr. 30, prej të quajtunve Ilko Ugari dhe Andreja Fishiq, që të dy nga Prizreni. Ata e kanë krye krimin në këtë mënyrë: Guximtarët të ndihmuem kanë marrë nga shtëpija e vetë të përmendunin dhe e kanë çue në fushë përjashta qytetit, në vendin e quajtun Jeni mejteb, dhe kanë shkaktue vrasjen. Herën e parë dhe për së pari ja kanë nxjerrë sytë e mandej tue pre hundën e veshët dhe mandej e kanë therë e pre me bajoneta sa në të nesërmen, kur e ka marrë xhenazen për me e la imami, nuk ka mujtun me e marrë në dorë e me e la ngaqë ish bámë copë-copë. Funerali ásht shti në dhe pa u la.
  7. Në vitin 1917 ásht vra Isa Karadaklija, nga Prizreni, rruga “Atë Shtjefen Gjeçovi”, prej të quajtunit Dushan Saviq. Vrasjen e ka krye në këtë mënyrë: Guximtari, tue qenë i ndihmuem dhe prej çetnikëve serb kanë kenë tek i përmenduni, ku ndodhesh në Marsh, dhe pa pritë e pa kujtue e kanë lidhë dhe vra. Guximtari Dushan, po atë ditë ka shty gjendarmët serb që të mbyllshin dyqanet dhe ku gjejshin nëpër rrugë shqiptar e rrifshin dhe e burgosshin tue u punue çmos.

Komisar i Policis

Baki Shaqiri d.v.

Vërtetohet

Kryesekretari i Prefekturës

Niko Lafe

Prizeren, më 31. X. 1944

 

2.14 Raport mbi barbarizmat sllave në elementat shqiptarë në regjimin ish- Jugosllav 

Në vjetin 1913, prej vullnetarëve të Kost Vojvodës, në mbrojtje të pasunis së tyne që të mos u plaçkitej, janë vra vdekun personat që shënohen  nga katundi Beleg: Isuf Rama, Selman Shabani, Ibish Selmani, Zyber Binaku e Sokol Binaku. Me rastin e vramjes së tyne u janë plaçkitë dhe bagëtitë që kishin pasë.

Në vjetin 1920, në bjeshkën e Prilepit janë vra vdekun Ali Bajrami e Hasan Ymeri të marrun po prej vullnetarëve të Kost Vojvodës për t’ju kallxue komitat shqiptarë dhe, mbasi nuk i kishin gjetë, i kishin vra këta, të cilët i kishin marrë me i përcjell.

Në vjetin 1913, në katundin Gramaçel janë vra vdekun Hajdar Tahiri, Azem Tahiri e Syl Zeqa, për arsye se ish kenë vra një serb prej anës komitës shqiptare. Për këtë arsye serbët të organizuem për ndjekje të çetave të armatosuna shqiptare i kishin vra të tre të nalpërmendunit.

Në vjetin 1929, asht vra Rexh Ali Pozhari, nga katundi Pozhar, prej një të quajturi Sheh Boshnjaku, i cili kish qenë i paguem prej autoriteteve serbe që të vriste të gjithë ata burra të n/prefekturës së Gjakovës, në të cilt dyshojshin se kanë lidhje me Shqipnin e vjetër.

Në vjetin 1915, janë vra vdekun Can Meta e Shyt Kadrija, nga katundi Prokolluk, prej vullnetarëve të Kost Vojvodës, të cilët kishin shkue në bjeshkë me ju plaçkitë bagëtinë. Tue mbrojtë bagëtinë që të mos ju plaçkiten Can Meta e Shyt Kadrija vriten vdekun dhe u grabitet dhe bagëtija.

Në vjetin 1927 ka dalë urdhni i autoriteteve serbe që të gjithë të arratisunit të dorëzohen dhe janë të falun. Me këtë rast ishin dorëzue Idriz Beka e Sadik Arifi, nga katundi Ratishë e Ultë, si të arratisun. Kur janë dorëzue, gjendarmët serbë i kishin marrë me i dorëzue në Gjakovë dhe udhës, bajagi deshtën me ikë, i kishin vra vdekun të dy.

Në vjetin 1920, ushtrija e vullnetarëve e Miliq Kërstes, të dalun nëpër katunde për çetësi, me emen si Jurish Vojvoda, kishin shkue në katundin Maznik e bajagi, sikur se i teshen me komitë, i kishin vra po ata persona që kishin qenë bashkë me ta Hasan Smajli, Dek Sylën, si dhe një grue, Cymen e Sejdi Hasanit.

Në vjetin 1932, në komunën e Irzniqit kish pasë qenë një farë Gaja Dragoviçi kryetar komune, i cili kish pasë bá zollum të madh ndër shqiptarë. Kish pasë dalë nji i qyejtuni Ali Haxhija, po nga katundi Irzniq, e kishte organizue popullin e komunës tue u ankue në autoritetet e larta serbe kundra vepravet të të përmendunit Gaje. Ay, tue e pa se populli po e don Ali Haxhinë dhe tue mendue se po ja merr vendin, mbasi në atë kohë kryetarët i zgjedhshin me vota nga ana e popullit, kish organizue nji bandë të armatosun malazez e kish nxán pritë në krye të katundit Irzniq dhe  e kishin plagosë.

