Dikur

Dosja 58- Përmasat e barbarisë serbe mbi shqiptarët




               Publikuar në : 09:15 - 11/04/19 |
Nga Veli Haklaj

Nga Veli Haklaj


VIJON NGA NUMRI I DJESHËM

2.1 Veprimi në Tokat  e Lirueme

Konstatohet se në vitet e Luftës së Dytë Botërore, nën pushtimin e të huajve fashisto-nazistë, shqiptarët në Kosovë fillojnë të ndihen më mirë dhe të shijojnë ëndrrën 30-vjeçare të bashkimit me trungun Ámë. Kapitullimi i Jugosllavisë, prill 1941, krijoi një gjendje të re në Ballkan. Ky shtet u copëzue nën ndikimin italo-gjerman. Mbretëria Shqiptare përfitoi një pjesë të trojeve të Kosovës, çka solli një gjendje të re për hapësirën shqiptare, duke rritur shkëmbimet në të gjitha fushat, të cilat ishin ndërprerë që nga vitit 1912. Me Dekret Mëkambësor nr. 333, datë 3 dhjetor 1941, në Qeverinë e Tiranës u krijue Ministria e Tokave të Lirueme, e  cila veproi deri në shkurt 1943.

Në Qeverinë e Ekrem Libohovës (18 janar – 11 shkurt 1943) emërohet ministër sekretar shteti për Tokat e Lirueme Ismet Kryeziu.

Emërimi i Ismet Kryeziut në këtë post ministror nuk ishte rastësor. Në biografitë e ministrave të rinj të kabinetit Libohova, gazeta “Tomorri” jep këto të dhëna për Ismet Kryeziun: Lindi në Gjakovë, në vitin 1889, bir i një prej familjeve më të njoftuna të asaj krahine. Mbasi ndoqi studimet fillore dhe të mesme në qytetin e lindjes e plotësoj përgatitjen e vet në Stamboll. Kur u kthye në atdhe (Kosovën nën Serbi), zgjidhet deputet, por në Shkupcinë të Belgradit, qeveritarët serbë i përgatisin atentate prej të cilave shpëtoi mrekullisht. Më 1926 kaloj kufirin dhe u emërue prefekt në Berat dhe pastaj me radhë në Vlorë, Durrës e Korçë. Më 1936 u zgjodh deputet i Kosovës në parlamentin shqiptar. Më vonë u emërue anëtar i Këshillit të Lartë të Shtetit dhe tani së fundi zavëndësisht prefekt në Durrës.

Më datën 17 shkurt 1943, pasdreke zhvillohet mbledhja e përgjithshme e parakohshme e Këshillit të Epërm Fashist Koorporativ, ku Kryeministri i sapo emëruar, Maliq Bushati, paraqiti programin. Ai, ndër të tjera, theksoi:

“ …Me qëllim që të mblidhen tok të gjithë qytetarët e ndershëm dhe besnikë të Atdheut edhe të ngrehun kështu ma të fortën mbrojë në mbrojtje t’indipendencës e t’integritetit ethnik të kombit tonë, ásht vendosun me themelue “Rojen e Shqipnis së Madhe”, qi do të jetë organizata totalitare e Shtetit Shqiptar… Prandaj ásht detyrë e të gjithë nacionalistave shqiptarë ta ndihmojnë Qeverin në ndëshkimin e pamëshirshëm t’atyne qi veprojnë në dám të Shqipnis së Madhe… Ásht detyrë e nacionalistave të ndihmojnë me mish e me shpirt veprimet e ushtris’ kur ajo të thirrë me mbrojtë mbrenda Atdheut ose në kufijtë e Atdheut, Shtetin Shqiptar…”.

Një ndër pikat e programit të Qeverisë Bushati ishte: – Me vu Shqipnin e Madhe në kondita që me u mbrojtë nga çdo rrezik i mbrendshëm e i jashtëm që mund t’i kërcënohet.

