(në nderim të poetit Dhori Qiriazi)
Nga Shpëtim Çuçka
Kur ndodh një ngjarje e pabujshme letrare, siç është botimi i vëllimthit “Dikur në vjeshtë” i poetit Dhori Qiriazi, befas brenda nesh depërton një rreze drite, një e vërtetë e thjeshtë, e qetë dhe e mirë, si pak të vërteta: “Poezia e madhe buron nga shpirti i madh.”
Atë mbrëmje, që shtëpia botuese “Tirana Times” organizoi paraqitjen e këtij libri, binte shi. Shi dimri, në dhjetor. E megjithatë u mblodhën plot njerëz, pjesa më e madhe jo më të rinj, të tallazitur jo pak në valët e jetës. Sa të rralla janë rastet vërtet të mira, vërtet të dëlira në këto kohë! I mblodhi një libërth, i mblodhi një poet, i mblodhi fryma e ngrohtë e një njeriu.
Cila ishte kjo frymë, cila ishte e veçanta e saj, cila ishte magjia e Dhori Qiriazit? Kurdoherë ka qenë e vështirë të shkruash për njeriun e mirë, për poetin e mirë. Aq më tepër në kohë inflacionesh të gjithçkaje, sidomos të urrejtjes dhe cinizmit. Sot janë shpërdorur sa më s’ka edhe fjalët e mira: janë shpërdorur për njerëz të rëndomtë, edhe për poetë të rëndomtë. “Cila është shenja që dallon njeriun e mirë nga i rëndomti, poetin e mirë nga i rëndomti?” – mund të pyesë ndokush, të cilit i është ngulitur thellë bindja se vlera janë të gjitha relative dhe se gjërat shpesh ndërrojnë mes tyre vendet: e mira me të keqen, e vërteta me gënjeshtrën e kështu me radhë.
Përgjigjja ime është e thjeshtë: Lexoni Dhori Qiriazin!
Dikujt nuk do t’i pëlqejë? Do të thotë se ka humbur shumë nga vlerat e vërteta të njeriut, nga vlerat themelore të jetës: dashurinë për njerëzit e punës, domethënë për njerëzit e thjeshtë, për pjesën më të mirë të njerëzve; dashurinë për vendlindjen dhe përmes saj dashurinë për mëmëdheun; dashurinë për natyrën dhe në këtë mënyrë dashurinë për jetën; dashurinë për të ndershmen, për të mirën, pra, për përparimtaren.
Do t’i pëlqejë? Do të thotë se shpirti i tij ende nuk është helmuar nga jeta jonë e përditshme, e ndodhur nën ndikimin e politikanëve sherrxhinj (po të doni, edhe të pamoralshëm me popullin), të një “elite” mendjemadhe, boshe dhe lekiste, të mjeteve më së shumti të keqinformimit, të një tregu pa rregulla, shkurt, mes një klime shoqërore të pakulturuar e të paqytetëruar, pra, tërësisht të pashëndetshme.
Te Dhori Qiriazi lexuesi nuk do të gjejë vargje të bujshme, me poza, për efekte. Nuk do të gjejë tema boshe, skena kotësie, ndjenja meskine. Nuk do të gjejë qarje, ankime, rënkime. Sikurse nuk do të gjejë hare të papërmbajtshme, eufori, dalldisje. Shkurt, nuk do të gjejë gjithë ato gjëra me të cilat aq shumë është mësuar këto kohë. Mësimi i heshtur që ai do të gjejë (më saktë: do të duhet ta nxjerrë vetë) midis fjalëve, vargjeve, mendimeve, ndjenjave është se jeta me qarje e me eufori është jetë e papjekur, jetë pa mendim, jetë pa themele, jetë pa të ardhme.
Te Dhori Qiriazi jeta pa qenë e begatë është njerëzore, pa qenë luksoze është e jetueshme, pa qenë plot drita e plot xixa është e ndritur. Te Dhori Qiriazi lexuesi njeh fshatin me njerëzit punëtorë, sheh natyrën e mrekullueshme ndonëse as idilike e as ekzotike, sodit qiellin me yje, me re, me shi e me mjegull. Ndryshe nga sot, kur njerëzit për sa e sa arsye nuk ngrenë kokën të shohin qiellin, askur ai është i qëruar. Dhe kjo rrethanë të sjell ndër mend shprehjen e vjetër latine: Muta pecora, prona et ventri oboedientia (dele të urta, kokulura dhe që i binden vetëm barkut).
