Aktualitet

Drejtori i OBSH: Shteti të zhvillojë politika për mbajtjen e mjekëve








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:37 - 26/07/19 |
Riviera Dedaj

“T’i japësh formim një doktori kushton shumë dhe disa vende bëjnë investimin, prej të cilit përfitojnë të tjera vende”. Kështu shprehet drejtori i Zyrës së OBSH-së në Shqipëri, Dr. Raul Gonzalez Montero i cili propozon një “shportë” që shteti duhet të analizojë për të mbajtur specialistët në vend. Në një intervistë për gazetën MAPO ai ka folur edhe për investimet në shëndetësi që janë minimale dhe që OBSH kërkon të shkojnë në nivelin 6 % të GDP-së. Ai sugjeron që vëmendjen më të madhe duhet t’ia kushtojmë Kujdesit Shëndetësor Parësor (KSHP), pasi është instrumenti më i rëndësishëm për të arritur mbulimin shëndetësor universal. Po kështu, Dr. Raul Gonzalez flet për ashpërsimin e ligjit antiduhan si masë direkte për uljen e sëmundjeve që vijnë si pasojë e konsumimit të cigareve.


– Intervista e Dr. Raul Gonzalez Montero, drejtor i Zyrës së OBSH-së në Shqipëri 


Bisedoi: Riviera Dedaj


Parlamenti i Shqipërisë miratoi së fundmi amendamentet në ligjin e duhanit, duke e ashpërsuar atë. A është këshilluar Ministria e Shëndetësisë me OBSH për këtë ligj?


Qeveria e Shqipërisë, në veçanti Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka hedhur një hap shumë të rëndësishëm në drejtimin e duhur për forcimin e ligjit që i mbron qytetarët nga duhani. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është konsultuar me OBSH-në dhe ne kemi ofruar asistencën tonë teknike. Ndryshimet në ligj ia kemi paraqitur Njësisë Teknike në Zyrën Rajonale te OBSH për Evropën në Kopenhagen, nga ku janë formuluar rekomandimet përkatëse.


A janë reflektuar të gjitha rekomandimet që ju keni bërë në ligjin antiduhan?

Po, i kanë marrë parasysh rekomandimet tona. Kur japim rekomandime, qeveritë i marrin parasysh plotësisht, pjesërisht ose nuk i përfillin aspak. Në rastin e Shqipërisë, kanë zbatuar rekomandimet më të rëndësishme.

Do të doja të theksoja njërin prej rekomandimeve. Trajtimi i produkteve të reja, si cigaret elektronike ose cigaret me ngrohje, që konsiderohen produkte duhani. Kjo është lëvizje përparimtare dhe e rendit Shqipërinë ndër vendet më të përparuara në Evropë. Krahas kësaj, duhet të marrim parasysh që Shqipëria ka hedhur hapa të mëdhenj edhe në zbatimin e Konventës Kuadër për Kontrollin e Duhanit.

Dr. Raul Gonzalez, prej sa kohësh punoni në Shqipëri? Sepse desha të di nëse keni pasur mundësi të shihni në terren se sa zbatohet ligji antiduhan?

Në Shqipëri punoj prej tre muajsh. Nëse bëjmë një krahasim të të dhënave të vitit 2010 me ato të vitit 2016, vëmë re se Shqipëria ka bërë arritje madhore. Gjatë këtyre 6 vjetëve ka pasur një prirje shumë pozitive në lidhje me përdorimin e produkteve të duhanit, pasi me kalimin e viteve ka rënë numri i përdoruesve, çka është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e ligjit.

A keni një raport të fundit me të dhëna (statistika) mbi shkallën e vdekshmërisë dhe sëmundjet që shkaktohen nga duhanpirja?

Po, është shkaktar, nuk kemi asnjë dyshim në këtë rast. Po të analizojmë 10 shkaqet kryesore të vdekjes në Shqipëri, 6 prej tyre lidhen drejtpërdrejt me përdorimin e duhanit. Këtu mund të përmendim sëmundjet ishemike të zemrës, goditjen cerebrale (iktus) dhe kancerin në mushkëri.
Nëse marrim parasysh 10 shkaqet kryesore të vdekjes në Shqipëri, shkaku i parë është sëmundja ishemike e zemrës, pasuar nga goditja cerebrale (iktus) dhe kanceri në mushkëri. Këto tri shkaqe lidhen drejtpërdrejt me duhanpirjen, dhe tri shkaqet kryesore të vdekjes.