I pari që mori fjalën mbas kryeministrit ishte këshilltari epror Z. Ibrahim Fehmiu, përfaqësues i Kosovës, duke thënë: Populli kosovar, në lidhje të pazbërthyeshme me krejt popullin shqiptar, nji mendjeje dhe nji shpirti me të, përshëndet deklaratat programatike të qeverisë Bushati zotimin e bujshëm të kryemit të aspiratave të shejta të të gjithë kombit shqiptar… Na kërkojmë, në emër të popullit që përfaqësojmë, prej qeverisë sonë nji gjá të vetme: Që ajo t’i përvishet me gjithë fuqi punës së zbatimit të rrufeshëm të të gjitha pikave të programit të saj. Kët’ kërkim e bájmë të tanë njëzánit në një çast historik si ky i tashmi, bash pse mbas masakrave të tmerrshme që pësoj një krahinë shumë e gjánë e tepër fisnike e Shqipnisë, ku u kositnë si bari mija e mija fëmijë, gra e burra, pleq e plaka nga furija e egërsisë së mbrapshtë sllave, nga çetnikët serbo-malazezë. Në këtë çast lajme t’idhta, shumë të idhta, po arrijnë nga kufijtë tonë. Prapë po përgatiten sulme të mëdhaja kundër krahinave të Veriut, d.m.th. Prishtinës, Pejës, Plavës, Gucisë dhe Shkodrës. Koha nuk pret. Çdo minutë e bjerrun, mund të jetë e kobshme për të ardhmen tonë të përgjithshme dhe për popullsinat kosovare të kërcënuemi drejtpërdrejt veçanërisht…” Ndërkohë që me dekret të Kryetarit të Këshillit të Ministrave u krijua një komision nën kryesin e shkëlqesës Iljaz Agushi dhe me anëtarë shkëlqesat Mustafa Merlika-Kruja e Dhimitër Berati, si dhe z.z. Hasan Dosti, Patër Anton Arapi, Hamdi Kazazi e Thoma Luarasi me qëllim që të mbledhin të gjitha dokumentat e shtypuna në çdo gjuhë qi të ndodhen e gjithçka mund të shërbejë për të vërtetue shqiptarizmën e Kosovës.

Njëkohësisht me veprimet e mësipërme, nga ana e prefektëve në Tokat e Lirueme, me porosi të pushtetit qendror, ju kërkue kryetarëve të komunave në Kosovë që të dokumentonin barbarizmat sllave të bámë ndër shqiptarë nga viti 1912 e në vazhdim. Përgjigjet e ardhura shpalosin një pjesë të tragjedisë së popullit kosovar nën sundimin serb.

Në vijim po paraqesim dokumente nga dosja 58, e cila ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit, në Tiranë, në Fondin 410 (Prefekturat dhe Komunat e Tokave të Lirueme), Viti 1944.

2.2 Masakrat në komunën Lubizhdë

Shteti Shqiptar

Komuna e Lubizhdës

Nr. 324 Prot.                                  Lubizhdë, më 10. 01. 1944

  1. T.Prefekturës

P r i z r e n

Përgjegje e urdhnit nr. 1063, datë 17. VII. 1943.

Kemi nderin me ju paraqit mbi sa kërkohet me urdhnin e sipër si má posht vijon:

