Editorial

Drama e Teatrit me një aktor që vjen e një regjisor që ngelet




Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 15:50 - 09/05/20 |
Mapo.al

Në një prej kohëve më të vështira për vendin, ku kriza ekonomike prej pandemisë pritet të shfaqet me përmasa tronditëse prej lajmërimeve që vijnë ngado, kur integrimi europian kërkon edhe më shumë mund e punë, kur ka një pasiguri e mungesë të madhe shprese, dhe humor të rënduar të shoqërisë, vjen si nga hiçi një plan i rilindjes, prishja e Teatrit Kombëtar, dhe ndërtimi i të riut.


Është më e saktë nëse thuhet se rikthehet, sepse ideja e Ramës është e vjetër, prej qëmoti, por gjithçka ka ngecur falë rezistencës së disa artistëve dhe aktivistëve idealistë të shoqërisë civile.


Çdokush pret një projekt ndoshta edhe zgjidhje për këtë situatë. Por del se impenjimi kryesor i rilindjes është gjetkë. Ideja gjeniale është prishja e Teatrit Kombëtar.



Dhe këtu ka një djallëzi të madhe. Edi Rama bën sikur lan duart, duke ja kaluar pataten e nxehtë Erjon Veliajt. Me një vendim qeverie, e bën pronë të bashkisë gjithë truallin.


Tani Rama kalon tinëzisht pas perdes. Eshtë një konflikt i fortë dhe me kosto jo të vogël politike. Tashmë shtati i rilindjes së tij ka mjaft lëngime dhe nuk mban më edhe një damkë të një afere të këtyre përmasave. Dhe, ja në skenën e teatrit, del aktori kryesor.


Nuk humbi asnjë dekikë, kryetari i Bashkisë së Tiranës. U prezantua me gjithë përmasat që ja ka kërkuar regjisori.

Fyes, i rreptë, kërcënues. Me një fjalor përçarës, që krijon menjëherë alergji. Mbi të gjitha, debati për teatrin, është një debat idesh. Dhe i tillë duhet të jetë. Disa janë për ruajtjen e vlerave, për trashëgiminë. Disa janë për të ndërtuar një të ri. Problemi është se dukshëm, rilindja është shfaqur në një cep tjetër. Qeveria me Veliajn kanë mbështetur, një ide biznesi. Një biznes jo i pakët, por dhjetra milionë euro.

Qysh në fillim, rilindja ka përtuar të futet në këtë përballje pikpamjesh parimore. Motorri që e lëviz atë fuqishëm, është trualli i shtrenjtë dhe kopshti me kulla që kanë në plan të mbjellin aty.

Dhe, nuk ka humbur shumë kohë, aktori kryesor tashmë i kauzës së qeverisë. Ka dalë në skenë me strategjinë e njohur tashmë. Duke shpallur armiq, banorë kasollesh, dhe pengmarrës të gjithë ata që mbrojnë teatrin. Sigurisht, duke i stigmatizuar edhe si militantë të partisë. Duke damkosur këdo me të njëjtin fjalor të cunguar, por krejt të pahijshëm.

Ai ka shkuar aq larg, sa sot i ka shantazhuar aktivistët, aktorët e njohur, me burg. Se ku e gjen ky zyrtar i pushtetit lokal tagrin dhe argumentin të kërcënojë me heqje lirie qytetarët e lirë, një zot e di. Por ai është në rol. Këtë rol i kanë caktuar. Reagimi pas këtij fjalori dhe adresimi të papranueshëm të Veliajt është e sigurtë se do të jetë më i zjarrtë. Me cilësimet fyese, që sjellin ndasi, ai ka ftuar çdokënd tjetër t’i bashkohet kauzës së teatrit. Çdo indiferent është prekur sot nga ai qendrim publik.

Dhe nuk është aspak çudi, që në fund, nëse kostoja do të jetë shumë e madhe, Veliaj të ilirbeqizohet. Të ngrihet në fund Edi Rama, të dalë si shpëtimtar, e të thotë, jo nuk do ta prishim. Do ta ruajmë, e do të bëjmë një tjetër teatër. Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tironë.

Mapo.al


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas