Aktualitet

DRAMATIKE/ Mijëra aplikime të minorenëve shqiptarë për azil në Europë








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:50 - 24/09/20 |
mapo.al

Në periudhën janar 2019-gusht 2020 ka pasur 6,895 aplikime për azil nga minorenët më pak se 17 vjeç, që përbën rreth 29% të aplikimeve nën 34 vjeç, ose 23% të totalit.


Të dhënat më të fundit të Agjencisë Europiane të Statistikave “EUROSTAT” flasin se kërkesat për azil për tremujorin e dytë të vitit 2020 ranë për herë të parë me 70%. Por, kërkesat e shtetasve shqiptarë për azil në disa vende europiane mbeten ende të larta. Sipas të dhënave që i referohen periudhës nga prilli deri në qershor të vitit 2020 rreth 840 shtetas shqiptarë kërkuan azil në Francë, Gjermani, Itali dhe në Britaninë e Madhe.


Në Francë kërkesat për azil të shqiptarëve janë 205 dhe zënë 44% të kërkesave në total për azil, ndërsa në Gjermani janë 140 dhe zënë 30 % të kërkesave. Në Itali janë 55 dhe zënë 12%. Ndërkohë numri më i lartë i kërkesave për azil nga shqiptarët për tremujorin e dytë të 2020 shënohet në Britaninë e Madhe me 440 persona. Aplikimet në pritje të mbrojtjes ndërkombëtare janë në shqyrtim në këto vende. Sipas Eurostat rreth 842 000 kërkesa për azil janë ende në pritje në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.


Ndërkohë bazuar në të dhënat e Eurostat nga janari i vitit 2019 deri në gusht të 2020-s sipas revistës “Monitor” kanë aplikuar për azil në një nga shtetet e Bashkimit Europian dhe të tjera rreth 30.5 mijë shqiptarë. Pjesa më e madhe e tyre janë të rinj. Sipas të dhënave të Eurostat 23.8 mijë persona, ose 78% e totalit të aplikimeve për këtë periudhë janë persona deri në 34 vjeç.


Largimi i të rinjve nga Shqipëria mbetet një nga problemet më madhore që përballon vendi. Në shumë rajone është ulur shtesa natyrore e popullsisë dhe lëvizjet demografike të viteve të fundit kanë ulur ndjeshëm ritmin e zhvillimit ekonomik.


Po ikin të rinjtë dhe minorenët
Pjesa më e madhe e atyre që po ikin janë të rinj. Të dhënat e Eurostat bëjnë të ditur se 23.8 mijë persona, ose 78% e totalit të aplikimeve për këtë periudhë ishin deri në 34 vjeç. 15.3 mijë persona, ishin të grupmoshës 18-34 vjeç. Shumë e lartë është ikja e minorenëve. Në periudhën janar 2019-gusht 2020 ka pasur 6,895 aplikime për azil nga minorenët më pak se 17 vjeç, që përbën rreth 29% të aplikimeve nën 34 vjeç, ose 23% të totalit. Të dhënat e detajuara të EUROSTAT tregojnë se Franca është destinacioni më i preferuar për minorenët nën 14 vjeç, me 3,460 aplikime për periudhën në fjalë, ose 50% e gjithë kërkesave nga minorenët.

Franca njihet si një shtet social, sidomos për minorenët, çka i nxit prindërit që të rrezikojnë të lënë fëmijët në kampe me shpresë se ata do të sigurojnë një të ardhme më të mirë. Preferenca tjetër është Gjermania (1,145 aplikime), më pas Greqia (695), Mbretëria e Bashkuar (525) dhe Italia (310). Kanë aplikuar për azil edhe 1,615 persona të moshës 17-18 vjeç. Në total për periudhën janar 2019-gusht 2020, shteti me aplikimet më të mëdha nga azilkërkuesit shqiptarë mbetet Franca, me 40% të totalit.

Franca është bërë vitet e fundit tërheqëse për shqiptarët për shkak të politikave sociale në lidhje me trajtimin e çështjeve, duke ofruar disa shkallë deri në vendimin final, ka trajtime më të mira në qendrat e pritjes, nuk ka kthime me forcë. Shteti i dytë është Mbretëria e Bashkuar, me 18.4% të totalit të aplikimeve, e ndjekur nga Greqia (1.7%).

