Në Shqipëri koronavirusi ka prekur e shfaqur forma të komplikuara edhe tek fëmijët. Aktualisht tetë pacientë të vegjël, midis të cilëve me sëmundje të tjera, po trajtohen për Covid-19 në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”.
Gjendja e tyre aktuale bëhet e ditur nga shefja e Shërbimit Infektiv e Pediatrik, Gjeorgjina Kuli.
“Kemi fëmijë të shtruar momentalisht me forma të komplikuara, me përfshirje të mushkërive, apo fëmijë që janë infektuar nga koronavirusi, por që kanë sëmundje kronike si sëmundje të mushkërive, astmë, fibrozë, etj. Kemi 8 fëmijë të shtruar në pavionin e koronavirusit, dy prej të cilëve janë me terapi, me oksigjen, por jo në kushte për kalimin në repartin e terapisë intensive”, tha Kuli në një prononcim për ABC News.
Mjekja këshilloi prindërit në shtëpi të termometrojnë fëmijët çdo mëngjes. “Nëse fëmija ka temperaturë të mos bëjmë justifikime amatore “u ftoha nga kondicioneri”, por duhet të njoftojmë mjekun e familjes”-u shpreh më tej Kuli.
Covid-19 do vijojë të jetë mes njerëzve deri në daljen e një vaksine dhe izolimi i mëtejshëm do të shoqërohej me pasoja të rënda psikologjike tek fëmijë. Specialistët thonë se e vetmja gjë që mund të bëjmë është përshtatja me situatën e re që po jetojmë.