Aktualitet

Drejt Skenarit 2 – Spitalet Covid kanë edhe 3 shtretër, sytë nga rajonalët














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:50 - 16/02/21 |
mapo.al

Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar herët se kapaciteti i spitaleve tona covid është 550 shtretër. Nga raporti i djeshëm, del se të shtruar janë 547 persona. Manastirliu ishte dje në Durrës ku tha se spitali rajonal është gati për të pritur të prekurit nga koronavirusi. Po shihet edhe Vlora, Shkodra, Elbasani dhe Korça.






“Duhet të futet në betejë i gjithë korpusi mjekësor i Shqipërisë duke nisur nga mjekët e familjes dhe spitalet rajonale”. I tillë ka qenë apeli i kryedemokratit Lulzim Basha për muaj me radhë, për luftën e qeverisë kundrejt pandemisë Covid-19. Por, situata ishte në kontroll, sipas Ramës dhe ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, nën argumentin se në të katër spitalet Covid në Tiranë ndodhen në funksion 550 shtretër për të gjithë pacientët e prekur nga virusi i rrezikshëm dhe shpesh vdekjeprurës.


“Kemi bërë gati që sistemi të përballojë raste mbi 80. Nëse i kalojmë mbi 80, spitali Infektiv ka kapacitet 120 shtretër. Pastaj, kemi bërë gati spitalin Covid-2, që është “Shefqet Ndroqi”. Covid-3, që është ish-Kirurgjia, si dhe Covid-4 që është ish shkolla “Kristal”. Në total janë 550 shtretër për të trajtuar pacientët me Covid-19”, – tha Manastirliu në emisionin “Opinion”, në qershor të vitit të kaluar, për ta ripërsëritur më pas në të tjera dalje publike.





Mirëpo, viti 2021 është shoqëruar me rritje të madhe shifrash. Bazuar në njoftimin më të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, pra në komunikatën e sotme, rezulton se në të katër spitalet Covid, janë 547 shtretër të zënë. Që do të thotë, 3 më pak se kapaciteti.



Sipas burimeve për Mapo, spitali “Shefqet Ndroqi” (Covid 2) ka plot 220 të shtruar, çka e bën të mbyllë dyert dhe të jetë në pamundësi të presë të infektuar të tjerë. Është pikërisht kjo gjendje që e ka detyruar Ministrinë e Shëndetësisë të hapë spitalet rajonale për trajtimin e pacientëve me Covid.



“Kemi rritje të pacientëve në reanimacione. Spitalet Covid janë duke përballur një fluks në rritje, ndërsa spitalet rajonale po trajtojnë rastet post-Covid dhe ato të dyshuara, për të lehtësuar dhe përballuar situatën. Bazuar në skenaret e vjeshtë-dimrit, do të aktivizojmë nga sot spitalet rajonale duke filluar me Durrësin, Shkodrën, më tej me Vlorën, Korçën dhe Elbasanin. Dhe, nëse do të ketë ngarkesa në këto spitale, do të vijojmë me skenaret e dytë dhe të tretë për të aktivizuar në kapacitete të plota pavionët Covid brenda spitaleve rajonale”, – tha Manastirliu në seancën e sotme në Parlament.

Me të dhënat e sotme, i bie që tashmë, Shqipëria po shkon drejt skenarit 2, pasi mundësitë dhe kapacitetet në 4 spitalet Covid, janë ezauruar. 

Mapo mëson se qeveria po nxiton të hapë së pari spitalin rajonal të Durrësit, duke lejuar shtrimin e disa pacientëve me koronavirus. Kjo lidhet edhe me vizitën sot të Manastirliut atje. Ndërsa, në ditët në vijim, sikundër njoftoi ministrja e Shëndetësisë, pritet të hapet spitali rajonal i Shkodrës, i Korçës, Vlorës dhe Elbasanit.

Lexo edhe :  Rama paralajmëron prishjen e ndërtimeve pa leje: Aksion në të gjithë vendin

Më herët, Manastirliu ka njoftuar se spitalet rajonale janë të përgatitura dhe se në to është investuar me linja oksigjeni të dedikuara e aparatura, por edhe me rreth 1000 shtretër.

Pavarësisht gjithçkaje, spitalet duhet të ishin aktivizuar gradualisht, për të krijuar eksperiencën, forcuar kapacitetet teknike e njerëzore, por mbi të gjitha vijëzimin e rritjes së numrit të të sëmurëve në mënyrë progresive, duke mos lejuar të kundërtën.

Nga ana tjetër, do të shmangte zonat e kuqe në kryeqytet, kaosin, mungesën e rregullave apo kritereve, qoftë shpenzimet marramendëse të qytetarëve me dëshirën për t’i kursyer jetën të afërmve të tyre, por edhe uljen e ndjeshme të cilësisë së shërbimit.

Prej një viti, ekspertët lëshojnë të njëjtën thirrje, sikurse opozita: aktivizim të menjëhershëm të spitaleve rajonale e shërbimeve të reanimacioneve në vend. Sipas tyre, vetëm kështu do të shmangej numri i lartë i të infektuarve. Një ditë më parë, u raportua për 1088 raste të reja me koronavirus.

Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti, në një dalje televizive në dhjetor të 2020-s, ishte i qartë kur pohoi emergjencën për hapjen e spitaleve rajonale, dhe për rrjedhojë shmangien e një karantine të dytë.

“Situata nuk është e lehtë, rastet që kanë nevojë për spital janë një numër i konsiderueshëm. Shtretërit janë shumë pak, krahasuar me shtetet e tjera. Deri më sot, ka funksionuar Tirana. Spitalet rajonale nuk janë futur në lojë. Për të evituar një karantinë të dytë që ndikon në jetën ekonomike e sociale, mjekësia duhet të thotë ku është kufiri” , – tha Alimehmeti teksa mori shembullin e Italisë,  ku funksionoi modeli i Venetos dhe jo ai i centralizuari në Lombardi.

“Që në mars është parë qartë që funksionoi modeli i Venetos, kurse Lombardia jo. Veneto shfrytëzoi qendrat e mëdha të lira nga Covid. Duhet të kujtojmë që edhe njerëzit që nuk kanë Covid, kanë të drejtë shëndetësore. Veneto ka një të pestën e problemeve të Lombardisë. Menaxhimi jep efekt. Gjithmonë ka qenë e nevojshme që spitalet rajonale të hyjnë në lojë”, – u shpreh mjeku epidemiolog teksa theksoi domosdoshmërinë e mirëmenaxhimit në luftën pandemike.

Numri i të shtruarve në spitalet Covid dje ishte 531, ndërsa sot është 547. Me këtë ritëm, i bie që është çështje minutash, orësh që numri të tejkalojë parashikimet, pritshmëritë dhe mundësitë e qeverisë. Edhe pse sot pati një lehtësim, pasi numri i të prekurve ka rezultuar shumë më pak se një ditë më parë, në kuotën 775.

1


Etiketa: , , , ,

Pas