  1. Në vjetin 1913 janë pre me spata prej ushtrisë jugosllave të bashkuem me serbët e vendit personat qi posht shënohen:

Mulla Adem Hoxha, Isuf Hoxha, Xhem Hoxha, Beqir Hoxha, Adullah Dema, Shaban Dema, Ahmet Rahmani, Shaban Mehmeti, Bafti Hajdari, Mustaf Hajdari, Isuf Hajdari, Miftar Hajdari, Tahir Dervishi, Zyber Hoxha, Vejsel Hoxha, Rexh Iliazi, Fetah Muça, Fazli Fetahi me të birin, Hysen Rama, Smajl Rama, Jashar Arifi, Ali Hasani, Hasan Alija, Isuf Etemi, Adem Haliti, Qerim Rama, Selim Rama, Ram Jemini, Abaz Iliazi, Syl Abazi, Arif Shabani, Hajrullah Arifi, Abdullah Arifi, Shaban Arifi, Rexhep Uka, Bislim Bajrami, Liman Murtezi, Tahir Mala, Salih Ademi, Bajram Hajdari, Ali Hajdari, Shaban Zenuni, Hajro Shabani, Haxhi Jemini, Sinan Haxhija, Sherif Rahmani, Rexh Rahmani, Hazir Ademi, Imer Bajrami, Dem Alija, Imer Maliqi, Halit Imeri, Sadri Ademi, Kadri Ademi, Bajram Syla, Hysen Beqiri, Mullah Hyseni, Destan Beqiri, Azem Rexhepi, Selim Rexhepi, Hajdin Rexhepi, Ahmet Mehmeti, i cili është vjerrë në derë të kishës, Bajram Abdyli, Rexh Arifi, Ali Uka, të gjithë nga katundi Kabash. Personat e naltpërmendun janë premë në kishën e Kabashit me sakica prej ushtris Jugosllave të bashkuem me serbet e vendit. Si komandant i vullnetarëve serb ishte Spiro Delloci nga katundi Delloc i Komunës së Mushtishtit. Po atë ditë kanë djegë në zjarm Kaden, e shoqja e Ali Hajdarit, si dhe Haken e Muharrem Rexhepit, të dyja nga katundi Kabash.

  1. Në vjetin 1913, në katundin Korishë, prej serbve të vendit, tuj pasë si komandant Spiro Dellocin, janë marrë edhe janë vra në një prrue të quajtunit Sherif Haxhija, Zeqir Asllani, Berat Abdyli, Sahit Abazi, Abaz Sahiti, Jashar Haziri, Brahim Rexhepi e Imer Muhaxheri.
  2. Në vjetin 1913, në katundin Lutogllavë janë marrë të quajtunit Pren Çeta e Zef Çeta, prej ushtrisë jugosllave. Pren Çeten e kanë pre me spatë tek kisha e Kabashit, kurse të vllajn e tij, Zefin, e kan pushkatue afër Prizrenit.
  3. Në vjetin 1913 ásht vra nji i quajtun Idriz Abdullahi nga katundi Skorobisht prej nji të quejtunit Mila Verbiçan. Edhe Azem Baftjari nga katundi Skorobisht ásht vra prej serbve të katundit Lubizhdë sepse ka qenë atdhetar.
  4. Në vjetin 1918, me kthimin e serbve në viset e Kosovës, janë mbytun me dajak prej Naçallnikut të Prizrenit, Matijeviqit, të quajtunit Shaban e Jemin Mustafa nga katundi Korishë. Po në vitin 1918, me urdhën të Naçallnikut, Matijeviqit, janë pushkatue prej Vuksan Cvetkit, nga katundi Smaq, të quejtunit Adem Murati, Ahmet Rustemi e Ahmet Sahiti.
  5. Në vjetin 1921 jan vra të quajtunit Mahmut Haliti, Rexh Saditi e Brahim Ademi, nga katundi Kabash, prej sekretarit të Naçallnikut, Zhivanoviqit, e burgosë e vdek në burg të quajtunit Isuf Uka, Shaqir Abdyli, Xhem Bajrami e Ali Hasani, po nga katundi Kabash.
  6. Në vjetin 1925 jan vra prej sekretarit të Naçallnikut të Prizrenit të quajtunit Hamëz Rama e Selim Bilali nga katundi Skorobisht, tuj u falë në xhami.
  7. Në vjetin 1926 asht mbytë ne mal me spata Asim Rexha nga katundi Gerniçar, prej serbve të katundit Dojnicë të kësaj Komune.
  8. Në vjetin 1930 janë marrë e internue në Nish të qaujtunit Haxhi Jaha, Kamber Jaha e Selman Sallahi, nga katundi Gerniçarë, dhe mbas gjashtë vjetëve, prej dajakut, kan vdek në burg në Nish.

Kryetari i Komunës

/Shyqyri Kabashi/ d.v.

Vërtetohet

Kryesekretari i Prefekturës

/Niko Lafe/

Prizren, më 30-X-1944

 

2.3 Masakrat në komunën Vogovë

Lista e personave shqiptar të mbytun prej vullnetarve e ushtrisë jugosllave, në kohën e shaktërrimit të ish-regjimit jugosllav, më datën 11-15 prill 1941, në rajonin e komunës së Vogovës.

Emni e mbiemni Vendba-nimi Besimi Data e mbytjes
Ndue Frrok Prendi Kushovac Katolik 12. IV. 1941
Prenk Bardhok Ndou Dol
Dedë Cuf Hoshi
Musë Cuf Hoshi
Nikoll Mark Biba
Lekë Mark Biba
Gjok Prekë Lleshi
Tun Ndrek Paluca
Ndue Prenk Tahiri 13. IV. 1941
Lilë Prenk Tahiri
Hajdar Ali Mustafa Mysliman
Tom Ndoc Beshi Katolik
Palush Ukë Bezhi
Martin Zef Marku
Gjok Nikoll Leka
Nikoll Prend Nikolla
Frrok Prek Kizma
Ded Prek Nikolla Kusar
Gjon Prek Nikolla
Simon Gjok Nikolla
Kol Gjok Nikolla
Tom Gjok Nikolla
Çun Dedë Ndreca
Franë Ndrec Deda
Ndue Nikol Ndou
Frok Prend Ndreca
Marash Kol Maksuti
Frok  Nikol Ndoci
Zenel Abdyl Rustemi Brekoc Mysliman
Zef Tuc Marku Kusar Katolik
Ndrec Nikoll Marku
Dila Zef Ahmeti Dol
Zoja Tun Zefit

Kryetari i Komunës

Ndue Perlleshi d.v.

Brekoc, më 18. I. 1944

Vërtetohet

Kryesekretari i Prefekturës

/Niko Lafe/

Prizren, më 30-X-1944

 

2.4 Masakrat në komunën Deçan

Shteti Shqiptar

Komuna  kl. I-rë Deçan

Nr. 355/2 ex 43                                      Deçan, më 5. II. 1944

  1. T.N/Prefekturës

G j a k ov ë

Gjegje e nr. 1467/IV, datë 31. XII.1943

Barbarizmat që elementi sllav ka bá në rajonin e kësaj komune, gjatë kohës që mizoria ka sundue këtë vend, janë të panjohura e aq të pashembullta sa që nuk ka mundësi të përshkruhen. Grabitjet e vrasjet për përbinshat sllav kanë kenë gjána të zakonshme. Ndër grabitjet, vendin e parë e zën kisha e Deçanit, e cila ku i ka vu synin pasunisë shqiptare ka vu edhe dorë, kështu që veprimi i saj ka qenë gjithmonë në dám të shqiptarve.

Në vitin 1912, kapiteni malazias, që nga mizoritë që ka bërë ka marrë emrin Sav Batarja (Sav Llazari-V.H.), pa asnjë arsye kishë mbledhë më se njëmijë vetë në katundin Carabreg tuj trembë tue kanosë. Mbasi ka fillue rrahjen, të quajtunit Isa Qorri, Ali Shabani, Hasan Mula, Hysen Feta, Mal Loshi, Zymber Loshi, Elez Hasani, Ibish Halili, Dak Arifi, Zek Hyseni, kanë guxue me kërkue arsyen e kësaj shtërgate, por të gjithë i kanë gri tue i tmerrue popullin. Të grimit para janë detyruar me hapë varret  e veta. Po në këtë ditë, të akuzuem se kishin përcjellë nji shqiptar, ásht marrë Dik Zeka prej Carabregu dhe ásht gri prej malazesve, nji orë pa hy në Gjakovë. Po ashtu ásht marrë e gri Sadik Mehmeti nga Carabregu dhe Azem Beqiri. Këto janë bá prej kapitenit malazes Dushan Vukoviçit. Këto vrasje janë bá në mënyrë má barbare, sidomos të këtij të fundit në sy të grave e të thmive. Në vitin 1912, vetëm e vetëm se ishin shqiptarë me ndjenjat e tyre kombëtare, janë vra prej kapiteni Miliq Kërsta, Him Ahmet Ibërhasaj e Rexhë Nak Dobruna nga Deçani. Po në këtë vjetë, në Bjeshkën e Deçanit, áshtë gri prej malazezve Raza e Nuh Ramës me të binë dy vjeçare edhe Imer Aliu me të amën, Sofën, po ashtu edhe Timen e Taf Gjykokës me djalin, Ram Tafën, dhe të vllan, të gjithë nga Deçani. Nuk ka qenë as má i vogli shkak á gabim në këtë krim. Po këtu ásht vra një plavnjak e janë gri Taf Avdyli e Ram Dostani.