Nëse mund të flasim për shifra konkrete. Pra, sa njerëz humbin jetën nga sëmundjet që shkaktohen nga duhanpirja?

Sigurisht që Instituti i Shëndetit Publik ka të dhëna, të cilat ia ofron OBSH-së. Natyrisht, kemi modele matematikore për të lidhur përdorimin e produkteve të duhanit me rastet e vdekjeve. Asnjëherë nuk kemi të njëjtat ndërlidhje. Për shembull, ajo që dimë është se produktet e duhanit rrisin gjasat për të vuajtur nga kanceri në mushkëri, dhe më pas shohim rritjen e rasteve të kësaj sëmundjeje për të bërë lidhjen. Krahas kësaj, dihet që nëse në një shoqëri bie niveli i përdorimit të produkteve të duhanit, do të bjerë edhe niveli i kancerit në mushkëri, goditjes cerebrale (iktus) apo sëmundjes ishemike të zemrës.

Sa duhanpirës ka në Shqipëri dhe si është raporti me vendet e tjera?

Po, për shembull mund ta shprehim numrin e duhanpirësve në Shqipëri në krahasim me vendet e tjera. Këtë vit kemi publikuar raportin tonë për përdorimin e duhanit në Evropë. Le t’i hedhim një sy tabelës dhe të gjejmë Shqipërinë, siç e shikoni gjendet në mes. Bazuar në këtë raport, Mali i Zi për shembull figuron si vendi me përqindjen më të lartë të duhanpirjes në moshat adulte. Pra, Shqipëria është pjesë e mesatares në Evropë. Përkatësisht 29% e popullsisë së rritur janë duhanpirës, sipas metodologjisë së standardizimit për strukturën moshore të popullatës. Gjatë viteve të fundit vendi ka parë përmirësime, por ka ende rrugë për të bërë.

Pra, 1/3 e shqiptarëve konsumojnë cigare…

Po, çereku i popullsisë së rritur është përdorues i duhanit dhe ky ligj do të ketë ndikim pozitiv. Dhe sot është dita e duhur që të hiqni dorë nga duhani.
Duhanpirja është diçka për të cilën mund të punojmë shumë lehtësisht. Është shumë e dëmshme dhe shkakton një numër të lartë vdekjesh dhe sëmundjesh. Megjithatë, mund ta zgjidhim sa hap e mbyll sytë, pasi është një shkak vdekjeje që mund të parandalohet dhe të eliminohet.

-PËR NDOTJEN MJEDISORE JU DUHET TË PËRAFRONI KUADRIN LIGJOR KOMBËTAR ME ATË EVROPIAN –

Ndotja e ambientit është një tjetër alarm për të cilën OBSH-ja flet shpesh. Konkretisht si paraqitet situata në Shqipëri?

Ku është Shqipëria? Çfarë cilësie ka ajri që thithim? Ne kemi një instrument për të matur cilësinë e ajrit, ku vlerësojmë përqendrimin e grimcave shumë të vogla, që quhen pm 2.5. OBSH-ja parashikon se ajri duhet të ketë më pak se 10 μg (mikrogram) për m3. Ky është kufiri dhe le të shohim se ku renditet Tirana. Niveli në Tiranë është 16 μg për m3. Po Durrësi? 13 μg për m3. Siç e shihni, e kaloni paksa kufirin. Le të bëjmë një krahasim me një qytet që konsiderohet i përshtatshëm për të jetuar, me ajër cilësor, si Kopenhageni. Niveli në këtë qytet është 13 μg për m3, njësoj si Durrësi. Siç e shihni, cilësia e ajrit nuk është optimale, ama është rritur shumë. Pra, ka pasur përmirësime dhe mund të krahasoheni me qytetet standarde në Evropë. Për shembull, le të bëjmë një krahasim me Limën në Peru, ku niveli është 37 μg për m3. Me pak fjalë, nuk keni situatën më të mirë të mundshme, por jeni në rrugën e duhur. Do të doja të theksoja çfarë kam vërejtur në Tiranë, si korsitë e biçikletave. Cili është burimi i ndotjes së ajrit? Makinat. Masat që merren për të zvogëluar trafikun janë të mira. Në Tiranë mund të ecni lirisht, si dhe keni një park të madh, i cili shërben si mushkëri e qytetit. Krahas kësaj, keni edhe rrjetin në rritje të korsive të biçikletave, ndaj mendoj se ky qytet po hedh hapat e duhur.

