Tre ditë pas vendimit që çliron nga burgu i përjetshëm Dritan Dajtin, i akuzuar për vrasjen e 4 policëve reaguan 2 ministrat Etilda Gjonaj dhe Sandër Lleshaj. Ata e quajtën vendimin “aferë korruptive” dhe kërkuan zhbërjen e tij. Reagon PD: Me kë flet nga burgu Dritan Dajti, ministrat “Eunukë dhe kukulla të Ramës”. Ambasadori i BE kërkon vlerësim urgjent të vendimit të gjykatës nga KLGJ.
Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, ka reaguar për vendimin e Gjykatës së Apelit për uljen e dënimit ndaj Dritan Dajtit. Në një postim në Twitter, Soreca thotë se ky vendim ndaj të pandehurit Dajti të akuzuar për vrasjen e katër policëve kërkon vlerësimin urgjent nga KLGJ dhe Prokurori i Përgjithshëm. “Vendimi i Gjykatës së Apelit për zvogëlimin e dënimit të të pandehurit të dënuar për vrasjen e 4 policëve bën thirrje për vlerësim urgjent nga KLGJ dhe Prokurori i Përgjithshëm”, shkruan Soreca. Ambasadori Soreca thotë se Reforma në Drejtësi është e pakthyeshme dhe do të mbulojë të gjitha nivelet e juridiksionit. Por reagimi i Sorecas nuk ka qenë i vetmi që është bërë dje. Dy ministra të qeverisë Rama, e konsideruan vendimin si skandaloz dhe kërkuan që pesë gjyqtarët të mbanin përgjegjësi. E para që theu heshtjen ishte ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, e cila shkoi përtej dyshimeve se ishte aferë korruptive e sistemit të drejtësisë ulja e dënimit për Dajtin, i akuzuar për vrasjen e katër efektivëve të policisë, pjesë e Grupit të Operacioneve Speciale, Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Altin Dizdari dhe Saimir Duçkollari. Qëndrim edhe më të fortë mbajti ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, që edhe me barrën e titullarit që ka në varësi Policisë e Shtetit gati u “betua” se nuk do kishte qetësi pa çuar në vend drejtësinë, duke i konsideruar të pafe dhe të paatdhe pesëshen e gjyqësorit që në një vendim shumë të dyshimtë i hoqën dënimin përjetë të akuzuarit për ekzekutimin e katër punonjësve të policisë. Përtej deklaratave “bombastike” nga sallat e konferencave të ministrive respektive, Partia Demokratike e konsideron reagim të vonuar, nën presion dhe të pasinqertë të përfaqësuesve të qeverisë. “Të shtrënguar nga presioni ndërkombëtar dhe revolta e opinionit publik, kukullat e Edi Ramës në Ministrinë e Brendshme dhe në Ministrinë e Drejtësisë u bënë pjesë e teatrit kriminal me aktor Dritan Dajtin dhe regjisor Edi Ramën”, thuhet në reagimin e Partisë Demokratike. Përveç qëndrimeve politike ka edhe një luftë juridike, ku burime të Prokurorisë së Përgjithshme shprehen se do ta ankimojnë vendimin e Gjykatës së Apelit, ndonëse pritshmëritë për të rikthyer sërish dënimin me burg përjetë të Dajtit janë të vogla.