Gjermania që ishte deri para disa vitesh si destinacion i preferuar për azilantët tani është në vend të katërt, për shkak të politikave më pak sociale dhe dëbimeve me forcë. Pas Gjermanisë vjen Italia, me 6%. Mbi 60% e aplikimeve në total në vendet e BE+ në 20 muajt e fundit janë bërë nga meshkujt, sipas të dhënave të Eurostat.

2019, Anglia e preferuara e shqiptarëve
Të dhënat e Eurostat për vitin 2019 treguan se aplikimet për azil nga shqiptarët në Londër arritën në 4000, me një kërcim prej 52% në krahasim me një vit më parë. Tani Mbretëria e Bashkuar është destinacioni i dytë pas Francës me numrin më të lartë të aplikimeve, ndërsa krahasuar me vitin 2010, numri i aplikimeve është 10-fishuar.

Azilkërkuesit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar përfaqësonin 17% të totalit të kërkesave për azil në BE për vitin 2019 sipas të dhënave të Eurostat. Flutura, përfaqësuese e Programit Shpresa, një organizatë aktive që merret me edukimin dhe trajnimin, mbështetjen dhe orientimin e shqiptarëve në Angli, e kontaktuar nga Monitor, tha se në Mbretërinë e Bashkuar është e pamundur që të përfitosh azil ekonomik. Një pjesë e atyre që aplikojnë për azil në Mbretërinë e bashkuar duhet të vërtetojnë që jeta e tyre është në rrezik në vendin nga ata vijnë, në rastin konkret nga Shqipëria. Ajo çka Flutura ka vënë re nga rastet që janë paraqitur në Programin Shpresa është se pjesa më e madhe e tyre nuk janë të mirinformuar.

Edhe për vitin 2019 numri i azilkërkuesve shqiptarë në Europë shënoi rritje, ku sipas të dhënave të Eurostat aplikuan 23,525 shqiptarë. Franca ishte sërish edhe këtë vit destinacioni kryesor i azilkërkuesve me rreth 9,235 aplikime në total, apo 40% i totalit të aplikimeve të shqiptarëve në Evropë. Megjithëse duhet shtuar se numri i tyre ka qenë në rënie në dy vitet e fundit. Aplikimet e shqiptarëve në Francë kapën rekord gjatë 2017-s ku u regjistruan gjatë gjithë vitit mbi 12 mijë aplikime, duke kapërcyer edhe aplikimet në Gjermani.

Aplikimet në Gjermani kanë rënë sërish për të katërtin vit radhazi, me 2565 aplikime apo 11% më pak në krahasim me një vit më parë. Pas Francës dhe Mbretërisë së bashkuar, në vend të tretë renditet Greqia me rreth 3055 aplikime në total, edhe pse krahasuar me një vit më pak aplikimet kanë qenë rreth 8% më të ulëta. Viti 2019 ka shënuar një rritje të aplikimeve edhe në Itali, me gati 21%, duke arritur në 1570 aplikime në total. Edhe pse në totalin e aplikimeve nga shqiptarët përfaqësojnë vetëm 4%, aplikimet në Irlandë janë dyfishuar në raport me një vit më parë, duke sinjalizuar kështu një tendencë të re aplikimesh. Në Belgjikë numri i aplikimeve në 2019-n ishte 680, ndjekur nga Suedia me 545 dhe Holanda me 270, të cilët të marrë së bashku përfaqësonin 6% të totalit të aplikimeve.

2019, çereku minorenë
Rreth 25% e kërkesave për azil nga shqiptarët janë bërë nga individë nën moshën 18 vjeç. Sipas të dhënave nga Eurostat, aplikimet për azil nga minoret në 2019-n ishin 5965 aplikime, me një rënie të lehtë në krahasim me një vit më parë. Prej tyre vetëm në Mbretërinë e Bashkuar kishin aplikuar për azil 705 të mitur, edhe pse rekordi i aplikimeve nga minorenët shqiptarë në këtë shtet është shënuar në 2014-n me 925 aplikime.

Pjesa dërrmuese që marrin iniciativën për të aplikuar për azil janë të rinjtë. Në 2019-n, 51% e aplikimeve për azil ishin bërë nga grupmosha 18-34 vjeç. Ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar 70% e aplikimeve për azil i përkisnin kësaj grupmoshe. Sipas të dhënave të Eurostat aplikimet e grupmoshës 34-64 vjeç përbënin 20% të aplikimeve.


Etiketa: , ,

Pas