Për sa i përket reformës agrare, má tepër se dy pjesë të rajonit të komunës kanë pasë qenë në dorën e kolonistave malazez, ashtu që gjithënji kan pasë qëllim largimin e shqiptarëve nga Kosova, por mjerisht që të kërkojshin vetë me dalë.

Kryetari i Komunës

Adem A. Pozhari d.v.

Vërtetohet

Kryesekretari i Prefekturës

Niko Lafe

Prizren, më 30.X. 1944

 

2.15 Përshkrim mbi masakrimet serbo-malazeze ndaj shqiptarëvet në komunën e Banjës

Ishte vjeti 1912, kur ushtrit’ e rregullta serbe drejtoheshin kah tokat e shqiptarëve, të cilat nga nji pakicë aty – këtu e vogël çetash malësore gatoheshin për t’u mbrojtë me gjak. Nji pakicë burra largoheshin me familje në drejtime të padijtun, për të ruejtë nga pusija barbare grat e fëmijët, kurse të tjerët mbetën në vend. Kish fillue lufta. Çetat shqiptare qëndrojshin si vigana ndër pritat që kishin zánë, por fuqitë armike vijshin për herë tuj u shtue. Ndërsa burrat tanë, të cilëve po u mbaronte municioni, u shtrënguen që të lëshojnë atë tokë të shtrenjtë.

Nuk mjaftonte shkelja sebo-malazeze në tokën shqiptare, por edhe tmerr u kish ándja të shtijshin nëpër katunde e vaj e zi nëpër familje. Shtëpijat e djeguna me sa pasunina kishin ásht e kotë me e diftue mbasi s’do të mbaroheshin kurr, por po shënojmë dëshmorët e rajonit të Komunës së Banjës, të cilët na lanë me betim një fjalë ta mbajmë, që ásht: “MIKUT FALI ZEMREN, ANMIKUT SHEKULLUER PLUMIN”.

Dëshmorët e dëshmoret janë këto:

Banja, viti 1912: Liman Sahiti, Hajrullah Rexhepi, Hasan Isufi, Asllan Islami, Bislim Shabani, Beqir Shabani, Hasan Hajdari, Haxhi Behrani, Ali Mehmeti, Sadik Alija, Hysejn Hamza, Musli Hamza,  Jashar Hasani, Xhylije Jashar, Shaqir Ibrahimi, Beqir Ibrahimi, Hajredin Demiri, Hamza Haliti, Sejdi Rrustemi, Islam Rrustemi, Zizë Fejzullah Beqiri, Zenel Muslija. Të plagosun gjatë luftimesh janë këta: Isuf Mehmeti, Rexhep Jashari dhe Elez Xhemjeli.

Senik, vjeti 1912: Beqir Rexhepi, Adem Sahiti, Ymer Alija.

Bellanica, vjeti 1912: Beqir Abdullahi, Qelebi Abdullahi, Shaqir Abdullahi, Islam Shasivari, Halit Mustafa, Asllan Sahiti, Riza Mehmeti, Selman Baftjari, Sali Fejza, Sadri Zeqa, Halit Rexha, Osman Murseli, Selman Sula, Zulfa Mustafa, Shaban Alija, Ibrahim Velija, Feta Ademi, Hysen Shama, Riza Veseli, Hasan Azemi, Asllan Shasivari, Dem Zenuni,  Shaqir Aredulla, Bahte Aredulla, Halil Mustafa, Xhemal Harulla, Emin Xhema, Asllan Sahiti, Hysen Destani, Sejdi Feka, Xhemail Ibrahimi, Hamdi Iljazi, Latif Bajrami. Janë plagosur këta: Beqir Salihi, Ymer Hasani, Hoxha Lladrofci.

Në vjetin 1912: Ramadan Delija, Dem Bajrami, Rahman Limoni.

Në vjetin 1937: Jetullah Salih, Xheladin Jetullahi, Behlul Bala, Sali i Xhemos.

Lladroviç, në vjetin  1912: Ibrahim Sinani, Shaban Sinani, Shaqir Sadrija, Jetullah Sali, Nuredin Shabani, Xheladin Emini, Friz Meta, Rexhep Sela,  Abaz Ahmeti, Marsel Zema, Musli Jakupi.

Javor, në vitin 1912: Sul Delija, Sadri Demiri, Musli Arifi, Liman Sahiti.

Banja, në vjetin 1914: Ali Tahiri, Rahmon Hajdini, Bajram Beqiri, Bajram Sylejmani, Ahmet Rahmoni, Emin Ibrahimi, Qerim Zeneli, Halim Mustafa, Hysejn Murseli, Elmaz Hasani, Shaqir Limani, Sefer Limani, Demush Limani, Bahti Shali Ferizi, Pajazit Rexhepi, Hasan Haliti, Osman Zeqiri.

Guncat, në vjetin 1912: Sali Uka, Lah Hoxha, Qekin Syla.

  1. Zav. Kryetar i komunës

Rexhep Banja

(firma nuk këndohet).

Vërtetohet

Kryesekretari i Prefekturës

Niko Lafe

Prizeren, më 3. XI. 1944


Etiketa: , , , ,

loading...
KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Pas