Dakord, po për ndotësit e tjerë, industria për shembull…

Praktikisht juve ju duhen rregullore, së paku për të lehtësuar zbatimin. Nëse ligjin e keni vetëm në letër, nuk do të përfitoni asgjë, pasi ju nevojiten instrumente që i bindin njerëzit ta zbatojnë. Ju nevojiten edhe rregullore mbi çfarë mund të çlirohet në ajër, shkarkohet në ujë dhe sa energji mund të shfrytëzohet nga industria. Të gjitha këto tashmë janë të mirërregulluara në Evropë. Pra, ju duhet të përafroni kuadrin ligjor kombëtar me atë evropian, çka shkon krah për krah me objektivin për të aderuar në BE.

Së fundmi janë dhënë shumë leje për ndërtimin e HEC-ve. A mendoni se do të kenë impakt në mjedis, pyje, dhe më tej në cilësinë e ajrit?

Siç e thashë pak më parë, në Shqipëri punoj prej tre muajsh dhe një nga aspektet pozitive që kam vërejtur është se pjesa më e madhe e energjisë vjen nga hidrocentralet. Megjithatë, duhet të tregojmë kujdes sepse duhet të sigurohemi që të kenë ndikim minimal mbi mjedisin. Pra, duhet të gjejmë mesin e artë, duke përfituar energji të pastër nga hidrocentralet, me ndikim minimal mbi mjedisin.

E kisha fjalën për numrin e madh të HEC-ve?

Është po e njëjta pyetje. Sa më shumë energji prodhoni, aq më pak ndikim duhet të keni. P.sh. nëse prodhoni energji nëpërmjet diellit, erës ose ujit, çka është gjë pozitive, duhet të gjeni ekuilibrin dhe të zvogëloni ndikimin mbi mjedis. Një nga objektivat e OKB-së është prodhimi i energjisë së pastër.

-NE REKOMANDOJMË QË BUXHETI PËR SHENDETËSINË TË RRITET NË 6% E PRODHIMIT TË BRENDSHËM BRUTO (GDP)-

 

Cila është asistenca direkte që ofroni apo projektet që keni me qeverinë shqiptare?

OBSH-ja nuk është OJF, por organizatë ndërqeveritare. Me pak fjalë, ne i ofrojmë shtetit shqiptar asistencë teknike. Kjo do të thotë që kryesisht ne punojmë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, por edhe me Komisionin për çështjet sociale, shëndetësinë dhe punën në Kuvend ose kryetarët e bashkive. Më tepër sesa projekte, do t’i quaja fusha pune, të cilat nënvizohen nga autoritetet shëndetësore. Vëmendjen më të madhe ia kushtojmë Kujdesit Shëndetësor Parësor (KSHP), pasi është instrumenti më i rëndësishëm për të arritur mbulimin shëndetësor universal.
KSHP-ja është një nga fushat kryesore, por ne përqendrohemi edhe në fusha të tjera, si: kontrolli i infeksioneve ose gatishmëria ndaj fatkeqësive. Kemi edhe fusha të tjera specifike që kanë ndikim të madh mbi shëndetin publik, si HIV-i ose tuberkulozi.

Si paraqitet aktualisht prevalenca e të prekurve me HIV/AIDS?

Për sa i përket HIV-it, Shqipëria është një nga vendet me më pak raste në Evropë, pra me prevalencën më të ulët, ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, duke qenë se vendet fqinje kanë nivel më të lartë.

Prirja është pozitive, ka pasur rënie. Në fushën e HIV-it janë bërë përparime po njësoj si me sëmundjet e tjera në botë. Para tre vjetësh as që na shkonte nëpër mend se do të gjendeshin barna për ta ndaluar këtë sëmundje dhe kjo ka qenë arritja kryesore. Tani njerëzit me HIV mund të gëzojnë një jetë normale, mund të kenë edhe pritshmëri për jetën, për sa i përket punës ose familjes. E njëjta gjë ndodh në Shqipëri, sepse tani njerëzit që vuajnë nga HIV-i identifikohen, trajtohen dhe më pas e vazhdojnë jetën e tyre normalisht. Prirja është pozitive si në Shqipëri, ashtu edhe në vendet përreth. Vendet më të largëta po përballen me më shumë probleme, por në Evropë kemi shembuj pozitivë, si Shqipëria.

