Mapo Letrare

Dragonjtë






               Publikuar në : 21:57 - 13/07/19 |
mapo.al

Nga Gianrico Carofiglio


Para ca kohësh, pata takuar një shoqe të vjetër. Jetojmë në dy qytete të ndryshme dhe kishim vite që nuk ishim takuar me njëri tjetrin. Kështu, në pritje të fluturimeve, vendosëm të merrnim kafetë dhe të shkëmbenim ndonjë informacion nbi çka na kishte ndodhur në dekadën e fundit.

Para pak vitesh ajo kishte njohur një tip, (djalosh), kishte rënë në dashuri me të, dhe brënda dhjetë muajve ishin martuar. Ai ishte simpatik, inteligjent, i përkujdesur ndaj saj; aq bukur sa ngjante si përrallë.

E në një farë mënyrë vërtetë ishte përrallë. Më vonë martesa qe shëndërruar si doktor Xhekill dhe zotni Hajd*. Ai e pati ndërprerë mirësjelljen; ishte bërë obsesiv, xheloz dhe i dhunshëm, kishte filluar ta fyente dhe ta përçmonte sidomos ndërsy të miqëve dhe të huajve. Dhe kështu jeta, pak nga pak, i qe kthyer në një makth. Ajo nuk i gjente dot forca të zgjohej dhe të dite nga ajo martesë.

Një ditë një kolege i kishte thënë për një ngjarje që i pati ndodhur një të njohurit të saj.

“Një vajzë po shkonte drejt martesës. Të gjitha përgatitjet ishin të kopsitura. Të ftuarit, dëshmitarët, prifti dhe  dhëndrri po e prisnin në kishë, ashtu sic e donte tradita. Kur ajo mbërriti në kishë, kërkoi të mbante një fjalim të shkurtër. Kërkesë pak jashtë rregullit, por askush nuk u bezdis.

– Së pari dua të falenderoj prindërit e mi, për atë që kanë bërë për mua deri më sot. Më kanë qëndruar afër kur kam pasur nevojë dhe më kanë lënë të lirë kur ishte e drejtë. Të dallosh kur është momenti i duhur për njërën dhe tjetrën nuk është e thjeshtë. Duhet zemër dhe mëndje. Faleminderit mami, faleminderit babi. Shpresoj të mos iu zhgënjej kurrë.

Prindërit i dhanë një buzëqeshje dhe ajo vazhdoi, duke iu drejtuar të ftuarve

– Ju falendroj juve që jeni këtu. Shpresoj që gjithsesi të ruani nga ky çast një një kujtim të mirë.

Përshperitje të lehta. Një kollitje. Dhëndrri kishte në fytyrë një shprehi të çudtshme.

– Dhe tani dua të falenderoj të fejuarin dhe shoqen time më të ngushtë, që e kam dhe dëshmitare të martesës. Ju falenderoj që më keni shoqëruar së bashku, drejt hapit që po hedh.

Në kishë sikleti ishte thuajse i prekshëm.

– Ju falenderoj sidomos që natën e shkuar e keni kaluar bashkë. Dhe shumë të tjera në muajt e fundit, gjithnjë në të njëjtin hotel. Ju uroj shumë lumturi së bashku. Më vjen keq vetëm që ti e dashur je e martuar. Por jam e sigurtë që me burrin tënd do gjesh një zgjidhje. Sidoqoftë këto informacione atij do i duken interesante.

Pastaj doli nga kisha, duke kaluar në heshtjene ngurtë të turmës, për të marrë një makinë që e priste te dera me motorrin e ndezur.”

Shoqja ime e vjetër bëri një pauzë të gjatë para se të vazhdonte, pastaj mu drejtua.

– Kjo ngjarje mua më bëri një përshtypje të thellë. I thashë vehtes se, nëse ajo nuse kishte qënë e zonja për një fjalim të tillë, edhe unë do mund të isha e zonja për të dalë nga kurthi ku isha futur. Qe e vështirë, por pas dy javësh isha e lirë.

Unë po e shikoja me një farë zori. Kisha diçka që nuk dija nëse mund t’ia thoja. Pastaj mu duk sikur më lexoi mëndjen.

– Ti e njeh këtë histori, apo?

I pohova me kokë, dhe ajo më buzëqeshi.

– Pak kohë pas ndarjes, po lexoja një libër, dhe zbulova në të që, një ngjarje e tillë ekzistonte, thuajse e njëllojtë, në dhjetra versione, në dhjetra qytete. Në fillim mu prish pak qejfi. Ajo nuse për mua ishte bërë si një idhull, dhe pastaj zbulova që ishte veçse një personazh i trilluar. Më vonë vendos të isha mos kokqarëse. Për mua rrëfenja ishte e vërtetë dhe ajo ishte e vërtetë. Ndoshta ti do më kuptosh.

-E njeh një shkrimtar me emrin Çesterton? – e pyeta.

-Jo, nuk e kam lexuar kurrë. Pse?

– Çestertoni thoshte që, përrallat nuk i shërbejnë fëmijëve për t’iu treguar që dragonjtë ekzistojnë. Këtë fëmijët e dijnë vetë.

– E për çfarë duhen atëherë?- më pyeti ajo.

– Përrallat egzistojnë për t’i shpjeguar që dragonjtë mund të munden.

 

 

  • “The strange case of dr. Jekyll and mr Hyde” i Robert Louis Stevenson – Tregim i gjatë ku përsonazhi kryesor ka një personalitet të dysfishtë
  • Gilbert Keith Chesterton – shkrimtar dhe gazetar anglez i fillim 1900-s

 

Përktheu GIRNI SIMONI


Etiketa:

Pas