Drejtoresha e Kontributeve në ISSH, Anisa Kureta: Si përfitohet pension më i lartë me sigurimin vullnetar e statusi i naftëtarit

Skema e sigurimit vullnetar tashmë është jo vetëm në interes të qytetarëve, por edhe të emigrantëve, të cilët kanë më pak se 15 vjet punë në Shqipëri për të përfituar pension më të lartë. Drejtoresha e Kontributeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, Anisa Kureta, në intervistën dhënë gazetës “Panorama”, shpjegon sesi kryhen pagesat e sigurimit vullnetar për të përfituar pension të pjesshëm apo pension të plotë.

Kreu i Drejtorisë së Kontributeve, Kureta, shpjegon se nëse një emigrant që jeton jashtë vendit ka më pak se 15 vjet vjetërsi në punë, përpara se të mbushë moshën e daljes në pension, kjo vjetërsi nuk merret në konsideratë për të përfituar pension. Kureta i sugjeron kësaj kategorie që të përfshihet në skemën e sigurimit vullnetar, me qëllim të përfitimit të pensionit. Drejtoresha e Kontributeve shpjegon edhe si kryhen pagesat e kontributeve për të përfituar statusin e naftëtarit.



Sa qytetarë janë të përfshirë në skemën e sigurimit vullnetar?

Skema e sigurimit vullnetar që nga fillimi i saj ka të evidentuar se kanë bërë sigurim vullnetar gjithsej 37,552 persona dhe, nga këta, 16,388 persona ose rreth 44 për qind janë emigrantë të siguruar vullnetarisht, për periudha të ndryshme kohore. Për periudhën janar–gusht të këtij viti, numri i personave të siguruar vullnetarisht ka arritur në 2,919, nga të cilët kontribuuesit vendës janë 1,774 ose 61 për qind dhe emigrantë janë 1,145 ose 39 për qind, si dhe janë përfshirë në këtë skemë 294 kontribuues të rinj.

Si përfitohet pensioni i pjesshëm dhe i plotë nga sigurimi vullnetar? Sa vite punë i duhen një qytetari?

Sikurse është informuar në vazhdimësi edhe opinioni publik: Reforma në fushën e pensioneve ka në bazë të saj periudhat e sigurimit, pra, sa më shumë të kontribuojë një qytetar, aq më e lartë do të jetë masa e pensionit të tij. Nëse keni periudha të mëparshme sigurimi, vjetërsi në punë më pak se 15 vite, ato nuk ju merren në konsideratë për të përfituar pension. Por, nëse bëni sigurim vullnetar dhe së bashku me vitet që keni duke plotësuar 15 vite pune, atëherë ju futeni në kushte për të përfituar një pension të pjesshëm pleqërie.

Nuk kanë qenë të rralla rastet kur persona të ndryshëm, aktualisht në Shqipëri, por edhe emigrantë, kanë pasur më pak se 15 vite vjetërsie në punë dhe përpara plotësimit të moshës për pension, iu është sugjeruar nga ana jonë që të paguajnë sigurim vullnetar, që të plotësojnë kushtin minimal të përfitimit të pensionit të pjesshëm të pleqërisë. Më e rëndësishme për të përfituar një pension më të lartë, është plotësimi i periudhave të pasiguruara kohore, kur personi për shkaqe të ndryshme nuk ka qenë i siguruar. Duke bërë sigurim vullnetar për këto periudha, plotësohen hapësirat boshe dhe në llogaritjet e pensionit merret e gjithë periudha kohore pa ndërprerje, e cila sjell rritjen e masës së pensionit.

Cilat kategori mund të bëhen pjesë e skemës së kontributeve vullnetare?

Personat që mund të sigurohen në skemën e sigurimit vullnetar, janë të gjithë ata persona, të cilët: janë banorë në qytet, kanë qenë në një marrëdhënie pune dhe për arsye të caktuar e kanë ndërprerë atë; janë banorë të fshatit, por nuk plotësojnë kushtet për t’u siguruar si të vetëpunësuar në bujqësi; kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe më pas nuk kanë qenë në marrëdhënie pune; kanë qenë dhe janë në marrëdhënie pune, por dëshirojnë të sigurohen në këtë skemë për të përfituar një pension më të lartë; kanë shtetësi shqiptare me periudha sigurimi në vendin tone, zotërojnë shtetësi tjetër dhe dëshirojnë që këto periudha të mos i humbasin për të përfituar një pension në Shqipëri; kanë lënë shtetësinë shqiptare, mund të paguajnë periudha sigurimi, deri në momentin e lënies së shtetësisë.

Duhet theksuar se për disa kategori të veçanta, siç mund të jenë nënat me shumë fëmijë, personat që gëzojnë statusin e minatorit ose personat që gëzojnë statusin e naftëtarit, nëse nuk plotësojnë vjetërsinë e nevojshme të përcaktuar në ligjin e sigurimeve shoqërore, në mënyrë që të mund të plotësojnë vitet e nevojshme të punës, mund të sigurohen vullnetarisht.

Sa është masa e kontributit vullnetar për vitin korrent?