Çfarë mund të na thoni për një temë tjetër shumë të debatuar në vendin tonë. Koncesionet! Janë dhënë deri më tani 4 PPP me vlerë 311 mln euro që paguhen nga buxheti i shtetit në 10 vitet e ardhshme. A mendoni se është kjo mënyra më e mirë për të përmirësuar shërbimin shëndetësor në vend? A i keni monituar këto shërbime që po mundësohen nga privati, sidomos check up?

PPP-të ose Partneriteti Publik Privat është metoda që Shqipëria ka zgjedhur për të zgjidhur disa nga problemet në këtë fushë, dhe nuk është as mirë as keq në vetvete. Shumë vende e zgjedhin këtë metodë. Çdo vend e vendos vetë metodën për mbulimin shëndetësor universal.

Disa vende ofrojnë shërbime shëndetësore 100% publike.

Disa vende të tjera i ofrojnë me 100% asistencë private.

Në disa vende përdorin metoda, si PPP-të.

Metoda e përzgjedhur është plotësisht në dorë të qeverisë. Qëllimi përfundimtar është që e gjithë popullsia të ketë akses në shërbime shëndetësore.
Ju përmendët një shifër konkrete, që ishte 300 milionë dollarë. A është e lartë apo jo kjo shifër? Varet, sepse është investim. Ju investoni para. Në shpenzimet për shëndetësinë dhe checkup-in duhet të mendoni gjithmonë se çfarë po jepni dhe çfarë do merrni nga ato para.

Le të japim një shembull shumë të mirë, si programi i checkup-it. A është ide e mirë? Pa dyshim që është një ide e mirë, pasi problemet mund të identifikohen në një çast që mund të veproni për t’i parandaluar. Me pak fjalë, programi i checkup-it është një ide shumë e mirë, por si për çdo gjë tjetër në jetë ka vend për përmirësim.

Çfarë do të donim të shikonim në program? Për shembull, zbulimin e hershëm të kancerit në qafën e mitrës. Ky ishte një shembull, por ajo që doja të thosha është që ky program është një instrument i mirë për t’i identifikuar dhe për t’i trajtuar problemet herët. Është shumë herë më e thjeshtë ta diagnostikosh herët një person me hipertension.

Nëse e dimë që një person ka hipertension, mund të fillojmë ta trajtojmë me barna jo shumë të shtrenjta. Nëse nuk diagnostikohet dhe kalojnë vite të tëra, ky person mund të vuajë nga mosfunksionimi renal. Dhe e dini ju sa do t’i kushtojë shtetit shqiptar për ta trajtuar? Jashtëzakonisht shumë. Dua të them që këto para që po shpenzojmë tani në checkup janë investim për të parandaluar shpenzime të ardhshme.
Ne dimë që tani qeveria po merret me vlerësimin e programit. Ata duan të shohin dhe të analizojnë rezultatet. Jam i sigurt që të dhënat do t’i kenë gati në muajt e ardhshëm.

Pra, deri më tani nuk i keni parë rezultatet e checkup-it?

Të gjitha të dhënat statistikore i ka Instituti i Shendetit Publik. Programi i checkup-it është një pjesë shumë e rëndësishme e tij. Sigurisht ka të dhëna shumë të sakta. E kemi parë Ministrinë të prezantojë të dhënat statistikore që në javët e para të ardhjes sime këtu. Në të dhënat e prezantuara ata kanë treguar si kanë ndihmuar në diagnostikimin e personave me diabet, me hipertension.

Në Organizatën Botërore të Shëndetësisë kemi metoda që i quajmë “case investment” – “raste të investimeve”. Me këtë metodë mund të shikohen paratë që do të duhej të shpenzoheshin pas shumë vitesh po të mos investonim tani. Kjo për shembull lidhet shumë me programin e check up-it.
Ju e dini që nëse nuk bëni asgjë, njerëzit me diabet do të vazhdojnë ashtu dhe më pas mund të kenë atak kardiak ose mund të verbohen, ose do të kenë mosfunksionim renal dhe këto janë shpenzime që do të duhet t’i mbuloni më vonë.