Në vjetin 1913, malazesi Arseni Qyrki prej Bellopoje ka marrë pa asnjë shkak e vra në besë të zotit Ram Gjonin nga Carabregu. Mandej Savo Llazari, i ndihmumë prej kapitenit Filip Baboviçit, á lëshue në grabitje aq sa disave u kish marrë krejt gjallnin. Po këta, kanë marrë e mbledhë pa shkak katundin Drenoc, kan vra e mundue popullin në mënyrë krejt të pashpirt, pastaj të quajtunit Dem Tahiri, Sali Mustafa e Brahim Mustafa tue i rraf i kan vu para në katundin Carabreg, i kanë shti n’ujë të ftohët e lanë gjithë natën. Prej këtyne torturave të përmendunit kanë vdekë.

Në vjetin 1922, duke u kthyer në shtëpi, vritet prej malazezve pa kurrnji arsye i quajtuni Mus Brahim Aliçaj, nga Carabregu i Ulët. Edhe trupi i tij ka qenë i grimë mizorisht, ka kenë deformue në nji mënyrë sa që nuk ka kenë e mujtun me u identifikue as prej familjes së tij deri vonë.

2.4.1 Sjellja e kolonistave ndaj banorëve shqiptar

Që në fillim të kësaj shkrese kemi përmendë dhe stigmatizue veprat grabitqare të drejtuesve të kishës së Deçanit, e cila e pangopun në grabitje të arave e livadheve shqiptare si dhe të zabeleve të tyne me të tilla veprime ka vështirësue jetesën e provokue vorfnimin e këtij populli.

Ndonji shqiptar që kishte guximin me ankue në autoritetet e vendit nuk fitonte tjetër veç kërcnimit të kryetarit komunës, Jovan Shabanit, dhe ndonji kamxhik në fytyrë prej postëkomandantit, gjindarmit jugosllav Sim Çuka. Prandaj ju desh me ju shtrue fatit. Kolonistat tue mos mjaftue me tokat që u kish dhanë reforma agrare, kanë grabitë tokat má të mirat të shqiptarëve, tue i shfrytëzue deri sa u shporrrën këndej. Në këtë rast meritojnë të shënjohet vujtja e katundit Drenoc, ku janë përdorë mjete çnjerëzore prej kolonistave. Në këtë rast rolin më të shënjuem e ka luejtë në dám të shqiptarëvet Dushan Vukoviçi, pensioner atëhere, njeri influentë dhe i zhveshur nga çdo ndjenjë njerëzore.

Në rastin e shpartallimit, kur kapitulloi Jugosllavija në prill 1941, áshtë vra  pa asnjë arsye, tek dera e vet në Drenoc, i quejtuni Beqir Ibishi. Në Carabregun e Epërm kanë lidhë Uk Isufin, Çel Shabanin e Fasli Shabanin e kanë fillue t’i therin me bajoneta, deri sa ka arritë në vend një çetë zjarmfiksash nën komandën e z. Zeqir Xhykokës, e cila çetë ka pshtue jetën e tre personave të përmendun.

Në katundin Drenoc áshtë marrë, rrahë, torturue, lidhë e mundue pa pikë mëshire Sali Hajdari nga aji katund.

Në katundin Carabreg i Epër pa fare arsye kanë vra djalin 16 vjeçar të Mulla Ademit nga ay katund.

Mjaftojmë me kaq sepse po të merrshim me përshkrue mizorinat e të zezat që ky popull ka vuejtë gjatë robnis tij nën thundrën serbo – malazeze nuk kishin mjaftue volume.

