Gjykata e Korçës ka shfuqizuar masën disiplinore ndaj shefit të Seksionit kundër Krimit Ekonomik, Drogës dhe Trafiqeve në Policinë e Korçës, Dritan Hoxha. Ky zyrtar u ndëshkua në shkurt nga Drejtoria e Standarteve Profesionale me paralajmërim për largim nga puna, pasi kishte kontrolluar në sistemin TIMS lëvizjet jashtë vendit të ish -ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe babait të tij, Bashkim Tahiri.
Në padinë e siguruar nga ABC News, rezulton se Hoxha, së bashku me vartësin e tij Mariglen Koro, ishin ndër 23 efektivët e policisë të drejtorive të ndryshme të vendit, ndaj të cilëve kishte filluar procedimi disiplinor për këtë çështje. Të dhënat e përftuara për familjen e Saimir Tahirit, oficerët e policisë, të gradave dhe detyrave të ndryshme, i kanë shpërndarë në media, konkludoi hetimi i Drejtorisë së Standardeve.
Masa administrative për Dritan Hoxhën, i cili ka nje karrierë 16-vjeçare dhe mban gradën komisar, u la në fuqi edhe nga Komisioni i Apelimit i Drejtorisë Vendore të Korçës, çfarë detyroi Hoxhën t’i drejtohet gjykatës duke paditur institucionin ku punon.
Hoxha ka argumentuar para gjykatës se në ditët që janë kontrolluar në TIMS hyrje -daljet e Sajmir Tahirit, ai ka qenë me leje të zakonshme. Sipas tij, ka qenë vartësi Mariglen Koro, ai që ka hyrë në llogarinë e tij, e cila kishte mbetur e hapur në kompjuterin e zyrës, pasi Seksioni kundër Korrupsionit është i lidhur vetëm me një kompjuter me sistemin TIMS, që i përket llogarisë së paditësit.
Sipas oficerit, nuk ka pasur një hetim të plotë dhe të pavarur lidhur me objektin e masës disiplinore, pasi nuk ka asnjë të dhënë elektronike, të nxjerrë nga serverat e Policisë së Shtetit, se nga cilat IP janë bërë kontrollet, sa herë janë bërë restart dhe reset kodet në sistemin TIMS, ndërsa nuk janë identifikuar cilët oficerë policie shpërndanë për mediat të dhënat e nxjerra nga sistemi TIMS për Saimir Tahirin.