Ndaj kjo u tregon autoriteteve shëndetësore leverdinë e të investuarit në parandalimin e këtyre sëmundjeve. Instrumenti më i mirë pa dyshim është investimi në sistemin e kujdesit shëndetësor parësor.

Pra, ju konstatoni se ka probleme të mëdha sa i përket ofrimit të shëndetit parësor?

Nuk bëhet fjalë vetëm për Shqipërinë, por për pjesën më të madhe të vendeve evropiane që kanë këto probleme. Çfarë ju nevojitet? Ju nevojiten shërbime cilësore, pranë jush. Ajo që dua të them është se nëse keni nevojë për një mjek, nuk duhet të udhëtoni 3 orë por ta keni pranë vendbanimit tuaj. Disa njerëz në këto shërbime nuk janë të kualifikuar, por mjekët dhe infermierët duhet të jenë shumë të kualifikuar. Qendrat e kujdesit shëndetësor parësor duhet të jenë të lidhura ngushtësisht me spitalet për referim dhe mjekët dhe infermierët duhet të ndiejnë që puna e tyre jo vetëm është e mirëpaguar, sepse kuptohet që duhet të jetë e mirëpaguar, por edhe rezultatet e punës së tyre duhet të jenë pozitive, dhe është e rëndësishme që komuniteti dhe njerëzit të luajnë rolin kryesor në përmirësimin e sistemit të kujdesit shëndetësor parësor. Po i referohem një çështjeje shumë të rëndësishme. Investimi i shtetit shqiptar duhet të rritet, në drejtim të PRODHIMIT TË BRENDSHËM BRUTO (GDP).

Cili është niveli minimal që rekomandojmë? Ne rekomandojmë që të paktën 6% e PRODHIMIT TË BRENDSHËM BRUTO t’i dedikohet investimit në shëndetësi. Kjo gjë nuk mund të bëhet sa hap e mbyll sytë, por ne kërkojmë të shohim se si vendet do të investojnë më shumë në shëndetësi.
Duhet të shtojmë investimin. Shumë vende janë nën minimum duke iu referuar PRODHIMIT TË BRENDSHËM BRUTO
Duhet të jetë në një minimum prej 6%.

Nga Shqipëria po largohen mjekë dhe infermierë çdo ditë, kryesisht mjekët tanë po i merr Gjermania. Si mund të frenohet “Brain drain”?

Absolutisht po, jam plotësisht dakord, Shqipëria duhet të zhvillojë politika për mbajtjen e fuqisë punëtore, pasi është absolutisht thelbësore.
Ka shumë mënyra për të adresuar këtë problem, sepse ky nuk i përket vetëm Shqipërisë, por shumë vendeve të tjera.

Cilat janë mënyrat kryesore që vendet përdorin për ta mbajtur forcën punëtore dhe konkretisht mjekët?

Ashtu siç po diskutonim dhe më parë, duhet të rriten rrogat, të përmirësohet mjedisi i punës, kushtet e jetesës për ju dhe familjen tuaj, çka përbën karrierën profesionale.

Këtë do ta quaja një “shportë”, që shteti duhet të analizojë për të parë çfarë mund të përmirësohet, sepse ju nuk mund ta përballoni investimin në formimin e mjekëve, të cilët më pas shkojnë në Gjermani. T’i japësh formim një doktori kushton shumë dhe disa vende bëjnë investimin, prej të cilit përfitojnë të tjera vende.

Nuk është vetëm problem i Shqipërisë, por i shumë vendeve të tjera, ku kam punuar më parë, me situata shumë më të ndërlikuara, që duhet të bëjnë përpjekje për mbajtjen e fuqisë punëtore.

OBSH bën thirrje për zbatimin nga të gjitha vendet anëtare të OBSH-së të “WHO Global Code of Practice on the International Recruitment of Health Personnel (2015)” – “Kodi i praktikave për rekrutimin në punë të personelit shëndetësor”.

OBSH bën thirrje për zbatimin nga të gjitha vendet të Kodit Global të Praktikës për Rekrutimin Ndërkombetar të Personelit Shëndetesor (OBSH 2015).Kodi përcakton parimet dhe praktikat vullnetare të rekrutimit në mënyre etike të personelit shëndetësor. Përfshin strategjitë e planifikimit, edukimit dhe mbajtjes së personelit shëndetesor për forcimin e sistemeve shëndetësore.

/MAPO.al


Etiketa: , , , , , , , , , , ,

Pas