Drejtuesja e emisionit “Open” në Top Channel Eni Vasili çështjen e mosdekretimit të Sandër Lleshajt më shumë se “kompetencë Kushtetuese” e konsideron si përplasje të dyshes politike.
Mosdekretimi i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj nga Presidenti i Republikës Ilir Meta ka sjellë si pasojë përplasjen me Ramën. Në këtë situatë jemi para një konflikti institucional apo një përplasje “personazhesh” Meta-Rama?
Jemi sigurisht përpara një konflikti institucional që ndoshta rrënjët i ka te përplasja e dyshes Rama -Meta, një përplasje që është pjesë e një telenovele intrigash dhe rivaliteti politik gati 20-vjeçar. Pas një fushate elektorale në kërkim të timonit, duke treguar me gisht nga LSI-ja si shkaktare për shumëçka negative në vend ky, përplasja me ish-kryetarin e LSI dhe themeluesin e saj ishte më se i pritshëm. A është pjesë e një strategjie politike apo thjesht një provokim presidencial me qëllim riformulimin e pakteve të reja, kjo mbetet për t’u parë.
Palët jashtë institucioneve ndahen për sa iu përket kompetencave; disa gjykojnë se në një Republikë Parlamentare kryeministri vendos për kabinetin e tij dhe presidenti thjesht duhet të firmosë dekretet, (ku përgjegjësinë për emrat që propozon e mban kreu i qeverisë), ndërsa të tjerë gjykojnë se roli i presidentit nuk është vetëm si “noter”, ose me rol thjesht ceremonial, por ka të drejtën të kthejë një kandidaturë duke mos e dekretuar. Në këtë “gjykim të kundërt”, Gjykata Kushtetuese që do i jepte përgjigjen përfundimtare mungon, kjo situatë e krijuar “përplasjesh institucionale” si mund të zgjidhet?
PS deklaroi nëpërmjet sekretarit për mediat Alfred Peza në emisionin tim Open në Top Channel se PS do të dërgojë në kushtetuese përgjigjen e presidentit. Më shumë se në kërkim të një zgjidhjeje ky duket një akt propagandistik kur dihet tashmë pamundësia e Gjykatës Kushtetuese për të marrë vendime në mungesë të numrave të kuorumit. Kthimi i një propozimi për dekretimin e një ministri nuk ka ndodhur ndonjëherë dhe do kërkonte një arsye shumë të fortë. Në mungesë të motivimit nga ana e presidencës zgjidhja më shumë se në sferën juridike duhet të kërkohet në atë politike. Të paktën deri në momentet që flasim si kryeministri ashtu edhe presidenti duken të vendosur në llogoret e tyre. E vërteta është që asnjë nga paraardhësit e Metës nuk ka guxuar të kthejë një dekret të ngjashëm me gjithë oponencën që i kanë bërë kandidaturave edhe publikisht.
Edhe pse gjuha e përdorur nga Rama ka qenë disi e rëndë në Parlament, përsëri i është lënë një derë hapur në mundësinë e bashkëpunimit dhe diskutimit institucional qeveri-presidencë. Në situatën aktuale a mund të rinegociohet kandidatura e Lleshajt, (Kryeministri lajmëroi ripropozimin e Lleshajt), për aq kohë sa presidenti ende nuk është shprehur me dekret, por ka sqaruar mosdekretimin për arsyet e refuzimit brenda afatit shtatë ditë që e përcaktonte Kushtetuta?
Edhe këtu opinionet e juristëve dhe konstitucionalistëve janë të ndara. Pavarësisht kësaj e vërteta është që nga pikëpamja institucionale në Ministrinë e Brendshme nuk ndryshon asgjë nëse dikasteri drejtohet nga zv.ministri Lleshaj, po kështu kjo nuk përbën asnjë problem edhe për qeverinë pasi mosdekretimi nuk sjell asnjë pasojë për të në sallën e parlamentit, aq më pak problematika sjell situata për njerëzit dhe përditshmërinë e tyre nëse Lleshaj e drejton Ministrinë si ministër apo si zëvendësministër me kompetencat e ministrit. I vetmi problem për t’u zgjidhur në këtë rast është ajo e konfliktit të dyshes Rama-Meta.
Kemi edhe reagimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë e cila ndalet specifikisht në çështje duke u shprehur: “Një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale është një element kyç për të siguruar vazhdimësinë e këtyre përpjekjeve dhe rezultateve të deritanishme”. Si duhet lexuar ky qëndrim, një “presion pozitiv” presidentit dhe kryeministrit, apo një këshillim i pastër për njërën palë?
Një gjuhë e drunjtë diplomatike nga ato që mund ta interpretosh me një mijë mënyra, apo edhe në një të vetme. Ambasadës Amerikane si shumë përfaqësive të tjera iu intereson stabiliteti institucional në vend dhe e inkurajon atë pavarësisht se kush e krijoi dhe si do ta zgjidhë përplasjen e fundit politiko-institucionale.