Kryetari i Komunës së Deçanit

Prizeren, më 31.X. 1944

Vërtetohet

Kryesekretari i Prefekturës

Niko Lafe

 

2.5 Masakrat në komunën Junik

2.5.1 Planet për mospagimin e të hollave

Për mospagimin e të hollavet, në këtë kohë nënpunësit përkatës përgatitshin këtë plan:

Vijshin dhe kërkojshin të hollat básh në kohën má të papërshtatshme dhe nuk epshin aspak afat për pagimin e taksës, prandaj merrshin gjánë e gjallë qi gjejshin, ushqimin e bagëtivet, teshat shpijake e sidomos pajen e nusevet të reja të martueme rishtas. Kolonizatorët malazez bájshin kontratë me nënpunësin, prandaj kur qitej gjája për t’u shitë nuk guxonte asnjë shqiptar për t’u afrue dhe për të ble gjána që shiteshin, por e blejshin ata të paracaktuemit me të dhjetën e çmimit. Një sasi të hollash ua jepnin nënpunësvet dhe mandej çojshin në shtëpi pasunin. Po sa vinte i shkreti shqiptar me të holla, shkonte tek ai që i kishte ble gjánë, i cili ia shiste dhjetë herë má shtrenjtë se sa e kishte ble. Në këtë mënyrë dinari i caktuem për taksë bëhej dhjetë dhe taksa shtohej përditë. Ka ndodhë që një personi iu kanë kërkue nji herë treqind dinarë dhe mandej kur ka mbërritë ju kanë bá tremijë dinarë. Për të mujt me nxjerrë ndonjëherë afat duhej t’i epshin të holla, ryshfete atyne personave qi tagrambledhësit mbajshin me veti. Prandaj kuptohet se ai njeri që kishte fat me u shoqnue me ta, ndonëse faqezi, përfitonte shumë.

Të quejtunit Zyber Ramës, për arsye se kishte shumë për të paguar dhe se nuk kishte mënyrë tjetër për të pague aty i kanë marrë këto gjána: 22 qerre sanë, dy arka tesha grash dhe burrash të çmueshme për 2 300 dinarë. Nënpunësi veprues ka qenë tagrambledhësi Milena Popoiç. Haxh Zyberit i kan marrë nji pend qe dhe nji lopë për 1 300 dinarë.

Ndërkohë që  nuk ka shpëtue njëri të cilit të mos i jetë bá ndonjë dhunë e tillë, sikurse nuk ka njeri të ketë shpëtue pa u rrah në mënyrën má mizore, prandaj nuk po zgjatemi me përshkrime të tjera.

Ndër nënpunësit má të këqij dhe má mizorë dhe që kanë pasë për qëllim shfarimin e farës shqiptare janë: Muj Kapiteni, i cili ishte kryetar i komunës dhe kishte me u dashtë një libër i veçantë për të përshkrue të zezat e tij; komandanti i postës, Pjetër Pjetroviçi, i cili për t’i gjobitë mirë njerëzit u thonte se keni armë, prandaj i gjobitke me sasina të konsiderueshme të hollash, dhe Mihal Boshkoviçi.

Në kohën e shkatërrimit të Serbisë janë vra në ndeshjet që kanë bá malazeztë: Uk Lushi nga lagjia Berishë e katundit Junik dhe Shaban Paleshi dhe janë plagosë Sadik Jusufi e Mehmet Sahiti nga lagjia Gacaferr, Muharrem Sadiku nga lagjia Qok.

Ky është shkurtimisht raporti i barbarizmave sllave të kryeme gjatë periudhës së nalttregueme në rajonin e kësaj komune.

Shtojmë se ajo áshtë e qindta pjesë e atyne barbarizmave, por se ishte fare e pamundun përshkrimi i përgjithshëm i të gjitha fakteve.

Kryetari i Komunës Junikut

Jah Salihi d.v.

