A do të dënohet Saimir Tahiri për trafik droge? Ky vendim pritet të shpallet sot nga Gjykata për Krime të Rënda, në orën 16:00.
Por, deri në dalje të këtij vendimi po sjellim në vemendje deklaratat e Tahirit sot në sallën e gjyqit, ku nuk i ndali “thumbat” ndaj Kryeministrit Rama dhe zëvendësuesit të tij në Ministrinë e Brendshme, Fatmir Xhafaj.
Duke iu referuar një bisede të përgjuar më datë 23 nëntor 2013 mes vëllezërve Habilaj, Moisi Habilaj pyet Artanin se si po kalon dhe ky i fundit thotë se është në drekë me “Shefin e Madh”. Prokuroria pretendon se “Shefi i madh” është Saimir Tahiri.
Ndaj kësaj akuze Tahiri reagoi ashpër në gjykatë. Ai tha se prokuroria nuk ka punuar si duhet për të vertetuar përgjimet. Tahiri i tha trupit gjykues, se sipas verifikimit në sistemin TIMS rezulton se në datën 21 nëntor 2013 deri në 23 nëntor 2013, ai ka qenë në Bruksel me dy ish-ministra, Klajda Gjoshën dhe Nasip Nacon, në takim me Stefan Fule. “Menjëherë nga Rinasi, më datë 23 nëntor jam nisur për në Dajt, sepse ka pasur një mbledhje informale të Ramës me kabinetin. Pas kësaj në orën 20.03 deri në 01.00 të natës kam qenë në zyrën time me Adriatik Llallën dhe shefin e SHIK për një ngjarje që kishte ndodhur në burgun e Drenovës”, ka deklaruar ai.
Sakaq, Tahiri kishte printuar edhe disa shkrime të portaleve e gazetave që raportonin për mbledhjen e qeverisë në Dajt, në të njëjtën kohë kur prokuroria pretendonte se ai ka qenë me Habilajt.
“Prokuroria duhet të saktësojë se kush është SHEFI I MADH, sepse sipas gjithë provave që po i paraqis kësaj gjykate, unë nuk kam qenë në atë drekë të pretenduar me Habilajt. Atëherë si mund të aludojë prokuroria që unë jam SHEFI I MADH?!”
Më tej, Tahiri me ironi ka thënë: “Në raport me krimin, as unë dhe as Rama nuk jemi “Shefi i madh”, por në raport me politikën ai është “shefi i im i madh”.
Nga ana tjetër, ai shenjestroi edhe pasardhësin e tij, ish-ministrin Fatmir Xhafaj, duke thënë se ndodhet në gjyq si i pandehur vetëm se i shiti makinën një personi që nuk ka qenë i dënuar.
“Në vend ka plot njerëz që nuk mbajnë përgjegjësi për vëllezër trafikantë”, tha Tahiri.