Editorial

Dritëhijet amerikane mbi Kosovën dhe letra e 3 deputetëve gjermanë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:04 - 09/05/19 |
Mapo.al

Mapo.al


Kur bie fjala tek çështja e Kosovës, sidomos pas Samitit të Berlinit, pikëpyetja më e madhe mbetet se cili do jetë roli i SHBA. Jo pak gazeta gjermane janë entuziazmuar se më në fund Europa po i tregon SHBA se është e aftë të zgjidhë problemet e oborrit të saj të pasmë, duke iu referuar Ballkanit.


Sa qëndron kjo? Të enjten, presidenti kosovar, Hashim Thaçi kërkoi sërish ndihmën e SHBA për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.


Por a ka pasur dritëhije amerikane mbi çështjen e Kosovës gjatë kësaj kohe? Para tre muajsh, gazetarja austriake Adelheid Woelfl shkruante se “kryestrategu i fushatës zgjedhore të Donald Trump, Corey Lewandowski, është lobisti që po bën fushatë për ndarjen e Kosovës. Në adresën e Lewandowski-t në Uashington është regjistruar firma Twin Rocks Global, që ka një kontratë me partinë serbo-nacionaliste, SNSD, që ka synuar ndarjen dhe me këtë rast shkatërrimin e Bosnje-Hercegovinës”.


“Ideja me sa duket ka lindur gjatë një takimi të kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe Vuçiçit në tetor të vitit 2016. Por projekti është ndjekur prej kohësh nga pala serbe. Bëhet fjalë për bashkimin e zonave me shumicë serbe ne veri të Kosovës me Serbinë, për të legjitimuar një pjesë të idesë së vjetër të Serbisë së Madhe,” theksonte ajo.

A mbetet kjo vetëm një histori lobimi? Në fakt, këshilltari për sigurinë pranë presidentit amerikan, John Bolton u investua vetë për këtë çështje. Madje ai pati disa telefonata plot ngjyra me Tiranën dhe Prishtinën. Kryeministri Edi Rama e shiti shtrenjtë telefonatën me Bolton si një mbështetje amerikane ndaj tij.

Por një letër e tre deputetëve të njohur gjermanë, nxjerr në pah faktin se mes SHBA dhe Gjermanisë duket se ka një përplasje për çështjen e Kosovës. Tre deputetët e tre krahëve më të rëndësishëm politikë në Gjermani, Peter Beyer, Josip Juratovic dhe Manuel Sarrazin e publikuan letrën e tyre në gazetën e njohur konservatore, Frankfurter Allgemeiner.

“Një këmbim territoresh etnik do të ishte një lojë me rrezik të lartë, që do krijonte shumë probleme të reja dhe do të rrezikonte paqen në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë. Përsëri, shumë njerëz mund të bëhen viktima të politikës nacionaliste. Edhe këshilltari amerikan i sigurisë, John Bolton, i cili e ka bërë idenë të shijshme për presidentin e tij dhe e ka promovuar masivisht, tani duhet të zhgënjehet,” shkruajnë ata.

Sërish historia nuk është kaq bardhezi, pasi një agjenci e njohur shkruante para disa kohësh se kancelarja gjermane Angela Merkel mund të mbështesë çdo zgjidhje vjen nga SHBA. Profesori i njohur Paul Williams tha të enjten për Zërin e Amerikës se Uashingtoni di t’i zgjidhë problemet, kurse Europa ka mbetur vetëm tek historia e ‘çekiçit’. “Ne e mbajmë fjalën,” thotë ai.

Lajmi i mirë është se Williams dhe të tjerë zëra të rëndësishëm në Uashington e duan ndërhyrjen e SHBA për zgjidhjen e problemit, por kanë nisur të besojnë se historia e shkëmbimit të territoreve është e rrezikshme. Kjo i lë ata që e kanë përkrahur këtë tezë në trojet shqiptare në një situatë më të vështirë. Arsyeja është e thjeshtë: ata duhet ta dinë më mirë se kushdo në BE apo SHBA se çfarë rrezikohet kur luhet me kufijtë.


Etiketa: , , , , , ,

Pas