Ç’është dhembja për Dhori Qiriazin? “Ti nuk e di se ç’dhembje ësht’ vërtet,/ kur dhe njeriu njeriut nuk i flet.” Ç’është kurora e gjërave të njeriut? “Kurora jon’ – ç’ka bota në ktë jetë:/ yje, male, baltë, drur’ e fletë.” Ç’është dashuria? “Të desha ty, kur desha edhe yjet/ dhe malet varg dhe mjegullat dhe pyjet.”
Lirika e Dhori Qiriazit është poetika e jetës së fshatit dhe poetika e natyrës së fshatit. Për njerëzit e sotëm, veçanërisht për njerëzit e artit, këto dy poetika njihen aq pak, çmohen edhe më pak dhe shpesh e për fat të keq nuk ekzistojnë. Mjafton të shikohen shfaqjet a tablotë me peizazhe, të dëgjohen këngët, të lexohen krijimet. Në të vërtetë sot nuk ka më lirikë jo vetëm në poezi, por as në dramë, as në kinema. Nuk ka as në jetë. Ka vetëm ngërdheshje dhe përqeshje, cinizëm dhe hi-hi-hi, ha-ha-ha.
Për Dhori Qiriazin ka dy nëna: Nëna dhe toka. Kush tjetër e thotë sot këtë? Për Dhori Qiriazin lumturia e njeriut është e thjeshtë, është e qetë: “I qetë eci buzë xhadesë,/ Dëgjoj me mall të zogut trillin;/ Këput një degë shelg me vesë/ Dhe vë mbi vargje ngjyrë prilli” (poezia “Prilli”). Për ne sot nuk ka më qetësi: kush dëgjon lajmet, do të bindet.
Kurse ne lexojmë poezi të tilla si “Në vjeshtë”, “Prilli”, “Fjalë për ditëlindjen time”, “Përsëri unë erë ndjej në fushë”, “Lirika e fushës”, veçanërisht poezinë “Fshati im”, që është emblemë e artit dhe e shpirtit të Dh. Qiriazit, dhe përpara na shpaloset një botë e madhe, e thjeshtë, e ngrohtë, njerëzore. Një botë, me të cilën njeriu, pra edhe poeti, është lidhur jo thjesht si me mjedisin e tij të jetesës, jo thjesht si me diçka të domosdoshme nga ana jetësore, por edhe si me diçka të dashur, të shtrenjtë, shëndetsjellëse, jetike për shpirtin.
Kjo është arsyeja se përse e gjithë bukuria e krahinës, ku Dhori Qiriazi e jetoi me shije të plotë jetën e vet, e gjithë dëlirësia e kësaj jete të thjeshtë, i meritojnë vargjet që poeti u thuri e u blatoi me një fetari të kulluar. Dhe kjo sot ndodh shumë rrallë (nëse ndodh).
Kjo është arsyeja se përse Dhori Qiriazi jetoi si njeri i qetë, në paqe me gjithçka që e rrethonte, “larg, la-arg nga qyteti, nga brengat, nga thashethemet, nga rrëmuja, nga rrëmeti”. Ai ishte i lirë, ai ishte i lumtur. Si njeri, pra, edhe si poet. Ndaj edhe i këndoi shpirti. Dhe kjo sot ndodh shumë rrallë (nëse ndodh).
Asnjërit prej nesh nuk i lejohet të qahet për Dhori Qiriazin, përderisa këtë nuk e bëri ai vetë. Nuk bën, nuk shkon, është mëkat që meskiniteti i sotëm t’i vishet lumturisë së tij pastërtisht njerëzore. E vetmja gjë që mund të bëjmë ne vdekatarët, është të psherëtijmë me vete: Ah, sikur të kishim edhe ne një jetë si e tija!
Prandaj edhe njerëzit, njerëz të rrahur nga valët e jetës, njerëz nga Kolonja, por edhe nga Devolli, nga Berati, nga Tepelena, nga e gjithë Shqipëria, u mblodhën atë mbrëmje dhjetori kushtuar Dhori Qiriazit, erdhën për të mes shiut. Të gjithë, edhe ata që nuk arrijnë ta ndiejnë brenda vetes diçka të tillë, janë sidoqoftë e në thelb të qenies së tyre të etur për artin kushtuar jetës, për dritën e mirësisë. Sikurse është arti i Dhori Qiriazit. Sikurse është drita e tij e mirësisë. Për fat të keq një art e një dritë e këtillë ndeshen sot aq rrallë.
*Përkthyes, poet.
Artikull shume i bukur. Duket qe e keni ndjere vertet dhe e keni lexuar thelle poezine e Dhori Qiriazit.
Nje nga artikujt me te bukur qe kam lexuar per poezine e tij dhe nga te rrallet. Urime!
Ta lexosh eshte mrekulli. Por lum kush e ka njohur nga afer. Gjigand kolonjar.