Pit Stop-i i fundit mbaroi. Ka nisur xhiroja finale drejt rotacionit të vitit të ardhshëm. Dukshëm, që pas mbylljes së reformës së sikletshme elektorale, kreut të opozitës Lulzim Basha i janë krijuar disa avantazhe. Në 2021-shin nuk është vetëm sfida e rotacionit por edhe mbyllja e tranzicionit. Ndaj Basha do ketë shansin t’i shërbejë një ideje të madhe.
Basha ndodhet në terrenin e real-politikës dhe hapat e deritanishëm të tregojnë se ai po lëviz drejt një rotacioni të sigurt. Kundërshtarët e tij nuk do kenë më shansin të godasin poshtë brezit për ndonjë “marrëveshje” me pushtetin. I vetmi terren që mund ta komprometonte ishte reforma elektorale dhe ajo u mbyll. Tashmë terreni i shërben më shumë Bashës dhe kjo mund të kuptohet fare mirë nga fakti se Rama duhet të merret me justifikimin e 7 viteve të lodhshme e të korruptuara të pushtetit të tij. Subjekti i kundërshtarit ka rënë ndërsa Basha po nis të krijojë fabulën e tij. Unifikimi i opozitës, e cila matematikisht sfidon Ramën edhe me rezultatin më të mirë që mori në 2017, i shërben qetësisë së krijimit të fabulës. Por ajo që Basha fitoi më tepër është koha, një luks që kundërshtari i tij nuk e ka më.
Por sërish nuk është e lehtë dhe koha e mbetur për Bashën duhet të shfrytëzohet si duhet. Hapja e PD, një program i besueshëm dhe një ekip më i dukshëm do i jepnin vrullin që i duhet rotacionit.
Partia Demokratike është “kështjella e fundit” që bota e nëndheshme e krimit nuk e ka marrë dot. Vitet e gjata të opozitës, nga kauza e dekriminalizimit, nxjerrja e parcelave të drogës, denoncimit të korrupsionit, mbajtën muret e kështjellës. Për t’i shkuar deri në fund, do të duhet që nga bedenat të bien daullet e shpresës.
Partisë Demokratike i duhet të mbështetet te vlerat e veta dhe njerëzit me potencial të saj të cilët janë të shumtë. Hapja e PD-së s’mund të jetë qëllim në vetvete nëse bëhet sa për sy e faqe. Ndaj, të jemi realistë, zhvillimi i ndonjë fushate brenda partisë me parimin “një anëtar-një votë” do ishte i pamundur të bëhej. Koha nuk e premton këtë. Përtej kësaj, opozitës i duhet të shtrëngojë radhët.
Partisë Demokratike i nevojiten njerëzit e duhur. Shqiptarët e dinë fare mirë që nuk janë të varfër, por të vjedhur. Përtej debatit për listën, njerëzit besojnë vetëm nëse në krye të një pune do vendosej dikush me integritet. E teksa koha nuk premton për garë me “një anëtar-një votë”, një qasje për transparencë me kandidatët, është e detyrueshme.
Partisë Demokratike i duhet një manifest për ringritjen e vendit. Situata ndodhet aty ku nuk mban më ndaj përtej premtimeve për ulje taksash, manifesti duhet të zbulojë përpara shqiptarëve luftën reale ndaj korrupsionit, një plan për të vënë dorën në plagë, për të rritur mirëqenien e familjeve shqiptare. Autori i këtyre radhëve beson se është koha për një program konservator, që do të garantonte ndihmë direkte për familjet shqiptare, një kapitalizëm human dhe konkurrencë të drejtë që do të thyente pabarazinë tinëzare të krijuar në shoqërinë shqiptare. Sepse në themel të një shoqërie të drejtë do të duhej të garantohej prona, puna dhe siguria. E pikërisht këtu, PD është në llogoren e vet.
Por më tepër se opozitës, rotacioni i duhet Shqipërisë për të përmbyllur tranzicionin e lodhshëm 30-vjeçar. Tashmë është koha që secili të bëjë detyrën e vet. Më së pari Basha, e pastaj ne të tjerët nga pas.