Prizeren, më 31.X. 1944

Vërtetohet

Kryesekretari i Prefekturës

Niko Lafe

 

2.6 Lista e personave të dámtuem nga sllavët tradhtisht të rrethit të nënprefekturës Suharekës

Ram Bllaca, nga katundi Bllacë, në vitin 1927 ásht vra nga shteti jugosllav. Ndërhyrsat e vrasjes kanë qenë Kostiqët e Prizerenit dhe Naçallniku i Suharekës. Isa Ademi dhe Fasli Baftija, nga katundi Greqevc, më 9. IV. 1912, vriten nga prita prej sllavëve.

Halil Velija dhe Sefer Emini, nga katundi Nishnueri, më 9.IV.1912, vriten nga prita prej sllavëve.

Osman Syla, Halit Syla, Ramadan Baftjari, Shaban Syla, nga katundi Vranic, janë therë me thika më 1912.

Bajram Fasllinë, nga katundi Maqitavë, e kanë pre në Prizeren me Osman Sylën, më 1912.

Xhel Iljazin, nga katundi Maqitavë, më 1919, e kanë therë duke i thánë se po mban komitat shqiptare.

Rrustem Osmanin, më 1920, Xhelë Esatin, më 1925, Rrustem Azemin, më 1921, që të tre nga katundi Mushtisht, i kanë vra pa asnjë arsye.

Musli Demën, nga katundi Vraniq, më 1935, e kanë vra pa asnjë arsye.

Rexh Abazi, nga katundi Maqitavë, më 1935, e kanë vra natën.

Xhem Destanin, nga katundi Delloc, rojtar i pyjeve, më 1924 e kanë vra tue i thanë se ke vra shkiet.

Sejdi Ram Bajraktari, nga Suhareka, më 1920 e 1927, ásht gjuejt prej sllavëve për arsyena shqiptare.

Sadik Mehmeti, nga katundi Peçan, më 1927 e 1929, burgos e vuejtje të tjera për arsye shqiptare.

Vërtetohet njisia

Arshivisti i Nënprefekturës Suharekës

Perlat Mema d.v.

Suharekë, më 8. IX. 1944

Vërtetohet

Kryesekretari i Prefekturës

Niko Lafe

Prizeren, më 31.X. 1944

 

2.7 Masakrat në komunën Sdreckë

Mbretnija Shqiptare

Komuna e Kl.I-rë Sdreckë

Nr. 254                                             Sdreckë, më 29. VII. 1944

P.T.Prefekturës

P r i z e r e n d

Në lidhje me urdhënin Tuaj nr. 1063, datë 17.VII.1943, kemi nderin t’ju njoftojmë se me hetimet e imta të báme në rajonin e kësaj komune gjatë sundimit të Jugosllavis për kondra Elementit Shqiptar janë bámë këto masakrime:

Në vitin 1923 ásht vramë i qyejtuni Qazim Xhemaliu nga katundi Gornisellë. Vrasja áshtë bá në këto rrethana: Viktima pat shkue për vizitë me gjithë bashkëshorten e tij në katundi Drajçiç të kësaj komune tek fisi i vet, i quejtuni Bajram Ademi. Aty kanë shkue natën dhe e kanë marrë dhe shoqnue për në lagjen Bogoshovc të katundit Sdreckë dhe pikërisht në vendin “PESOK“ e kanë masakrue, tue qenë i lidhun duarsh e kambësh. Vrasësit janë të quajturit Kresto Mandushi nga katundi Sdreckë si dhe Gjorgje Vuçkoviçi nga katundi Gornisellë, së bashku me tre gjindarm serb. Arsyeja e vrasjes ka rrjedhun nga që kishte vendosë shoqnija e çetnikëve me qendrën në Sdreckë, të cilën në atë kohë e kryesonte i naltpërmenduni Kersto Mandushi. Thuhet se për vrasjen e këtij katundi Sdreckë i ka pague shoqnis çetnike nji sasi paresh që kjo jau ka dorëzue gjindarmvet që patën marrë pjesë në masakrimin e viktimës. Viktima ishte idealist shqiptarë dhe nga kjo arsye ásht vramë.

Kryetari i Komunës Kl. I

Sejdi Sejdorati d. v.

Vërtetohet

Kryesekretari i Prefekturës

Niko Lafe

Prizeren, më 31.X. 1944

VIJON…


Etiketa: , , ,

loading...
KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Pas