Qeveria po përgatit një ligj që kriminalizon memet në rrjetet sociale.
Ndryshimet janë propozuar në Kodin e ri Penal nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Ministrja propozon në Kodin e ri Penal që të kriminalizojë memet në rrjetet sociale dhe të dënojë njerëzit me 1 vit burg, kush bën meme, pa marrë më parë pëlqimin e personit dhe nëse në një meme të postuar nuk jepet sqarimi që është montazh.
Drafti i Ministrisë së Drejtësisë për ndryshimet në Kodin Penal parashikon ndëshkime edhe për postimet që qytetarët bëjnë në faqet e tyre në rrjetet sociale siç është Facebook. Propozimet e Ministrisë së Drejtësisë përkojnë në një masë të madhe me draftin e përgatitur nga qeveria për ligjin antishpifje.
Shpifja në rrjetet sociale cilësohet e dënueshme në pikën dy të nenit 227 të draftit, ku thuhet se përhapja e qëllimshme e deklaratave rreth një fakti specifik të rremë dhe ofendues ndaj personit si dhe/apo çdo informacioni tjetër të rreme, që cenojnë nderin dhe reputacionin, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë deri në një milion e pesëqind mijë lekë.
Ndryshimet në këtë dispozitë parashikojnë edhe një dënimin plotësues ku thuhet se autori ka detyrimin të bëjë përgënjeshtrim dhe të kërkojë falje publike ndaj personit që është dëmtuar nga shpifja.