Kosova është në prag të zgjedhjeve të parakoshme që priten të mbahen këtë të diel më 6 tetor. Kandidati për kryeministër në Kosovë, Ramush Haradinaj vijon me fushatën përpara zgjedhjeve. MAPO ka siguruar disa foto nga takimi i Haradinajt me qytetarët në sallën 1 tetori në Prishtinë. Teksa mbante një plis në kokë, Haradinaj iu drejtua simpatizantëve me fjalët:
“Dikur me këtë plis ka qenë rrezik të dalësh nga shtëpia, këtu ka nga ata që s’kanë guxuar të dalin”. Haradinaj theksoi se kanë të drejtën të bashkohen me familjen e madhe europiane. Ai tregoi edhe pse numri 119 duhet votuar.
“Nëse duam siguri në rend dhe ligj, ju them se kemi forcuar policinë, të cilët janë të respektuar dhe me paga, do ti respektojmë dhe më tej me pensionim të parakohshëm. Pagat janë dyfishuar. Nuk ka armiq që mundohen në Kosovë pa e marrë vesh AKI jonë. AKI është inteligjenca jonë dhe e merr vesh para të gjithëve kur është në rrezik Kosova”.
Haradinaj tha se e di që presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, frikësohet që ai t’i fitojë këto zgjedhje.
“Vuqiçi nuk e ka veç për taksën. Ai e ka parë që ne jo vetëm që e kemi forcuar taksën, por e kemi forcuar edhe shtetin ligjor edhe ligjin, e kemi shtrirë edhe në veri, policët nuk shkojnë me helikopterë por përtokë si duhet”.-përfundoi Haradinaj.