Mbështetur në pikën 15, Kreu IV, të vendimit të Këshillit të Ministrave, nr.77, datë 28.01.2015 ,”Për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor”, të ndryshuar: “Kontributi vullnetar llogaritet në kufijtë e pagës minimale dhe maksimale, të caktuar nga Këshilli i Ministrave dhe paguhet nga personi i siguruar në afatin e përcaktuar në kontratën e sigurimit”. Me vendimin e Këshillit të Ministrave nr.399, datë 03.05.2017, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, është miratuar paga bazë minimale mujore në masën 24,000 lekë. Nga muaji maj 2017, me vendim të Këshillit të Ministrave, paga minimale mujore është miratuar 24,000 lekë dhe paga maksimale 105,850 lekë dhe kundrejt llogaritjeve me 21.6 për qind të degës se sigurimit për pension, kuota minimale mujore është 5,184 lekë dhe kuota maksimale mujore është 22,865 lekë.

Sigurim shoqëror për më shumë të ardhura kanë të drejtë të bëjnë edhe të vetëpunësuarit, të punësuarit dhe punëdhënësit privatë, duke paguar kontribute vetëm për vitin korrent, deri në kufirin e pagës maksimale, për t’iu marrë në konsideratë në llogaritje për pensione më të larta. Me kuotën mujore prej 5,184 lekësh, mund të paguhen edhe muajt për vitet e kaluara, për të cilat personi kërkon të sigurohet vullnetarisht. Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka të miratuar në rregulloren e sigurimit vullnetar, që për kontributet e parapaguara të periudhave të ardhshme të bëhen zbritje të masës së kontributeve nga ajo masë që duhej paguar në kushte normale sigurimi dhe zbritjet e parashikuara janë: për një periudhë tremujore, 1.5 për qind; në kushtet kur kjo pagesë është bërë parapagesë 3- mujore për vitin korrent, është aplikuar një zbritje prej 233 lekë dhe kuota 3-mujore nga 15,552 lekë, është paguar 15,319 lekë; për një periudhë 6-mujore 3 për qind; në kushtet kur kjo pagesë është bërë 6-mujore për vitin korrent, është aplikuar një zbritje prej 933 lekë dhe kuota 6-mujore nga 31,104 lekë, është paguar 30,171 lekë; për një periudhë vjetore 6 për qind; në kushtet kur kjo pagesë është bërë në muajin janar për vitin korrent, është aplikuar një zbritje prej 3,733 lekë dhe kuota vjetore nga 62,208 lekë, është paguar 58,475 lekë.

Çfarë përfitohet nga skema e sigurimit vullnetar?

Përfitimet nga skema e sigurimeve shoqërore janë: Pensione pleqërie, invaliditeti dhe familjar; pensione më të larta, sipas llogaritjeve mbi shumëfishin e pagave të paguara. Puna e ISSH-së për sensibilizim e qytetarëve, nëpërmjet informimit publik, që ata të mos mbeten pa pension apo që ata të përfitojnë një pension më të lartë. Instituti i Sigurimeve Shoqërore, me të gjithë punonjësit e kontributeve dhe veçanërisht inspektorët e sigurimit vullnetar, pranë çdo Drejtorie Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, e kanë për detyrë të informojnë në vazhdimësi dhe me të gjitha format e mundshme të komunikimit, opinionin publik, për skemën e sigurimit vullnetar. Informimi ka konsistuar kryesisht në sqarimin e personave për kushtet e sigurimit vullnetar dhe përfitimet nga ligji i sigurimeve shoqërore, që rrjedhin nga ky sigurim.

Për këtë, Instituti i Sigurimeve Shoqërore shtyp dhe shpërndan çdo vit me mijëra fletëpalosje dhe me qindra postera për informimin publik të qytetarëve, brenda dhe jashtë vendit, jo vetëm se e ka për detyrë këtë informim, por sepse është edhe në interes të tyre vazhdimi i sigurimit apo plotësimi i periudhave të munguara në skemën e sigurimit vullnetar. Për emigrantët në Itali, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Patronatet italiane, të cilat kanë zyra përfaqësimi në disa qytete të Shqipërisë, siç mund të përmendim INAS, ACLI, UMI dhe INAC, të cilat ofrojnë shërbimin pa pagesë për verifikimin e historikut të punësimit në Shqipëri, për të gjithë personat e interesuar, të cilët janë me vendbanim në shtetin fqinj. Disa çështje që duhen pasur parasysh nga personat që duan të sigurohen vullnetarisht.

Personat që duan të sigurohen vullnetarisht, në çdo rast të sigurimit vullnetar të tyre duhet që paraprakisht të kontaktojnë me inspektorin e sigurimit vullnetar në Drejtorinë Rajonale te Sigurimeve Shoqërore përkatëse. Inspektori i sigurimit vullnetar është i detyruar t’ju japë shpjegimet e nevojshme dhe t’ju llogarisë pagesat e kontributeve, për periudhat që ju dëshironi të siguroheni vullnetarisht. Ai duhet t’ju pajisë me dokumentin tip UrdhërVeprim, me qëllim kryerjen e pagesave të kontributeve në një nga bankat e nivelit të dytë.

Me kryerjen e pagesës, personi duhet ta ruajë këtë dokument për vete sepse ky dokument konfirmon kryerjen e pagesës së kontributeve të tij në bankë dhe fotokopjen e këtij dokumenti duhet t’ia paraqesë inspektorit të sigurimit vullnetar, i cili i ka lëshuar urdhërveprimin. Ndërkohë, inspektori i sigurimit vullnetar, kundrejt kërkesës ose jo të personit të siguruar, e pajis atë me librezën e kontributeve, mbështetur në rregullat e përcaktuara nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, për këtë qëllim. Instituti i Sigurimeve Shoqërore, që administron skemën e sigurimit vullnetar, ka për detyrë informimin e të gjithë shtetasve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, për njohjen e kësaj skeme me qëllim përfitimin e një pensioni sipas këtij ligji.


Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252