Ministrat “shpërthejnë” në deklarata
U deshën tre ditë që të kishte reagim zyrtar të strukturave të qeverisë në lidhje me vendimin e gjykatës që krejt papritur shpëtoi nga burgu përjetë një nga personazhet më të përfolur, mbi të cilin rëndojnë akuza e vrasjes në detyrë të 4 efektivëve policor. “Vendimi i trupës së gjyqtarëve për pranimin e gjyqit të shkurtuar dhe uljen e dënimit me 25 vjet burg për një të pandehur i akuzuar për vrasjen e 4 policëve tregon qartë se kemi të bëjmë me një aferë korruptive dhe në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale. Prej 48 orësh kemi punuar intensivisht për të adresuar një skandal të tillë të papranueshëm, të përmasave të tilla të patolerueshme të gjyqtarëve që kanë dhënë vendimin në kundërshtim me ligjin për personin e akuzuar për vrasjen e 4 policëve”, -tha ministrja Gjonaj. Ajo shtoi: “Ndaj revoltën legjitime të çdo qytetari përballë këtij lajmi të shëmtuar që vjen nga segmente, ku ende nuk ka arritur procesi i vettingut, duhet të theksoj se do të ndjekim të gjithë hapat me mjetet ligjore që jeta e 4 dëshmorëve të atdheut të peshohet në kandarin e korrupsionit në mungesë totale të profesionalizmit të disa gjyqtarëve që nuk meritojnë asgjë tjetër përveç se përbuzjes”. Për këtë çështje pritet që t’i drejtohen KLGJ-së për të marrë masa ndëshkimore ndaj pesë gjyqtarëve të çështjes “Dajti”. Pas ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj, i ashpër në reagimin e tij kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, ishte edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj. “Njerëz të çartur, pa fe dhe atdhe po çmenden para parasë së krimit. I siguroj familjarët e 4 dëshmorëve se përgjigjja e institucioneve do të jetë e fortë dhe ligjore në respektim të plotë. Nuk do ketë paqe për forcat e policisë pa u zhbërë ky vendim”, u shpreh ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj. Gjithashtu, Lleshaj lëshoi edhe një mesazh “të koduar” teksa paralajmëroi se mund të ketë zhvillime të reja rreth këtij vendimi, duke nisur nga gjyqtarët. “Edhe pse nuk mund të jap detaje, deklaroj se Operacioni “Forca e Ligjit” është vënë në veprim të plotë për të adresuar me të gjithë forcën e së drejtës atentatin e qartë, brutal dhe skandaloz që i është bërë drejtësisë në vendin tonë, sakrificave të panumërta dhe gjakut të derdhur nga qindra punonjës të Policisë së Shtetit shqiptar përgjatë tri dekadave të fundit”, -theksoi Lleshaj. Gjithashtu, ministri Lleshaj mori përsipër të mbante edhe qëndrim politik, teksa i konsideroi monstra ata që e keqpërdorin këtë vendim. “Po aq të çmendura janë edhe reagimet e monstrave politike që përpiqen të keqpërdorin dhe të kthejnë në armë kundër qeverisë vendimet e disa gjyqtarëve, që ata vetë i kanë ushqyer gjatë viteve të qeverisjes së tyre në simbiozë me një sistem drejtësie të korruptuar dhe me rrjete e grupe kriminale që u rritën nën hijen e tyre”, shtoi më tej Lleshaj, duke nxitur indirekt edhe qëndrimin e fortë të PD-së.
PD: Me kë komunikon nga burgu Dajti?
Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Brendshëm dhe asaj të Drejtësisë në lidhje me reduktimin e dënimit për Dritan Dajtin. Në një reagim zyrtar, PD është treguar veçanërisht e ashpër me ministrin Lleshaj, të cilin e ka quajtur si “eunuku i Ramës”, ndërkohë që reagimin e ministrave e ka quajtur si teatër kriminal. “Lotët e krokodilit nuk e ndryshojnë dot faktin se vrasësi i 4 Dëshmorëve të Atdheut, Dritan Dajti, është praktikisht i liruar nga drejtësia e re e Edi Ramës. Shqiptarët mund të gënjehen njëherë, por jo përgjithmonë!. Në vend që t’u besojnë kërcënimeve qesharake të eunukut të Ramës në Ministrinë e Brendshme, shqiptarët e dinë se karrigia e Edi Ramës është blerë nga votat e krimit të organizuar, i cili, fatkeqësisht, nuk luftohet dot me lot krokodili”, thuhet në reagimin e PD. Sipas saj, Edi Rama kishte nën kontroll Gjykatën e Lartë, kur ajo zhvlerësoi dënimin me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin dhe i hapi rrugë vendimit skandaloz që siguron lirinë e shpejtë të një prej kriminelëve më të tmerrshëm. Partia më e madhe opozitare shkon më tej kur hedh sfidën ndaj ministres Gjonaj, kur ngre pyetjet se: Me kë komunikon nga burgu Dritan Dajti? Kë shantazhon nga burgu vrasësi i 4 policëve në krye të detyrës? Kush i ka dalë Dritan Dajtit garant për lirimin e tij të shpejtë?”-ngre dyshimet PD, duke lënë të kuptohet se autori i vrasjes së katër policëve ka lidhje të forta me drejtuesit e qeverisë.